MENU
klinika

Fëmijët e shpëtuar nga kampi Al Hol i Sirisë

Kryeministri Rama: Nesër kthehemi në Tiranë. Ky operacion i hap rrugë…

26.10.2020 - 20:02

Pasi u nxorën nga kampi Al Hol i Sirisë, disa fëmijë shqiptarë do të kthehen nesër nga Siria për në Shqipëri.

Floresha Rasha bashkë me tre fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha do të kthehen në vendlindjen e tyre pas disa vitesh në kampin sirian me çadra.

Kryeministri Edi Rama ka takuar nga afër fëmijët, ndërsa tha se Floresha Rasha ka një plagë me armë zjarri.

“Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar më vjen mirë që ia dolëm, kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin e që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj dhe drejtorin e antiterrorit që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme , po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë. Bashkë me fëmijët tani do kthehemi në Tiranë. Kemi ngritur rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar më kujdes. E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët”- tha kryeministri Rama për Top Channel.

Ndërsa i pyetur për Eva Dumanin, kryeministri duke mos dashur të japë shumë informacione tha: Eva është mirë, por janë të komplikuara informacionet.

Por çfarë ndodh më pas?

Rama: Kemi një strukturë që është e organizuar nën masa sigurie, psikologë, mjekë për të bërë analizat, do shohim si do zhvillohen gjërat.

Ndërkohë i pyetur se kur do të fillojë faza e dytë e këtij procesi, me qëllim kthimin e të tjerëve në shtëpi, kreu i qeverisë u shpreh: “Pjesa më e vështirë është ajo për të nxjerrë pengjet, po ashtu është që nuk mund të flasësh, informosh, sepse konfidencialiteti është baza në këtë proces. Nuk është një ndërveprim me një faktor por me shumë. Më vjen mirë të them se ne nuk kemi qenë në gjumë, tani unë nuk mund të flasë për më shumë. Edhe për këta fëmijë deri në momentin e fundit kemi qenë më zemër të ngrirë, ka pasur dy-tre momente te vështira në këtë operacion”.