Partia Demokratike do t’i rikthehet procesit të votimit për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë sot, pas pushimit njëditor që u bë dje.
Pas Lezhës, këtë herë votimi do të zhvendoset në Durrës, qarku i tretë më i madh pas Tiranës dhe Fierit. Sakaq, dje nga Partia Demokratike është publikuar lista me 45 emra në të gjithë qarkun. Qarku i Durrësit, me 14 mandate, ka një numër të madh kandidatësh potencialë për deputetë.
Në garën e parë tek anëtarësia janë 45 emra, të ndarë në 4 degë. Mes tyre ka ish-deputetë të legjislaturës së fundit, por edhe aktivistë të shoqërisë civile, si Aulon Kalaja, apo kritiku i letërsisë dhe studiuesi Agim Baçi, por edhe disa ish-deputetë në legjislaturat e shkuara dhe atë që u la në mes.
PROCESI
Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e konfirmuar i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të komisionit në fazën e tretë. Anëtarët e komisionit votojnë bazuar, kryesisht, në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimizimit të votës.
Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike. Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit dhe në qarkun e Lezhës, ndërsa sot dalin emrat për qarkun e Durrësit. Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.
Procesi i zgjedhjes së kandidatëve që do të jenë në listën e një partie po praktikohet për herë të parë në vendin tonë. Përzgjedhja e potencialeve në PD nisi në qershor të këtij viti ku u morën fillimisht propozimet e anëtarësisë. Demokratët propozuan në tërësi 3600 emra, por komisioni i posaçëm në PD kaloi në fazën e dytë 1000 kandidatë. Ndërkohë, këtyre iu kërkua që të plotësonin një formular vetëdeklarimi, i njëjtë me atë të dekriminalizimit.
Pasi u verifikuan dokumentet, komisioni vlerësoi si të përshtatshëm 400 kandidatë. Ndërkohë, këta po ballafaqohen me anëtarësinë. I gjithë procesi pritet të përfundojë në mes të tetorit.