Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi mbrëmjen e një dite më parë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit Covid-19, në kuadër të Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive.
Me dritën jeshile të tij, nga sot hyn në fuqi rregulli që i detyron maqedonasit të mbajnë maskë edhe në ambjente te hapura, përveçse në ato të mbyllura ku përfshiheshin institucionet shtetërore, marketet, dyqanet, bankat, posta, spitalet etj. Në një lëvizje të ngjashme me masat e marra dhe në vendin tonë, në shtetin fqinjë ky detyrim nuk do të vlejë gjatë aktiviteteve sportive në ambient të hapur apo të mbyllur, në makinë nëse drejtuesi është vetëm apo me persona të rrethit të ngushtë familjar, apo gjatë qëndrimit në restorante apo kafene, duke respektuar sigurisht protokollet specifike për mbrojtje si distanca, dezinfektimi e të tjera si këto.
Nga mbulimi i detyrueshëm i fytyrës përjashtohen gjithashtu personat me probleme specifike shëndetësore. Maqedonia e Veriut regjistroi të mërkurën 870 persona të infektuar me koronavirusin e ri, çka paraqet shifrën më të lartë të rasteve ditore në vend që nga shfaqja e sëmundjes në muajin shkurt.Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë njoftonte edhe për 14 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 963