MENU
klinika

A do ta kapë mundësinë e fundit Parlamenti?

Meta paralajmëron kthimin e Kodit të ri Zgjedhor

17.10.2020 - 07:47

Kreu i shtetit e ngriti shqetësimin gjatë takimit të lamtumirës me ambasadoren e Francës, Christina Vasak, e cila përfundon misionin në vendin tonë.

“Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e maXhorancës së Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidentit.

Megjithatë, kreu i shtetit është shprehur se do t’i japë edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Europiane.

Meta e falënderoi diplomaten për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe konfirmoi se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë.

Kreu i shtetit vlerësoi rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë.

Po kështu, shprehu besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’u japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri.

KODI

Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor janë bërë shkaku i një polemike të gjatë mes Presidentit të republikës dhe Kryeministrit Rama.

Pak ditë më parë, Presidenti i republikës u shpreh se nuk do të dekretojë ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor edhe si kërkesë e Partive Popullore Europiane.

“Nuk do doja ta ktheja se më duket burokratike… pse ta kthej unë kot kur ata do ta miratojnë prapë? Por tani jam i detyruar. Pse, do thoni ju? Pasi menjëherë pasi votuan këtë çmenduri, pati reagim nga PPE. Ajo tha që i bëjmë thirrje Shqipërisë se ky është një akt që pengon integrimin, i bëjmë thirrje

Presidentit të kthejë ligjin, i bëjmë thirrje Kryeministrit të reflektojë. Në këto kushte, unë jam i detyruar ta kthej”, u shpreh Presidenti Meta pak ditë më parë.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Presidentit Meta të dekretojë pa humbur kohë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Rama tha se maxhoranca do t’i kalojë në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor, edhe nëse ato do të rrëzohen nga Presidenti Ilir Meta.

“Nëse Presidenti Ilir Meta dërgon në Kuvend kthim të Kodit Zgjedhor, do të rrëzohet” deklaroi ai.

Lidhur me deklaratën e Presidentit që të respektohet marrëveshja e 5 qershorit, Kryeministri Rama u përgjigj duke thënë se është respektuar 5 qershori dhe 30 qershori.

“Është respektuar dhe nuk ka asgjë më për të thënë dhe nuk ka më kohë për të humbur.Presidenti bën mirë të firmosë ose t’i kthejë sa më parë ndryshimet për Kodin, në mënyrë që të vazhdojë implementimi, sepse koha për implementimin është e shtrënguar dhe ne do ta votojmë fiks siç e kemi votuar”, tha Kryeministri Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


OSBE reagon për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

“Procesi ishte i qetë, por pati tentativa për blerje votash”