MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Meta dhe Rama janë bekim për njëri-tjetrin!

05.10.2020 - 17:12

Do mjaftonte egërsia e diskursit të zgjatimeve mediatike ndaj “Tema” për të kuptuar urrejtjen që ka Meta ndaj atyre, që nuk i shkojnë pas. Porse më shumë se inat ndaj medias, që ai e ka dhe e përdor vazhdimisht, është dhe mbetet konflikti i dukshëm, që tashmë është në nivelin më të lartë të dukjes së shtetit tonë. Kur nuk është ndjerë një qytetar i thjeshtë shqiptar më i ofenduar nga diskursi kinse i veshur me ambalazh parimesh, si ky i presidentit dhe ai i kryeministrit të vendit, Edi Rama. Tek e fundit, të dy kanë një detyrë dhe vetëm një: respektimin e institucionit të shtetit, kurse Ramës i shtohet dhe rritja e mirëqenies së njerëzve, që në këtë kohë lë shumë për të dëshiruar.

Por le të kthehemi në idenë tonë: diskursi ofendues protokollar mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta është nga më të lodhshmit por edhe më absurdët, sepse gjithnjë përfundon me dashuri e respekt të dyanshëm, dreka-darka dhe vlerësime të dyanshme. Madje, deri në 2004, të dy deri në një farë mase i kanë shërbyer njëri-tjetrit dukshëm. Ilir Meta e mbrojti Ramën në luftën pa asnjë kompromis që ish-ministri i atëhershëm bëri në reformën për artin duke kaluar çdo masë me artistët. Ilir Meta, falë lidhjeve në media, e fashiti mbrojtjen e kësaj të fundit, për t’i dhënë një aleat plus ish-ministrit me një uri egoje që nuk frenonte ndaj artistëve. Një vit më vonë, e kuptoi mirë se Ramës mund t’i lihej një fushë, ku ambicia e tij të shfrynte të gjithë potencialin pa e trazuar. Edi Rama e tejkaloi me sukses: Tirana e zymtë u kthye në një vend bojërash shumëngjyrëshe dhe çmimesh që ngarendën kudo. Bashkë me ish-kryeministrin zhdukën dhe kioskat, që i kishin zënë frymën keqazi qytetit. Një revolucion i vërtetë, që se kish bërë deri më atëherë askush në qytetin tonë. Ky mund të quhet një nga bashkëpunimet e fundit të mira të dyve dhe ku energjia e tyre çonte kredite për të ardhmen e secilit. Fatos Nano i ndiqte me kujdes dhe me romuzet e tij klasike shpesh mundohej t’i vinte në lojë dhe t’i qesëndiste për energjitë por nuk kishte llogaritur mirë diçka: “Mosmirënjohjen”. Ndërsa atij i mjaftonte dhe i tepronte pushteti, që e drejtonte ngeshëm dhe pa teklif, të dy karrieristëve nuk i dilte hija nën të. Mund të thuhet se Edi Rama nuk u ndie shumë edhe me krijimin e LSI-së por edhe dobësimin e PS-së. Duket se koha po i jepte tavën që dëshironte. PS-ja ishte më e dobët se kurrë. Por llogaritë ishin keq sepse shpejt Ilir Meta ia kthen kurrizin hapur PS-së, duke i shkaktuar humbje në zgjedhje, por jo Edi Ramës. Me këtë të fundit, në vitin 2007, tashmë si koleg kryetar të PS-së, në zgjedhjet lokale fituan qytetet kryesore. Ky është momenti i fundit i dashurisë, sepse një vit më vonë, Edi Rama bën paktin e hidhur me Berishën, që do t’i vuajë shumë shqiptarëve. Nga këtu, Rama dhe Meta ndahen për herë të parë frikshëm dhe me anatema pafund. LSI-ja, më 2008, bën një nga luftërat më me parime për Ndryshimet Kushtetuese, por që rezulton me humbje. Sërish, LSI e ka një armik. Këtë herë jo Fatos Nano por Edi Rama. Rezultati: Hyn në zgjedhje me PD-në në vitin 2009 duke i shkaktuar humbje PS-së. Mllefi i Metës për Berishën dhe anasjelltas barazohet me zero, sepse tashmë dashuria Rama-Meta ka mbaruar dhe një idil i ri del në sipërfaqe. Ilir Meta bashkon votat me Sali Berishën duke qeverisur vendin deri në vitin 2013. Më kot, në vitin 2011, Edi Rama kërkon arrestimin e Ilir Metës pas filmimeve të Dritan Priftit dhe ngjarjeve të 21 Janarit, por e pësojnë katër qytetarë të pafajshëm. Duket se tradhtia nuk ka më kthim, kurse Meta është i njollosur për jetë të jetëve nga socialistët, që nuk ia falin ende sot e kësaj dite. Por dashnorëve të tillë, që do t’ia kishte zili dhe historia e famshme e Veronës, nuk u zihet besë. Meta e tradhton Berishën në emër të parimeve, dhe pas një darkë të Ramës me ngjala (theksohet shpesh kjo) në Gjirin e Lalëzit (bash vendin ku bashkëshortja e presidentit të sotëm numëronte më vonë para një TV-je kamjen marramendëse) bëjnë koalicion dhe e nxjerrin përfundimisht nga jeta aktive ish-Kryeministrin Sali Berisha. Pakti e ka një fund dhe Rama ia kthen duke e bërë president. Meta plotëson të gjithë hierarkinë e karrietës. Dhe, mjaftojnë vetëm pak kohë dhe dashuria Meta-Rama mbaron keqazi. Urrejtja tashti është shekspiriane!

Tashmë, Meta është totalisht nën dashurinë e munguar me ish-Berishën, që e pret i ngazëllyer dhe shumë herë e ka pyetur shumë më tepër sesa vetë kryetarin e partisë së tij Basha.

E gjithë historia nuk lidhet me atë që po ndodh në fund, kur po afrohemi në orët, ditët e fundit, ku kinse-urrejtja e tyre është arma më e madhe për të fshehur dështimin jo të vogël të kryeministrit (llogarisim kohën e para pandemisë) dhe ngatërresat e zakonshme të presidentit-politikan Ilir Meta, që e mbajnë aq shumë peng vendin tonë. Të presim ditën, kur të bashkohen sërish, si pak ditë më parë u shfaqen të qeshur duke përplasur bërrylat dhe duke e vlerësuar njëri-tjetrin me kortezi. Kinse lufta e tyre duket se do vazhdojë gjatë se është një bekim për karrierat e secilit për ta lënë Shqipërinë kështu kaotike në udhëtimin e saj, po kaotik në Evropë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Shpresa për zgjedhje të rregullta ka marrë fund"

Ben Andoni: Pandemia ka shtuar krizën ekonomike tek shqiptarët


BE marrëveshje për 2 miliardë doza të vaksinës me 6 kompani

Në fund të vitit do të miratojë vaksinën e parë kundër COVID-19

Institucionet arsimore e kulturore firmosin qëndrimin e përbashkët

Lufta e UÇK-së bashkon Shqipërinë Kosovën dhe M. e Veriut

Manastirliu: Edhe vaksina antiCOVID do të jetë falas!

Nis vaksinimi kundër gripit i edukatoreve dhe arsimtarëve

"Do të jetojmë me këtë virus deri në fund të jetës sonë!"

Zbuluesi më i mirë i viruseve jep lajmin e keq mbi Covid-19

“Kompania është përpjekur të zbukurojë rezultatet”?

Vaksina që ndezi shpresat e të gjithëve, do t’i nënshtrohet një prove tjetër