MENU
klinika

LeBron James, MVP me 3 ekipe të ndryshme

Lakers shpallen kampionë pas një dekade në NBA

12.10.2020 - 09:24

Skuadra e Los Angeles Lakers është shpallur kampione e NBA-së për sezonin 2019-2020. Ekipi kalifornian fitoi sot 106-93 ndeshjen e gjashtë finale play off ndaj Miami, duke fituar 4-2 serinë e takimeve.

Për Lakers ky është titulli nr.17 në historinë e tij. LeBron James, që sot realizoi 28 pikë, 14 rebound e 10 asist, jo vetëm ishte lojtari më i mirë, por u shpall edhe MVP i finaleve.

Një titull që skuadra ia dedikoi Kobe Bryant, i ndarë nga jeta në janar të këtij viti. Ndeshja e sotme u dominua nga skuadra e Lakers, që u shkëput deri në 30 pikë, duke mos i dhënë asnjë shans Miami të rivalizojë. Te Lakers, përveç LeBron, u dallua edhe Anthony Davis, me 19 pikë e 15 rebound, një dyshe që bëri diferencën këtë sezon.

LeBron James u bë basketbollisti i parë në historinë e NBA-së që fiton titullin kampion dhe njëkohësisht shpallet MVP me 3 skuadra të ndryshme. James është shpallur kampion dhe ka fituar trofeun MVP me Miami Heat, me Cleveland Cavaliers dhe së fundi me LA Lakers. Për “king James” ky është titulli i katërt kampion në NBA: 2 me Miami, 1 me Cleveland dhe 1 me Lakers.

Skuadra e Miami ishte e pafuqishme sot, duke mos dhënë atë që pritej. Butler, që dy ditë më parë ishte lider në fushë për Miami, sot realizoi vetëm 12 pikë, ndërkohë që Adebayo ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë e 10 rebound, por të pamjaftueshme.