MENU
klinika

Mbrojtje e fortë, 20 ndeshje pa humbje

Milan i frikshëm, nisje si 25 vjet më parë

19.10.2020 - 15:59

Tashmë nuk ka dyshime. Milan është skuadra e momentit në Itali. Kuqezinjtë kanë fituar 7 nga 7 ndeshjet e sezonit të ri, duke qënë padiskutim kandidat potencial për të fituar të paktën një titull në fundin e sezonit.

Edhe pse ende shumë shpejt, Milan ka treguar forcë karakteri në pak javë, diçka që u vërejt edhe në derbin e Madoninës përballë Interit. Kjo ecuri fantastike i ka ngjitur në krye të klasifikimit në Seria A pas 4 javësh kampionat me 12 pikë, diçka e cila nuk ndodhte prej vitit të largët, 1995, ku asokohe fitonte titullin e 15 në fundin e sezonit.

Jo vetëm kaq. Milan udhëheq kampionatin për herë të parë që prej vitit 2012, vit i largët duke parë historinë e lavdishme të 7 herë kampionëve të Europës, por një lajm i mirë për të gjithë tifozët e saj, që pas shumë vitesh shikojnë dritë në fund të tunelit. Janë 20 ndeshje pa humbje.

Pak më shumë se 12 muaj më parë, fillimi i kampionatit nga Milani (me trajner Giampaolo) ishte traumatik: 4 humbje në 6 ndeshje me 8 gola të pësuar Një vit pas revolucionit (nga Pioli), fotografia është krejt ndryshe: 4 ndeshje dhe fitore, 9 gola të shënuar dhe vetëm një i pësuar.

Kuqezinjtë janë të parët në renditje, me mbrojtjen më të mirë të Serie A (në të njëjtin nivel me Verona, e cila luan sonte), por jo vetëm. Pra, gjithçka duket në rregull. Mbrojtja e kuqezinjve është, deri më tani, më pak e prekura midis ligave më të mira europiane (edhe pse jo me të njëjtin numër lojërash të luajtur).

Everton i Ancelottit, në komandën e Premier League, ka pësuar 7 gola (nga 14 të shënuar) në 5 ndeshje. Leipzig ka pësuar 2 gola në 4 ndeshje. Ashtu si Lille; 2 gola në 7 ndeshje. Real Sociedad, në krye të La Liga-s ka pësuar 2 gola në 6 ndeshje.

Me pak fjalë, sekreti i suksesit të ekipit të Piolit fillon me mbrojtjen. Nuk ka dyshime për këtë. Por ka edhe më shumë. Nëse “filtri” sigurohet me Gigio Donnarumma, meritat shkojnë gjithashtu te mesfusha, që i zgjidh problemet paraprakisht.

Kessie dhe Bennacer vrapojnë dhe rikuperojnë topa si askush tjetër në ekip (29 në total nga i pari dhe 27 nga i dyti). Në mesin e mbrojtësve, në këtë renditje speciale, është edhe Kalabria me 27 rikuperime topash, si dhe Theo Hernandez, me 25 rikuperime.

Por statistikat që nxjerrin në pah efektivitetin e lojës së Piolit nuk mbarojnë me kaq. Ndërkohë, me një mesatare prej mbi 60 për qind, Milani është skuadra që fiton më shumë duelet ajrore pas Atalantës. Kuqezinjtë janë ndër më të mirët në Serie A edhe për përqindjen e pasimeve të suksesshme, në kuotën 83 për qind.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN