MENU
klinika

Copëza dashurie "me dialekt"

Letërkëmbimi i dëlirë mes Dritëroit dhe Sadijes

31.10.2020 - 18:25

        Një dashuri e dokumentuar po me kujdesin që kishin për njëri-tjetrin. Dritëroi dhe Sadija e tij, shkëmbenin letra të shpeshta, në pritje për t’u bashkuar në të njëjtën çati. Janë fjalë shumë të sinqerta dhe shprehen, herë me drojë e herë, me guximin nga malli për njeriun që do të doje ta kishe pranë, përballë, teksa mendimet shkojnë veç aty./Konica.al

 

(17.X.1964)

 

E dashur Sadije,

E kështu, tani do të pajtohemi, se tërë këtë javë jemi grindur. Edhe unë nuk jam sjellë mirë. Për atë që më thua ti në letrën tënde të rreptë se gjoja unë gabohem po të mendoj që nuk ka njerëz të mirë nga punëtorët, është një paralajmërim krejt i kotë. Unë kurrë nuk mund të mendoj një gjë të tillë, po gjithëmonë pikërisht punëtorët më janë dukur më të mirë edhe nga vetja ime. E në përgjithësi unë për njerëzit kam mendim të mirë. Unë kur u njoha me ty nuk të thashë që më merr mua, se jam më i miri dhe të tjerë s’ka të mirë. Kjo duhet të të bënte ty jo të më duanje, por të më neveritnje. Pastaj në dashuri nuk ka kontratë: në qoftë se unë t’u bëra i mërzitshëm dhe i lik, ti mund t’më thuash lamtumirë. Sikur të mendonja se tani Sadija iku nga unë e mbaroi puna e saj, s’ka njerëz të tjerë të mirë, do të isha jo vetëm budalla, por edhe qen bir qeni.

Tërë këtë javë nuk e kam ndjerë vehtën mirë. Këtë letër po ta shkruaj në fund të javës, të shtunën. Kam qënë edhe i lodhur, edhe shpirtërisht i sëmurë. Letra jote më ka bërë shumë përshtypje. Unë e di që ti më do edhe se shkruan kështu, bile këtë e bën nga dashuria, po mua më çqetëson diçka tjetër. Ndonjë sjellja ime mjaft e lirë dhe e çkujdesur bën shumë përshtypje tek njerëzit që më njohin. Atëherë sjellje të tilla të mijat ekzagjerohen, kalojnë nga goja në gojë e vijnë deri te veshët e tu. Ti mërzitesh nga këto thashetheme, vuan shpirtërisht, mundohesh me vetëvehten. Prandaj këtej e tutje unë në Shkodër do të mundohem të sillem krejt si zyrtar, edhe në kafene kur të jem, do të pij limonadë, kafe dhe do ha një karamelkëzë.

Këtë të shtunë më ka marrë malli më tepër se çdo herë tjetër. Mirë thonë që grindjet rastis që ta shtojnë më shumë dashurinë.

Librin e daktilografova. Të hënën e jap në ndërmarrje të botimit. Sonte do t’i gjej një titull. Kam ca tituj në kokë, po nuk më pëlqejnë.

Ç’të bëj tami? S’më mbetët gjë tjetër veçse të të puth me mall e dashuri kësaj të shtune të ftohtë.

Dritëro.

Një letre që të dërgova me Janin mos i vër shumë rëndësi, se isha i nxehur.

 

(17.XII.1964)

E dashur Sadije,

Kjo është letra e fundit për 1964-ën. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964-ës. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak filozof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë?

Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë e i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak.

Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Une jam ngaherë edhe burri edhe i dashuri yt.

 

Shkodër, (2.II.1965)

 

I dashtuni im,

Më fal që të kam shkrue në atë mënyrë. Mos e lexo dy herë, mos mbaj në mend asgjë nga ato që të kam shkrue. Ajo letër s’ka të bajë me dashuninë që ushqej për ty. Jam mësue keq, unë rrallë kam mendue vetë për të zgjidhë ma të randësishmen në jetë. Gjaja e vetme që përfundova pa ndihmën e të tjerëve deri në nji farë vendi, asht fejesa e ime me ty. Gjithmonë, për çdo gja kanë mendue të tjerët, ato që më donin. Kjo asht e meta e ime ma e madhe që kam unë. Të kujtohet sa nevrike isha ba në kohën e celebrimit. Kështu bahem edhe kur ndeshem me gënjeshtrën, me burokracitë e njerëzve. Due që ta zhduk këtë të metë, po nuk mundem. Ka të drejtë motra kur më thotë se për disa gjana të jetës kam mendjen e një 15 vjeçareje. Ajo atëherë ma tha në inat e sipër, po unë tashti e ve re, se ka pasë të drejtë.

Ja të shkrova ato marrëzi nga fjalët e ndryshme që ndëgjova, nuk mendova ma thellë se sa mund të vrasin ato që të kam shkrue kur je larg meje. Por ti kujto se Sadija asht ndonjiherë budallaqe dhe pendohet ma vonë kur kupton budallallëkun.

Të shkrova ashtu nga që kisha frikë se mos ftohem nga ti kur të lindin edhe nevoja e të hollave. O, unë s’due të mendoj hiç për ato. Sa mirë që kemi Xhexhenë, se unë do ta baja lamsh shtëpinë. Ai konvikti i 4 vjetëve më vjejti shumë, por ja prapë jam midis këtyne që më dojnë dhe që më plotësojnë çdo dëshirë.

Dikur, kur isha e re shumë, kur shihja dashninë dhe kujdesin e madh të prindërve mendoja t’ua shpërbleja tue punue për ato, ose tue i ndihmue në mënyra të ndryshme. Por andrra e ime nuk u plotësue.

Në vend që t’i ndihmoj, vazhdojnë ato të më ndihmojnë, vazhdojnë të më plotësojnë çdo dëshirë që çfaq. Ja pse të shkrova atë letër. U frikësova tue mendue se edhe burri im nuk mendon shumë për disa çështje që do të lindin ma vonë. Asnjiherë nuk kam mendue për atë që veshëshe të re në trup, por tashti jam pak a shumë afër këtyne gjanave dhe s’di se si kam një frikë. A do të di unë vetë, kur të jem krejt e pamvarun të veproj si duhet. Lenin dhe Verin që i kisha shoqe të ngushta, më këshillonin për çdo gja. Po tashti, kush do të jetë këshilluesi i im. Nanën s’do ta kem pranë, as Verin, as Lenin. Do të thuash ti më ke mue. Deri në një farë vendi, i dashtun. Më vjen inat që jam rritë në nji ambjent që nuk din ç’asht djallëzia, që beson në të mirën, në paragjykimet.

I dashtun, ti dikur më ke thanë, s’kam hasë njeri të tillë që të ketë kaq nevojë për dashuni. Kjo ashtë e vërtetë. Bile më duket e çuditshme që një njeri të më urrejë. Mue ndonjiherë më lind ideja se do të vdes, edhe tashti e ndiej këtë. Nuk e kuptoj as unë se si më vjen ndonjiherë, kërcej nga një gëzim i mbrendshëm, i due të gjithë që shoh, çdo qenie.

Më dhimbset ndonji që vuen.

S’di si jam i dashtun, por ty të due ma shumë se të gjithë, megjithëse edhe prindët i due shumë. Dritëro, kam frikë se ndonjëherë do të mërzitesh prej meje, sa do të vuej unë atëherë.

Tashti ora 7 e mbrëmjes, nuk kam dal hiç nga shtëpija. Fryen nji erë e ftohtë shumë jashtë. Nana po më lut të ha ndonji gja, se në drekë nuk kishe oreks.

O Zot, them, po ma vonë si do ja bëj. Ishalla kur të vi tek ti, s’do jem kjo. Ti vetë më ke paralajmërue se unë nuk jam i kujdesshëm ndaj grave. Po s’ka gja unë të due sido që të jesh. Njeni prej nesh do të ndryshojë se nuk ban. Si thue ti, a kam të drejtë? Më thuej po. Letrës i erdhi fundi, si nji hartimi të zgjatun sentimental me nji temë të lirë.

 

(8.I.1965)

 

E dashur Sadije,

Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prap tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem, edhe pa marrë biletën them me vehte: sikur të mos ketë bileta e të ik pasdite!

(megjithëse duhet ikur në mëngjes.)

Nesër ti do të fillosh punën. Mos u nevrikos e mos u mërzit. Katër muaj pune ikën shpejt. Nesër unë do të bëj lutjen për të të rregjistruar në Tiranë. Ka çaste kur ti për mua çfaq ndonjë dyshim se vallë të dua aq shumë, dhe se unë kushedi se ç’mendoj. Ç’budallaqe bëhesh! Unë pa ty nuk mund të marr me mend jetën. Nuk e sheh ti? Mund të bëhem dot unë artist e të luaj rol? Ja tani rri pas mangallit, dua ta shkruaj atë artikullin që e lashë në Shkodër, po s’mundem, më venë mëntë tek ti.

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë më republikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

 

Yti,

 

Dritëro

 

*Letërkëmbimi i rrallë i Dritëro Agollit dhe bashkëshortes Sadije: “Dashuri në kohën e Krishtit”…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

Dritëroi dashuronte Sadijen...

“M’u çduk tani nga sytë!”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit