Elbasani është një nga qarqet më të varfëra në Shqipëri, por kampion kur vjen puna tek konsumi i alkoolit dhe duhanit. Dhe kjo sipas shifrave të fundit të publikuara nga INSTAT.
Nga tradita e hershme, tek qejfi dhe halli, për qytetarët ka gjithmonë një motiv të fortë për të qënë pijedashës.
“Rakia është punë qejfi, duhani me tepër stresi”.
“Për të kaluar kohën, por ka pas edhe nga ata për të kaluar fukarallikun”.
Aq sa edhe në këshillat e mjekëve ka vend për tolerim.
“E kam ul pak dozën se kështu ma rekomandoi doktori në Tiranë. Shyqyr që s’më tha hiqe fare. Kështu që pi pak alkool, pak duhan”.
Mjafton që të rinjtë mos të kenë nga këto zakone.
“Unë mendoj se rinia e pi për mendjemadhësi, s’ka pse ta pijë”.
Të dhënat e Institutit të Statistikave për 2019, tregojnë se familjet në Elbasan patën shpenzimet më të larta për alkool dhe duhan në raport me buxhetin total të tyre. Pas tij renditet Lezha dhe Berati. Më pak pijedashës janë vlonjatët, madje më pak shpenzime se çdo qark tjetër përgjatë dekadës së fundit.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të pi alkool”.
“Jo s’pi, jam kundra”.
“Alkoolin e bëj vetë unë, raki rrushi, po nuk e konsumoj”.
“Raki, birrë këto pimë ne”.
Edhe familjet gjirokastrite i kanë ulur shpenzimet e buxhetit të tyre për pije dhe cigare me një rënie 1.8 pikë përqindje përgjatë dekadës.