MENU
klinika

"Zoti President"

Asturias: gardiani i rrënjëve guatemalase

19.10.2020 - 11:57

        Poeti, romancieri, kritiku, eseisti, dramaturgu, diplomati Miguel Angel Asturias lindi më 19 tetor 1899 në Guatemalë, në një familje të zënë ekonomikisht. Ai është gjithashtu një nga shkrimtarët e parë latino-amerikanë që njohu famë ndërkombëtare, krijimtaria e të cilit shënoi një pikë kthese në historinë letrare të Amerikës së Jugut. Kundërshtimi i flaktë i të atit ndaj diktaturës së Manuel Estrada Cabreras, bëri që të zhvendoseshin nga vendlindja, periudhë që i solli Asturias kontaktin e parë me popullin autokton, kulturën dhe folklorin larmiplotë. Kjo ngjarje e fëmijërisa la gjurmë të pashlyeshme, mbresa që do të shfaqeshin më pas si në veprat letrare, ashtu edhe në karrierën e tij politike. Ai e njeh deri në asht populli indian, mjerimin dhe dëshpërimin e të cilit e rrëfen në një seri romanesh të fuqishme lirike, si: “Papa i gjelbër”, “Sytë e të varrosurve”, “Fundjava në Guatemalë” etj./Konica.al

Miguel Angel Asturias, përmes veprave të tij, shpalosi në sytë e botës pasurinë e kulturës indigjene të Guatemalës. Nobelisti njihet si promovuesi i realizmit magjik, i ndikuar fillimisht nga surrealizmi dhe i nxitur nga mitologjia autoktone, nga vetë toka: “teluriku” dhe lufta e fshatarëve kundër zgjedhës imperialiste. Në vitin 1967, u vlerësua me çmimin “Nobel” në Letërsi, në njohje të arritjeve letrare dhe jetës në të kaluarën, duke luftuar për të drejtat e njerëzve autoktonë. Duke ndërthurur një stil narrativ, me ndikime qartazi të përftuara nga realizmi magjik dhe surrealizmi, Miguel Angel Asturias i dha formë letërsisë latino-amerikane në sytë e botës, por edhe si pararendës i bumit që njohu kjo letërsi në vitet 1960 dhe 1970.

Student i antropologjisë dhe mitologjisë indiane, përfshirja e Asturias në mbështetjen e të drejtave dhe ruajtjen e kulturave të popujve indigjenë bie në sy si në politikën, ashtu edhe në shkrimet e tij. Gjatë gjithë jetës, Asturias luftoi për të drejtat autoktone dhe kundër sundimit autoritar. Në të vërtetë, kundërshtimi i vendosur ndaj diktaturës bëri që shumicën e jetës ta kalonte jashtë kufijve të Guatemalës së tij të dashur. Në vitin 1923, shkoi në Evropë, me synimin për të studiuar ekonomi politike në Angli. Kaloi disa muaj në Londër, mandej shkoi në Paris, ku iu desh të qëndronte për dhjetë vjet. Në Sorbonë ndoqi leksionet mbi besimin Maya nga Profesor Georges Raynaud. Po ashtu, si korrespodent i gazetave të rëndësishme të Amerikës Latine, ai udhëtoi në vendet e Evropës Perëndimore, në Lindjen e Mesme, në Greqi dhe në Egjipt. Fitoi titullin e avokatit me tezën “problemi shoqëror i Indisë”, një temë të cilën do ta kishte përherë përzemër. Pasi mori pjesë në luftën kundër diktaturës së Manuel Estrada Cabrera, u transferua në Paris në vitet 1920, ku zbuloi kulturat parakolumbiane për t’u rikthyer në vitet 1960 si ambasador i vendit të tij. Libri i parë i Asturias: “Legjendat e Guatemalës” (1930), ndjek mitet maja të periudhës parakolumbiane të Amerikës Qendrore./Konica.al/ Duke parë historinë e Guatemalës, ai gjurmoi zhvillimin e një identiteti kombëtar të Guatemalës, vepër e cila konsiderohet si një kontribut i rëndësishëm antropologjik në letërsi. Gjatë qëndrimit në Paris, Asturias shkroi romanin: “Zoti President”, i cili godet të keqen shoqërore dhe korrupsionin malinj ndaj të cilit një diktator i pandjeshëm dënon popullin e vet. Për shkak të implikimeve politike, Asturias nuk ishte në gjendje ta sillte librin me vete, kur, më 1933, u kthye në Guatemalë, e cila asokohe drejtohej nga diktatori Jorge Ubico. Versioni origjinal do të mbetej i pabotuar për trembëdhjetë vjet. Rënia e regjimit të Ubicos në 1944 solli në presidencë Profesorin Juan Jose Arevalo, i cili e emëroi sakaq Atashe Kulture të Asturias në Ambasadën e Guatemalës në Meksikë, ku u shfaq edicioni i parë i “Zoti President” në 1946. Romani konsiderohet një “denoncim i zjarrtë kundër diktatorit guatemalas Manuel Estrada Cabrera”, njëherazi një nga romanet e parë që përballet me çështjen e diktaturës. Një tjetër vepër e rëndësishme “Mulata”, një përzierje surrealiste e legjendave indiane, tregon për një fshatar, lakmia dhe epshi i të cilit e shtyn të besojë verbërisht në fuqinë materiale, nga e cila shpresa e vetme e shpëtimit është: dashuria universale. Librat e Asturias i japin imagjinatës një vrull që e mbart në hapësirë ​​dhe në kohë, deri pas në epokat mitike kur perënditë Maja banonin ende në pyjet e virgjëra të Guatemalës. Mitologjia e popujve antikë të Amerikës Qendrore e Jugore është krejt e huaj për zakonet tona intelektuale, të modeluara nga Greqia dhe perënditë e saj në masën e njeriut. Gjithashtu, ato janë të vështira për t’u interpretuar, figurat e gjenive ose perëndive që arkeologët i gjejnë në rrënojat e tempujve maja; njeriu i Perëndimit e keqintepreton një perëndi, i cili në të njëjtën kohë është një njeri, një kafshë, një vullkan ose tërmet; ai lëviz me vështirësi në këtë xhungël të mbushur me përbindësha dhe librat e shenjtë si “Popohl Vuh” ose libri i “Chilam Balam” e ngatërrojnë edhe më shumë nga aludimet që u bëhen hyjnive, thuajse të padeshifrueshme për ne. Për të kuptuar krijimtarinë e Asturias, duhet të kemi parasysh ndikimin e thellë që ushtroi kultura maja dhe jeta evropiane. Maja rrënjoset në një kozmovizion të një bote, që i është sakrifikuar një mendimi të thellë dhe autentik magjik dhe kap histori të tjera. Nga ana tjetër, ndikimi i surrealizmit, miqësia me Pol Eluardin dhe kontakti me “Uliksi” i Xhejms Xhojs janë asi nën mëngë që shënojnë veprat e tij.

“Guatemala është një vend surrealist. Gjithçka: njerëzit, peizazhet dhe gjërat, pluskojnë në një klimë surreale marrëzish dhe imazhesh të mbivendosura. Kjo është arsyeja pse librat e mi ngjajnë me muralet e Meksiko Sitit, ku gjithçka është e përzier: fshatarë, lepuj, kryepeshkopë, aventurierë, gra që jetojnë keq, si dhe natyra jonë, fusha të mëdha dhe pyje të pamasë, ku ne jemi vetëm qenie të vogla të varfra”, – shprehet Asturias.

Shkrimtari i mirënjohur hulumton përtej qenieve dhe gjërave me një pasion që nuk i zbulon as syri i varrit dhe as qetësia e pamjes. Bota rurale e Asturias është një botë e nënshtruar, por e gjallë, me të gjitha tiparet e saj nga e kaluara, që grumbullohen derisa lënë një prarim antikiteti, një kore baltë, një shtresë pluhuri, mbi të cilën gjaku nuk thahet kurrë./Konica.al

Në 1966 Asturias iu dha çmimi Lenin për Paqen. Në të njëjtin vit, ai u emërua ambasador i Guatemalës në Francë nga Presidenti Julio Mendez Montenegro.