MENU
klinika

"Më qeshet nga tragjedia jonë e pambarim"

Shuhet poeti dhe kritiku letrar, Ramadan Musliu

22.10.2020 - 17:48

       Me rastin e vdekjes tmerrësisht të hershme të poetit e kritikut letrar Ramadan Musliu

Nga: Enver Robelli

       Njëherë gazeta “Zëri” e pyeti poetin e kritikun letrar Ramadan Musliu, sesi ndihej në këto kohëra të lirisë dhe pavarësisë. Ai u përgjigj kështu: “Në këtë kohë kur njeriu pret verifikimin e gjithë atyre pritjeve, të cilat dikur i trajtonim si një të ardhme hipotetike, për të cilën në veçanti inteligjencia supozonte se ka investuar në ndërtimin e bazamentit moral të një shoqërie të ardhme, nuk ka se si të mos jetë tani në një pozicion observuesi i gjithë asaj që po ndodh, patologjisë së përditshmërisë, nga fakti se një shtresim i paktë i këtij formacioni janë përjashtuar nga jeta reale. Kësaj inteligjencie i paskan munguar rrënjët, do të thoshte Karl Manhajmi. Nuk ka ndryshe se si të mendohet për një shtresim të shoqërisë e cila ka degraduar në ” mbajtës të çantave” të pushtetarëve satrapë, të despotëve që i ka prodhuar mendësia staliniste e mjedisit primitiv. Realiteti ynë dhe liria jonë është një komedi me një përfundim tragjik”.

Në observimet e tij mendjeholla Ramadan Musliu nuk kritikonte vetëm inteligjencën kosovare, e cila, me ndonjë përjashtim, u dorëzua, përqafoi oportunizmin, u akomodua në demagogji dhe e shikoi vetëm interesin personal. Në observimet e tij, Ramadan Musliu zemërohej edhe me shoqërinë kosovare, e cila dominohet nga “mbajtësit e çantave” të politikanëve me pushtet. Herë pas here, Musliu i demaskonte këto fenomene, pastaj tërhiqej në botën e tij të librave, atje ku gjente prehjen lirike, qetësinë dhe shmangien nga helmi i përditshmërisë. Ai ishte një skeptik gazmor.

Poeti dhe studiuesi Ramadan Musliu, i cili vdiq sot në moshën 66-vjeçare, u lind në fshatin Beguncë të komunës së Vitisë, më 31 maj 1954, atëherë kur në Kosovë flitej shumë për presionin e pushtetit jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, atëherë kur flitej për “aksionin e armëve”, atëherë kur Kosova nuk kishte ndonjë shtresë intelektuale, atëherë kur studentët e parë po bëheshin gati të shkonin në qytete të ndryshme të Jugosllavisë për të nxënë dije. Kur Ramadan Musliu u bë djalë i ri, Kosova kishte ecur pak përpara. Tashmë të rinjtë shqiptarë nuk duhej të shkonin në Beograd për të studiuar në Degën e Albanologjisë, por mund të studionin në Universitetin e Prishtinës. Këtu Musliu studioi letërsinë dhe gjuhën shqipe.

Vitet 70-të duhet të kenë qenë mjaft interesante, jo vetëm për banorët e Prishtinës, por edhe për fshatin kosovar: shumë djem e vajza, entuziastë për të depërtuar në botën e dijes, për herë të parë po depërtonin nga provinca në botën urbane. Ishte kohë ëndrrash, kohë shpresash, kohë betejash. Ishte epoka e “Rilindjes”, e cila botonte pothuaj çdo autor vendor që kishte pak cilësi, botonte pothuaj çdo autor të huaj (nga Amerika në Kuvajt, nga Bashkimi Sovjetik në Egjipt) dhe botonte autorë si Ramandan Musliu, që u shqua si zë përtej kornizave të ngurta të ideologjisë së kohës.

Ramadan Musliu është një nga të rrallët studiues të letërsisë shqipe që në punën e tij u përpoq të krijojë një lëndë sa më sistematike, sa më të plotë të letërsisë sonë bashkëkohore. Qasja e tij kritike trajton veprën artistike duke u bazuar në kritere estetike të veprave e jo në kritere ideologjike. Në këtë mënyrë letërsia shqipe në shqyrtimet e tij trajtohet si një e tërë, e pandashme, pa përjashtime veprash e autorësh. Ky është një vështrim i ri i letërsisë sonë, pas një periudhe të gjatë, me dhjetëvjeçarë, të një kritike të anshme e të gjymtë. Nga kjo pikë, Ramadan Musliu, do të mbetet figurë e paanashkalueshme e kritikës së letërsisë bashkëkohore shqipe. Por, përveç punës së tij të madhe në fushën e kritikës letrare, Musliu ishte edhe zë i veçantë poetik e polemist i mprehtë në letrat shqipe.

Sa i përket zërit të tij polemik. Ja edhe një paragraf nga prononcimi i tij në gazetën “Zëri” (biseda u zhvillua nga Bradh Frangu): “Jemi popull shumë i lumtur në fatkeqësinë e vet. Letërsia jonë i është kthyer kohës kur ka dalë romani kurioz edhe për kohën, “Gjarpijtë e gjakut” të Adem Demaçit dhe gjarprin e shndërruam në simbol. Ne jemi ende robër të këtyre klisheve.  Shihe ambientin tonë si është i stolisur me skenografi revolucionare!? Sa përmendore që kanë “krijuar” skulptorët e realizmit socialist të modelit të Mentaz Dhramit?! E gjithë kjo dëshmon se sa na pëlqen satrapia dhe dhuna. E gjithë kjo ndodh ngase në mendësinë totalitariste (post-totalitariste) nuk lejohet vakuum, sepse duhet mbuluar hapësira se mund të instalohet armiku i brendshëm në të me idetë e veta. Më qeshet nga tragjedia jonë e pambarim.

Nga fillimi i vitit 1981 deri në fund të viteve 1990-të Ramadan Musliu ishte gazetar i kulturës në gazetën e përditshme “Rilindja” të Prishtinës. Ai ishte po ashtu anëtar i redaksisë së revistës së përdyjavshme për kulture, “Fjala” të Prishtines. Në vitet 90-të drejtoi për një kohë edhe botimin e “Rilindjes” në Tiranë. Po në Tiranë, drejtoi edhe shtëpinë botuese “Eurorilindja”. Në periudhën 2003-2004 e udhëhoqi revistën letrare “Kalendari letrar”. Meqë nuk dëshironte ta vëzhgonte politikën nga distanca, ai mes viteve 2004-2007 ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Ndonjë gjurmë në politikë nuk pati mundësi të lërë; dhe kjo s’është befasi duke pasur parasysh se shumica e partive politike në Kosovë kanë prioritete të tjera, siç po shihet edhe këto ditë me vjedhjet spektakolare të arkës së shtetit. Ambientet e tilla politike për njerëzit e dijes, janë toksike dhe mbytëse.

Ramadan Musliu është autor i pesë librave me poezi (“Parodia e trupit”, “Prishtinë, 1981”; “Shqisa e gjashtë, 1985”, “Prishtinë”; “Pasqyra e të rrëfyerit”, “1987,”Prishtinë, “Kënga e sibilave”, “1996, Tiranë; “Në zemrën e gjërave”, 2004, Prishtinë). Poezitë e Ramadan Musliut janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht, sllovenisht etj. Në fushën e kritikës letrare botoi këto vepra: “Mbindërtimi poetik”, 1990, Prishtinë; “Konfiguracione narrative”, 1998, Tiranë; “Estetikja e dallueshme”, 2005, Prishtinë; “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, 2010, Shkup; “Tangjenta letrare”, 2012, Prishtinë. Po ashtu, ka botuar edhe librin publicistik:”Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, 1997, Tiranë. Ramadan Musliu ka fituar disa çmime letrare dhe është prezantuar në disa antologji me poezi.

Zëri i Ramadan Musliut ishte i ulët dhe i lehtë, prandaj ishte edhe zë i arsyes dhe zë i protestës, kur e kërkonte momenti. Ai kërkonte takim jo për të gjetur konfirmimin e argumenteve të tij, por për të zbuluar se cili argument është më bindës. Një kritik letrar si Ramadan Musliu nuk do të ketë më Kosova. Jo vetëm për shkak se kanë ndryshuar kohërat (cila gazetë, cili medium, cili portal do të punësonte sot një kritik letrar?), por për shkak se, fatkeqësisht, ka ndryshuar edhe shija e lexuesit, kjo shije është stërkequr. Varfëria, zvetënimi estetik, mungesa e kureshtjes, shija sipërfaqësore e një pjese të madhe të publikut e bëjnë të pamundur ekzistencën me dinjitet të poetëve, shkrimtarëve, eseistëve. Me fjalët e filozofit Theodor W. Adorno mund të themi: arti është shpëtimi nga bota krejtësisht e rrejshme, jo për shkak se arti është i drejtë, por për shkak se e ka të qartë se çka është e rrejshmja universale.

Postskriptum: sa herë që nga kjo botë largohet një shkrimtar, një artist, një njeri i jetës publike mendimi i parë që më shkrep është ky: si të ilustrohet teksti përkujtues kur s’ka një portret profesional të të ndjerit? Sa herë që vdes një personalitet nga jeta publike, gazetarët hidhen në google, kërkojnë ndonjë fotografi të hairit, gërmojnë në profilet e të ndjerit në mediat sociale. Në 99 për qind të resteve kërkimi është zhgënjyes. Jo për fajin e të ndjerit apo të të ndjerës, por për fajin e shoqërisë harrestare, mediave harrestare, institucioneve harrestare. Andaj një apel për fotografët e rinj: bëhuni bashkë dhe fillojeni një projekt për fotografimin e personaliteteve të Kosovës që në vitet e ardhshme mund të ndahen nga kjo botë. Ata meritojnë më shumë se sa disa fotografi të zbehta, sepse ata kanë bërë shumë për Kosovën. Këtë shkrim lamtumirës e përkujtues për Ramadan Musliun po e ilustrojmë me një fotografi që atij me siguri do t’i kishte pëlqyer.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit