Këtë vit “Javët e Kulturës Shqiptare” në Austri do të fillojnë nga muaji tetor dhe do të përfundojnë në muajin shkurt të vitit 2021.
Javët e Kulturës Shqiptare janë ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive e komunitetit shqiptar në Austri. Ato tashmë kanë krijuar emër, traditë, janë bërë institucion në vete, jo vetëm për aktivitetet e llojllojshme, por edhe si vendtakim, bashkimin dhe përafrim me njëri-tjetrin.
Edhe pse në kohë pandemie, “Javët e Kulturës Shqiptare në Austri 20-21” edhe këtë vit do të organizohen. Për të shtatin vit më radhë këto aktivitete mbajnë vulën e organizimit të Këshillit Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri.
Me moton “Bukë, kripë e zemër”, “Javët e Kulturës”, vijnë para publikut shqiptarë dhe austriakë për të treguar traditën, bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësinë e popullit tonë.
“Planin për organizimin e “Javëve të Kulturës” e kishim mbaruar para pandemisë. Gjithçka tjetër ishte shumë sfiduese, duke filluar që nga pasiguria se a do të lejohen të mbahen aktivitetet. Situata më e komplikuar ishte nga fakti se sallat do duhej rezervuar. Megjithatë, momenti i relaksimit erdhi kur ne si “Këshillë Koordinues i Shoqatave”, vendosëm që mos të konkretizojmë asgjë deri një muaj para eventeve”, tha Kaltrina Durmishi, kryetare e KKSHSHA-së.
Të merret iniciativë për të organizuar të gjitha këto aktivitete në këtë kohë të pakohë, natyrisht që nuk ishte edhe aq e lehtë
“Të marrësh vendime, duhet të kesh guxim. Kur ke guximin, tejkalohet gjithçka. Ne e kishim guximin dhe vendimi për të organizuar nuk ka qenë i vështirë. Pjesa më e vështirë ndoshta kanë qenë konsultimet më të gjithë anëtarët dhe shoqatat bashkëpunuese, ngase kishte mendime të ndryshme. “Javët e Kulturës” janë bërë institucion në vete dhe do të ishte e dhimbshme nëse kishim qenë të detyruar për t’i anuluar këto aktivitete”, thekson Kaltrina.