MENU
klinika

Kopertina e "veprave ruse"

Kur Fishta maskohej si sovjetik; librat e kamufluar të diktaturës

25.10.2020 - 19:18

       Fundjava po mbyllet me përkujtimin e jetës dhe veprës së atdhetarit, humanistit, shkrimtarit të madh shqiptar, Gjergj Fishta. Ndërsa aktivitetet që nisën me restaurimin e plotë të shtëpisë së poetit në Fishtë dhe çeljen për vizitorët, në qendrën e librit u mbajt konferenca e përvjetorit të këtij personaliteti poliedrik 

Qarkullon një legjendë se në vitet 1980, Petro Marko thoshte se Fishta është një elefant mbuluar me hi. I ndaluar e i mohuar gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, poeti klerik, arkitekt, shkrimtar e dramaturg rizbulohet tashmë përmes kujtimesh e dromcash të fshehura.

Gjergj Fishta në 149-vjetorin e lindjes, vjen përmes dëshmish e kujtimesh të atyre që ia ruajtën veprën, qoftë edhe duke e maskuar si sovjetik.

“Kjo shkruan literaturë sovjetike, një libër i tim eti, Mark Ndoja, që ka qenë nxënës i Fishtës dhe në fakt është ‘Anzat e Parnasit’. Ky libër ka qarkulluar në Shqipërinë komuniste me kopertinë të letërsisë sovjetike. Ky është libër i 1937, mund të jetë kopja e parë e lahutës me dorëshkrimin e Fishtës që babai im e kishte idhur dhe është dënuar për të. Në këtë formë qarkullonin librat në atë kohë, me kamuflazh”, tha Leka Ndoja.

Vitet e ndalimit, patën vetëm rrekje për ta përbaltur.

Ndoja tregoi rastin kur iu kërkua Fatos Arapit në vitet 1960, që të trajtonte Fishtën me sens negativ. “Arapit ju mbushën sytë me lot, qante për Fishtën. Nuk pranoi dhe e hoqi nga puna se nuk pranoi Manush Myftiu”, tregoi Ndoja.

Në konferencën e mbajtur nga Qendra e Librit me rastin e përvjetorit, u nxorën në pah, jo vetëm vlerat e figurës poliedrike të Fishtës, por u dhanë edhe përgjigje mbi pikëpyetjet që e shoqëruan ndalimin e tij nëpër dekada.

Alda Bardhyli tha se Fishta është joshje prej pasurisë që i la gjuhës.

Ndërsa për Kolec Çefën, disa e kanë dashur e disa jo, por Fishta nuk mund të përkthehet në gjuhë letrare. “Me Italinë s’ishte për opurtunitet, ndryshe nga si duan ta trajtojnë, ai ishte me Italinë sepse Italia donte shtet shqiptar”.

Zhdukja e veprave u ndoq nga zhdukja e eshtrave, por figura e tij, mbeti e pashlyeshme në kujtesën e brezave që i mëkoi me dashuri për vendin dhe kritikë për klasën politike.

Mes vargjeve të papërkhyeshme të shqipes fishtiane, në pamundësi të veçosh, “Shqypnia” është leximi i sotëm:

Shqypnia

Edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !

Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,

Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,

Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,

Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.

Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,

N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,

Bjeshkë e male të blerueme

Si vigâj shtiellen n’ ajrí.

Ke ato bjeshkë e ke ato male

Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,

Tue rrëmbye npër mriza hale,

Gurgullojn npër râjë e curra.

Mbi ato male e bjeshkë kreshnike

Léjn mande’ ata djelm si Zâna,

Armët e t’ cillvet, përherë besnike,

Janë përmendë ndër fise t’ tana.

Atje léjn, po Toskë e Gegë,

Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:

Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,

Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.

Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,

Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,

Rijtun gjakut kah çeliku

N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.

Ato male të madhnueshme,

Ato, po, kanë mûjtë me pá

Se sa forca e pafrigueshme

N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.

Dridhet toka e gjimon deti,

Ndezen malet flakë e shkndija,

Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,

Atje rrmben kû e thrret Lirija.

Lume e shé para atij ngelin,

I a lshojn udhën dete e male;

Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,

Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.

Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,

Ngrehe ballin si mbretneshë,

Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,

Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,

Qi zanát ka besë e fé,

Për Lirí, për fron të Mbretit

Me dhânë jetën ka bâ bé.

Sy për sy, po, kqyr anmikun;

Përse djemt, qi ti ke ushqyue,

S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:

Friga e dekës kurr s’ i ka thye,

Kaq të bukur, kaq të hieshme

Perëndija t’ fali i Amshueshëm,

Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:

N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.

Po, edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !

Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

E me dije e me Lirí

Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit