MENU
klinika

Dëshmia e një të ish-burgosuri

Ku e priti Mehmeti, kolonelin e UDB-së Lekoviç… që u arratis

07.10.2020 - 11:46

Publikohet historia e panjohur e familjes Gjeloshi nga Trieshi i Malit të Zi, nëpërmjet dëshmive të rralla të Zef Dod Gjeloshajt, njërit prej pinjollëve të saj, i cili në janarin e vitit 1950, pas konflikteve që familja e tij pati me regjimin titist, ku mbetën të vrarë disa djem të tyre si dhe ngjarjes kur familja Gjeloshi luftoi për disa orë kundra forcave ushtarake serbo-malazeze, pasi nuk pranoi ta dorzonte një oficer serb (nipi i Gjoko Mirashoviç, “Hero i Popujve të Jugosllavisë” që ka dy buste në Mal të Zi), që u kishte kërkuar besë, ai u detyrua dhe u arratis nga Mali i Zi, duke ardhur në Shqipëri, si emigrant politik. “Stabilizmi” i Zefit në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante të izoluar rreth 800 shtetas jugosllavë me origjinë shqiptare, të cilët për shkak të politikës diskriminuese të regjimit titist ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe krimeve të Rankoviçit ndaj tyre, ishin arratisur dhe kishin ardhur në Shqipëri. Emërimi i Zefit si mësues në rrethin e Lushnjes ku në vitin 1951, Ministria e Punëve të Brendëshme e thirri në Tiranë, ku dy oficerët, Petrit Arbana dhe Vilson Pecani që mbulonin emigracionin jugosllav në Shqipëri, e ngarkuan me një mision sekret, duke e dërguar në Jugosllavi së bashku me kolonelin serbo-malazez, Petër Bllazhoviç, i cili kishte braktisur funksionin e Shefit të UDB-së për Malin e Zi dhe kishte dalë në arrati. Çfarë detyrash kreu Zef Gjeloshaj në Jugosllavi, si përfundoi misioni sekret që i’u ngarkua nga ministria e Brendshme në Tiranë dhe përse ai u dënua me 15 vjet burg në Shqipëri, duke u akuzuar se me dorën e tij kishte vrarë kolonelin e UDB-së?! Të gjitha këto, Zef Dodë Gjeloshaj i ka përshkruar me mjeshtëri në librin e tij, “Zëri i kujtimeve”, të botuar në vitin 2006, me parathënie nga shkrimtari i shquar, “Patriarku i letrave shqipe”, Dritëro Agolli.

Parathënia e Dritëro Agollit në librin e Zef Dod Gjeloshajt:

“Një libër që na vë në mendime”

Çdo njeri është një histori me vete, histori pune dhe lufte, miqësie dhe armiqësie, dashurije dhe urrejtje. Këto janë ngjarje të jetuara, janë përvoja të jetës dhe jetesës, që njerzit nuk i mbajnë për vete, por ua tregojnë shoku-shokut në fshat, në qytet, në shtëpi, në kafe dhe kudo.

Më të çmuarat nga këto histori, përhapen gojë më gojë dhe merren vesh nga një qark i gjerë njerzish. Megjithatë ato, kur nuk shkruhen, firojnë dhe humbin me vdekjen e atyre që i kanë treguar dhe atyre që i kanë dëgjuar. Prandja thuhet se e shkuara mbetet, sido që të shkruhet. Gjënë e shkruar, as uji nuk e mbyt, as zjarri nuk e djeg.

Zef Dod Gjeloshaj e ka këtë fat që i tregon dhe i shkruan ngjarjet e jetës së tij dhe për të tjerët që të mbeten të paharruara.

Njeri me përvojë të madhe jetësore dhe shumë të ndërlikuar, njeri që ka shkrirë përvojën me kulturën dhe nga kjo shkrirje, ka fituar mënçurinë. Ky njeri me emrin Zef Dod Gjeloshaj, na jep një libër të rrallë me kujtime nga jeta e tij, në marrëdhëniet me jetët e të tjerëve, të miqve dhe të kundërshtarëve të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, dhe mbi të gjitha, të atdhedashurisë dhe gjoja atdhedashurisë.

Në këtë libër kujtimesh ai kujton peripecitë e tij, që fare i ri drejt rrugës së të vërtetës, pasi në rini barazonte idealin me atdheun dhe këtë e quante të vërtetë. Ky konceptim i së vërtetës, pastaj i kushtoi shumë! Siç shkruan në kujtimet e tij, si arratiset nga trevat shqiptare të Malit të Zi, vjen me mall në Shqipëri, ku e bëjnë veprimtar të Informbyrosë, organizatës ndërkombëtare të udhëhequr nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, për triumfin e socializmit në botë.

Me këtë mision, i riu Zef, dërgohet përsëri në Jugosllavi për të mbledhur të dhëna që do të shërbenin për rrëzimin e Titos dhe regjimit të tij. Mos harrojmë se jemi në vitin 1951, kur Shqipëria kishte dy-tre vjet që ishte prishur me Jugosllavinë e Titos, si gjithjë Kampi Socialist, kur Zef Dodë Gjeloshaj ishte një djalë 20 vjeçar, sa unë, por ai në Informbyro, unë ende në gjimnaz në Gjirokastër.

I fortë ky Zefi.

Por unë nuk kam qëllim që të përtsëris në këto shënime ato që janë në librin e Zef Dodë Gjeloshajt, unë dua të vërtetoj atë mendim, që përmënda pak më parë, se në rininë tonë ne barazonim idealin me atdheun! Kështu djaloshi Zef, mendonte se veprimtaria e tij në Informbyro, ishte punë atdhetare, ashtu siç e mendoja dhe unë. Veçse dua të them se Zefi, për këtë nocion historik, është treguar mjaft i mënçëm, për këtë le të citojmë një paragrah nga libri i tij, ku flitet për një takim të veprimtarëve të Informbyrosë, me Çuvahinin, ambasadorin sovjetik, dhe Mehmet Shehun, aty nga fundi i vitit 1951.

“Si për të zezën time, unë më i riu nga mosha, i’u drejtova me një pyetje gjeneralit, Çuvahin! “Shoku gjeneral, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Bolshevike, shoku Andre Vishinski, në një mbledhje të Kominternit, tha: ‘Titizmin do ta zhdukim, por Federatën Jugosllave do e ruajmë. Po qe kështu, ne shqiptarët nga Ulqini dhe Tivari, e deri në luginën e Vardarit, çfarë do të fitojmë”?!

Pa u menduar fare, Çuvahini tha: “Këtë e ka thënë shoku Stalin”. Gjeorgjiani tundi kokën në shenjë aprovimi, ndërsa Mehmet Shehu, i nevrikosur siç ishte nga natyra, m’u drejtua mua: “Ti nuk je çliruar akoma nga pikpamja nacionaliste borgjeze. Ti nuk e paske të qartë se në ç’shekull jetojmë”! “U shqetësova, por jo aq sa të mendoja se ato pyetje do të më kushtonin rëndë në fatin e jetës sime”

Zef Dodë Gjeloshaj me mjeshtëri në librin e tij i jep këto prita në rrjedhën e rrëfimit, prita që mundohen të pengojnë liqenin e dashurisë për atdheun. Megjithatë, për atdheun pikëllohesh, por nuk zemërohesh. Zefi siç e gjykoj unë, ka menduar në kohën e zhgënjimeve, se shteti nuk është gjithmonë atdhe.

Në rrëfimin për jetën e tij, Zef Dodë Gjeloishaj pa rënë në litteraturizëm artificiale, e zotëron mirë mjeshtërinë e kurthit për të kapur lexuesin, zotëron atë që unë do ta quaja zëmbërek, si të orës për të mos mbetur pa kurdisur, me një fjalë, që ngjarja të shkojë përpara, që lexuesi të bëhet kurioz e të thotë: çfarë do të nmdodhë me tej?

Ai që në faqet e para të librit, kur tregon për jetën e tij si nxënës i gjimnazit të Pejës, thotë se e ndiqnin njerzit e Sigurimit jugosllav, ata të UDB-së. për këtë Zef Gjeloshaj shkruan:

“Filluan goditjet kundër meje në Gjakovë. Po arrija në përfundimin se nuk dija shumë. I shkreti Sokrat, përse nuk ma la një racion helm nga ai që piu vetë, kur e dënuan me vdekje për blasfemi, grupi i tiranëve të Athinës”?!

Dhe më tutje ndodhën shumë ngjarje, shumë peripeci, shumë dëshpërime dhe gëzime. Me një gjakftohtësi të çuditëshme, ai i jep ngjarjet tragjike, si ajo e helmimit në burgun e Tiranës,, por kjo është gjakftohtësi e revoltës, që thërret të burgosurit e tjerë: ruhuni ju, se mua më helmuan!

Libri i Zef Dodë Gjeloshajt, këtij njeriu që rrjedh nga një familje e madhe, fisnike dhe patriotike, tregon lindjen dhe pjekurinë e një njeriu.

Ky libër nuk është shkruar në formën e një kronologjie të mërzitëshme, por një lëvizje të çuditëshme brenda kronologjisë. Autori, fjala vjen, edhe kur ngjarjen e vendos në vitet ’50 të të shekullit të kaluar, ka ndërhyrje për ditët tona, edhe kur rrëfen për një vënd, ku ka shkuar, na kujton historinë e këtij vëndi.

Me librin e tij, Zef Dodë Gjeloshaj shquhet për një kulturë të gjerë letrare, filozofike dhe patriotike. Kjo e bën që t’i rrëfejë në libër me urtësi të veçantë ndhe me ndjenjë admiruese humane edhe ngjarjet më tragjike të jetës së tij.

Zef Dodë Gjeloshaj, me përvojën dhe kulturën e tij, e di se, përveçse shqiponjës së flamurit, të gjitha shqiponjat e tjera, bëjnë glasa…!

Dritëro Agolli

13 dhjetor 2006

Vijon nga numri i kaluar

Pjesë nga libri “Zëri i kujtimeve”, i Zef Dodë Gjeloshaj

Takimi me kolonelin Lekoviq të UDB-së në burgun e Tiranës

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, një natë më ftoi i dënuari, kolonel, Velisha Lekoviq. Pa vonesë ai hyri në temë: “Për heroizmin dhe tragjedinë e familjes suaj, jam njohur si i gjithë Mali i Zi, e kam marrë vesh edhe unë nga shtypi. Kam respekt për familjen tuaj dhe për ju personalisht. Jam Velisha Lekoviq, ish-kolonel i UDB-së qëndrore të Jugosllavisë, zëvëndës i Aleksandër Rankoviçit, për disa sektorë. Kam kryer shkollën e lartë të KGB-së në Moskë, ndërsa gjatë Luftës kam qenë periodikisht disa herë edhe pranë Shtabit ushtarak të Josif Broz Titos. Aty kam takuar edhe djalin e Çërçillit, kryeministrit britanik, Rudolfin, për të cilin kujdesesha më shumë se për Titon. Qysh atëhere, ne dërguam zbuluesin tonë, S.M. nga Mali i Zi, në prapavijat e pushtuesëve italianë. Pastaj e caktuam në “vëndin e pëllumbave”, si Drejtor të Turizmit, për diplomacinë. Në vitin 1950, S.M., doli “i arratisur” në Shqipëri, ku u burgos dhe u dënua me dhjetë vite heqje lirie. Unë jam nga Gërmica e Malit të Zi, anëtar partije që në vitin 1919. Në fund, para një viti e ca, meqënse isha besnik i Partisë Bolshevike dhe i Stalinit, ju kundërvura dyshes Tito-Rankoviç. Në këtë situatë, në fundin e viteve ’50-të, u detyrova që të arratisem në Shqipëri, duke kaluar kufirin në sektorin kufitar të Bunës”.

“Koloneli Lekoviq: Më takuan Mehmet Shehu me disa oficerë të Ministrisë”

“Kur u dorzova në Postën Kufitare, më pritën në mënyrë të zakonëshme, por kur morrën vesh se kush isha, menjëherë më vunë në dispozicion dy oficerë. Nuk kaluan shumë orë dhe në post-komandë, mbërriti e gjithë kryesia e Ministrisë së Brendëshme, me në krye Mehmet Shehun. Më puthën dhe më përqafuan sikur të isha babai i tyre dhe me shumë makina u nisëm drejt Tiranës. Drejtuesi i automjetit ku unë u ula, ishte vetë, Mehmet Shehu. Më vendosën në një vilë të veçuar të Tiranës, nga ato të caktuara për qeverinë. Më vunë në dispozicion roje, kuzhunier dhe sanitare. Më thanë se shumë shpejt do të krijohej mundësia që të takoja personalisht, Enver Hoxhën. Pasi u shplodha dhe pushova, i rrethuar nga të gjitha komoditetet, erdhën grupe të specializuara të Sigurimit të Shtetit, që të merrnin të dhëna nga unë. Por unë ia preva shkurt: ‘Unë si një nga funksionarët më të lartë të UDB-së qëndrore, të gjitha mësimet, strukturën dhe metodat i kam marrë nga KGB-ja sovjetike. Prandaj të gjitha sekretet ia besoj vetëm atyre, kur të shkoj në Moskë’. Ata të Sigurimit, ngrinë në këmbë, duke më thënë: ‘Ne dhe Moska jemi një. Bashkimi Sovjetik, Shqipërinë e ka vendin më besnik në Evropë’. Por unë ngula këmbë:‘Dakord jam me thëniet e juaja, por unë jam betuar, sekretet, vetëm Moskës’! Të nesërmen më çuan në takim me ambasadorin sovjetik. Na lanë vetëm, mua dhe titullarin e ambasadës. Kur unë i’a sqarova situatën e krijuar, ambasadori m’u drejttua mua: ‘Për strukturat dhe metodën që ke marrë nga KGB-ja, (dhe me dy gishtat e dorës i puqi e bashkoi buzët), që do të thoshte: qepe, mbylle gojën, për të tjerat bëj çfar të duash. Me kyçjen e gojës sime, udhëheqja u tërbua nga zëmërimi. Menjëherë ndërruan sjellje dhe qëndrim. Më hoqën nga vila me të gjitha privilegjet. Mbas disa ditësh më arrestuan dhe më dënuan pa asnjë fakt, si trockist jugosllav, me dhjetë vite burg”.

Në moshë të thyer dhe i dobësuar me një shëndet të ligë, ku i rezistoi 10 viteve burg, doli gjallë pasi plotësoi ditë më ditë dënimin dhe u kthye në Jugosllavi.

“Nga burgu i Tiranës, i shkruaja Enverit dhe Mehmetit”

Në gjysmën e dytë të vitit 1953, me një grup të dënuarish më çuan në kampin e punës në Tiranën e Re. Në krahasim me kampet e tjera famëkeqe, ky vend ishte një parajsë. Kisha një dobësi të madhe, falë doktorit të dënuar, Ilia Zëri, pas një vizite që më bëri dhe këshillave të tij, ndjeva një lloj përmirësimi. Në kamp punonim e ndërtonim me mjete rrethanore shumë primitive. Pallatet “Agimi”, i kemi ndërtuar, nën peshën e dhunës, ne të dënuarit nga shteti monist, ku shumica e këtyre të dënuarve ishin të pafajshëm. Por unë nuk rrija rehat. Protestoja për dënimin me fjalët më të ashpra, duke thënë se dënim si timin, me karakter fashist, pa asnjë fakt, zor se ndërrmerte Franko ose Hitleri. Dhe kujt i’a drejtoja letrat? Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës! Një ish-diplomat, me të cilin u miqësova, se punonim bashkë më këshillonte: ‘Mos bëj protesta me këtë fjalor kaq të ashpër dhe fyes, se këta nuk të durojnë, madje mund të të dënojnë përsëri’. Por unë nuk e dëgjoja këshillën dashamirëse të mikut tim, diplomatit të ditur, Kosta Meksi. Vuajta afro 11 vite, pa më falur as edhe një ditë të vetme!

“I burgosuri nga Kukësi vdiq në makinë dhe trupin e hodhën në kanal”

Në dimrin e vitit 1954 erdhi lajmi për transferimin e disa të burgosurve nëpër kampe të tjera. Në këtë grup isha dhe unë. Erdhën dhe na morën natën, duke na hypur në makina të mbyllura pa dritë dhe me pak ajër. Nata na zuri në kampin e Shtyllasit në Fier. Aty ishte balta deri në gju dhe me këtë rast më humbën edhe këpucët e vetme që kisha. Nuk e imagjinoja veten në baltë zbathur. Na dhanë për darkë një supë me patate të paqëruara. Të nesërmen na morën për të na degdisur më larg. Bashkë me mua ishte dhe një burrë nga Shishtaveci i Kukësit, që kishte qënë xhandar në kohën e Zogut. Mbiemrin e kishte Maloku. Kur arritën në Kafaraj të Fierit, ky person kishte vdekur, ndërsa trupin e tij e hodhën kanaleve të mbushura me baltë. Edhe në oborrin e këtij kampi, balta ishte deri në gju. Dy nga personat më me autoritet në këtë kamp ishin: Ramadan Çopja nga Kavaja dhe Sotir Shima nga Durrësi. Komandant ishte një me mbiemër Kapinova, ndërsa Operativ Sigurimi ishte minoritari Jorgo Kareco. Komisar i kampit ishte toger, Rexhep Gremi, nga Myzeqeja një djalë i urtë dhe i sjellshëm. Midis shumë oficerëve të kampit më kujtohet toger Yzeiri, që merrej me komandën e rojeve. Në këtë kamp kishte dhe shumë robër grekë që trajtoheshin më mirë se ne. Ata dhe ne punonim me orë të tëra duke hapur kanale në sektorin e Vjosës dhe Levanit. Ishte një punë e rëndë dhe kush nuk bënte normën, e lidhnin tek një pemë dardhe, ku e linin për gjithë natën. Midis njerëzve të mirë në këtë kamp, ishin dy mjekët, i shqiptarëve dhe i grekëve, i quajtur Dr. Serafini. Serafini nuk merrte parasysh urdhrat e komandës dhe i jepte raporte mjekësore për pushim shumë të burgosurve. Një ndër ata që përfitova isha dhe unë, sepse më ishin fryrë këmbët. Unë bëra protestë që të më sillnin çizme, por asnjë nga komanda nuk e çau kokën. Megjithatë nga Llakatundi i Vlorës më erdhi vëllai, Martini, së bashku me kushërinjtë dhe më sollën rrobat. Ai jetonte me familjen në kushte të vështira, në një kasolle që ça binte nga jashtë, i hynte brënda. Aty i vdiq dhe djali i vetëm. Ai së bashku me Kol e Mark Arapajn, më sollën çizme çeke dhe kështu shpëtova.

“Inspektorët sovjetikë erdhën për të parë kushtet në kampin e Shtyllasit”

Kushtet në kamp ishin tepër të këqija dhe sa herë binte shi dhe fillonte balta, shpërthenin dhe nevojtoret. Ai ujë na hynte brënda kapanoneve. Kushtet e vështira morën fund kur një grup inspektorësh sovjetikë të dërguar nga Hrushovi, erdhën dhe panë kushtet e mjerushme në të cilat ndodheshim. Ata kishin mbikqyrur dhe gulagët e famshmëm të Siberisë, por kur erdhën tek ne u skandalizuan. Të nesërmen e inspektimit, balta nuk u pa më. Më pas, ky kamp u transferua në Gjonç afër Vjosës, ku duhet të hapnim kanale të thella me krahët tona. Aty më kanë qëndruar afër Luigj Kaçaj, Ndue Lumi, Lazër Radi, etj. Pas Gjonçit na çuan në Radostimë të Fierit, ku komandant ishte një i njohuri im nga Elbasani, i quajtur, Beqir Bahja. Nga ky komandant nuk u qa asnjë i burgosur. Nga Radostima na transferuan në Tërbuf ku komandant ishte, Vangjel Rrëmbeci nga Korça, ish komandant i burgut të Burrelit. Ky, ishte i ashpër dhe fanatik i rregullave, mirëpo komisari, Novrus Sulo nga Hekali, ishte njeri i mirë dhe bënte muhabet me të burgosurit, sidomos me Qemal Voglin.

“Akademiku Shaban Basha nga Peja, i Luftës së Spanjës, në burgun e Tiranës”

Në vitin 1958 në bazë të një raporti mjekësor u ktheva nga Tërbufi, në burgun e vjetër të Tiranës. Tashmë jabanxhinjtë i veçonin në një dhomë të madhe, që të mos komunikonin me të tjerët. Ushqimin e kishim më të mirë, madje dhe me disa grimca mishi në vaktin e drekës. Përshpëritej sikur po hartohej lista për të kthyer në Jugosllavi, një pjesë të burgosurve që kishin lidhje të përkohshme pune e banimi brënda kufijve të këtij shteti. Unë protestova nëpërmjet një letre dërguar qeverisë ku i thoja që të mos më quanin jugosllav. Në këtë dhomë të veçantë kishte kosovarë, malazezë, maqedonas, si dhe dy grekë. Unë u miqësova me akademikun dhe poliglotin, Shaban Basha nga Peja. Ky njohës i pesë gjuhëve të huaja, kishte qënë komandant batalioni dhe shok me Mehmet Shehun në luftën e Spanjës. Në vitin 1945, jugosllavët e dënuan me vdekje. Theu burgun e Pejës dhe u arratis maleve, ku e mbajtën patriotët e rugovas. Në 1948 arratiset në Greqi, por kapet nga partizanët grekë dhe dorëzohet në Shqipëri. Zbulimi Shqiptar i kërkonte emrat dhe bazat ilegale në Kosovë. Por ai ua tha troç, që nuk ua tregoj emrat e tyre pasi, ju i tregoni ata tek jugosllavët. E dënuan patriotin Shaban, me 20 vjet burg. Pasi u lirua nga burgu, iku në Pejë ku qëndroi pranë familjes. Në këtë dhomë ishte një tjetër kosovar nga Prizreni, i quajtur Qazim Bllaca. Babain e tij e kishin vrarë xhandarët e Krajlit, sepse ai ishte deputet i shqiptarëve dhe nuk i shërbente interesave të serbëve. Ai ishte shkolluar për Drejtësi jashtë shtetit. Në kohën e pushtimit nazi-fashist, shërbeu si zv/ministër i botores për tre muaj. Në 1945 u burgos nga jugosllavët të cilët e dorëzuan në Shqipëri. U dënua me 25 vjet burg. Në Kosovë i persekutuan familjen, madje e fejuara e tij u martua me Fadil Hoxhën.

“Udbashët e burgosur në Shqipëri, morrën zëmër pasi Enveri u takua me Tempon”

Udbashët e burgosur në Shqipëri kishin marrë zemër pasi kishin mësuar se Hoxha, me ndërmjetësinë e Hrushovit, ishte takuar me Tempon. Oficeri i UDB-së H.V. bënte plane se çfar do bënte me kosovarët kur të kthehej në Jugosllavi. Në listën e zezë që duheshin pushkatuar para se të riktheheshin në Jugosllavi ishte dhe Cafo Beg Ulqini. Këto plane të udbashëve, u morrën vesh nga Mile Ristiç dhe Ismail Vokshi, të cilët i shkruan letër Ministrit të Brëndshëm, Mehmet Shehu. Nuk u mor vesh se çfar u bë më pas, por planet e tyre fatmirësisht nuk u realizuan. H.V. si oficer i UDB-së, kishte persekutuar shumë familje shqiptare në Kosovë, u hodh në krye të një bande terroriste në zonën e Dukagjinit. Në vitin 1950 në Shqipëri u vlerësua rrezikshmëria e kësaj bande dhe për shpartallimin e saj u mor vetë ministri Mehmet Shehu. U arrit deri aty sa të kapej rob H.V. Ai u thye para hijes së rëndë të tij dhe pranoi bashkëpunimin me Zbulimin Shqiptar. Ai u dërgua me mision në Jugosllavi, por kur e panë që luante dyfish, e rikapën dhe e dënuan me 25 vjet. Pas lirimit nga burgu e çuan në Jugosllavi. Ata e nisën me mision përçarës në diasporën shqiptare në SHBA, por sapo zbriti atje, u njoh dhe u diskretitua. Më pas u njoha dhe me një grek që quhej Vasil. Ai më dëgjonte me vëmëndje, kur i flisja për kulturën greke. I thashë që kisha njohur heronjtë e rezistencës greke, Niko Bellojanis, që u vra pabesisht në Athinë dhe Manolis Glezosin. Ai nisi të më tregonte se kishte qënë Shef Zbulimi në repartet e EAM, ELAS pranë gjeneralit Markos. Ai më thoshte se gjatë vizitës së Churchillit në Athinë, ishte infiltruar në grupin pritës të tij. Churchilli, ishte shprehur që: më kot e kanë komunistët grekë që rezistojnë. Greqia do u ngelet anglo-anerikanëve, pasi kjo është vendosur në Jaltë nga Stalini, Ruzvelti, dhe unë. Sapo ai mbaroi fjalimin, pranë tij ra një predhë por ai nuk u tremb. Fill pas ikjes se Chruchillit për në Angli, lufta në Greqi u ndez flakë, nga armatimet britanike dhe amerikane. Ne më kot rezistonim në vënde të fortifikuara në malin e Gramozit. Rusët tërhoqën në Moskë gjeneralin Markos, fati i të cilit ende nuk dihet. Lufta u humb dhe mbi 50 mijë partizanë të rraskapitur u strehuan në Shqipëri.

“Nga burgu i Rinasit në Tiranën e Re, ku punoja me Zef Malën dhe Hasan Ginën”

Nga burgu na çuan në punë për të ndërtuar aeroportin e Rinasit. Atje punova me dy shkodranë V.DH. dhe B.C. Bashkë me ta na akuzuan sikur gjatë shkarkimit të thasëve, i kishim thënë shoferit të na nxirrte jashtë burgut, se do ta shpërblenim! Kjo ishte e pavërtetë dhe neve na shpërndanë në kampe të ndryshme. Mua më çuan në Tiranën e re, ku punova me Zef Malën, Hasan Ginën, Hafiz Dodën, etj. Pas disa muajsh më çuan në Kombinatin e Mishit, në periferi të Tiranës, ku gjeta inxhinierin nga Korça, Dhimitër Morçka dhe tregtarin tiranas, Xhahid Toptanin, të dy miqtë e mi. Më 24 prill 1963, plotësova dënimin dhe u lirova. U ktheva në Tiranë dhe duke qënë i qartë për pasojat e burgut, u takova me zyrtarë të degës së emigracionit dhe me ata të Ministrisë së Arsimit. U vura kusht: o të punoja arsimtar, ose të riatdhesohesha në Jugosllavi. Riatdhesimi im atje nuk u interesonte atyre, sepse e dinin ndikimin e familjes sime atje. Më në fund ministri i arsimit, Thoma Deljana, ma miratoi kërkesën time./Memorie.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit