MENU
klinika

Meshari i Buzukut dhe Meshari Kroat

Një vështrim tjetër për librin e parë shqip

18.10.2020 - 16:32

Prej shumë kohësh jam përpjekur të gjeja një libër shërbesash në ndonjë gjuhë të huaj, të botuar para mesit të shekullit XVI, që të mund të bëja një krahasim me Mesharin e Gjon Buzukut. Më në fund, me ndihmën e mikut të vyer, Altin Hysit, tani kam në duar një Meshar (Misal po zakonu rimskoga dvora) në gjuhën kroate, botuar më 1483. Ky është një libër inkunabul, domethënë i shtypur para vitit 1500, me 219 fletë, të shtypura nga të dy anët me bojë të zezë dhe të kuqe, madje jo vetëm në letër por edhe në pergamenë, dhe përbën një nga vlerat e çmuara të kulturës kroate. Janë ruajtur prej tij vetëm disa kopje, po ashtu jo të plota si Meshari ynë, dhe prej tyre më 1971 është bërë një ribotim i plotë në Zagreb, ndërsa vendi i botimit të parë nuk dihet; ka më shumë të ngjarë të jetë shtypur në Kosinjë të Kroacisë.

Është edhe një vepër me mjeshtëri të lartë tipografike, ka 201 miniatura në krye të paragrafëve, po edhe Meshari ynë i ka zbukurime të tilla, veçse të tipografisë në Venedik, siç e ka dëshmuar bindshëm studiuesja italiane, profesore Lucia Nadini (“Shqipëria e rigjetur”). Kam parë në një Libër orësh (Orolog), të botuar më 1512 dy shenja grafike për shkronjën “u” pikërisht siç kanë dalë në librin e Buzukut. Po ashtu bindshëm ajo ka argumentuar, se nuk mund të gjendet një libër, nga i cili të jetë përkthyer i plotë drejtpërdrejt Meshari i Buzukut.

Libri kroat nuk ka një faqe titulli dhe hapet menjëherë me kalendarin. As në fund nuk ka të dhëna për autorin, ose ndonjë pasthënie si të Buzukut. Është bërë një botim tjetër nga Pavel Modrushanin më 1528 në Venedik dhe më pas më 1530 një tjetër në Rijekë. Hamendësimi më i pranueshëm do të ishte, që Buzuku mund të ketë njohur botimin e Venedikut. Mendohet se teksti është përgatitur në Istrie dhe mund të jenë shtypur rreth 200 kopje. Është në gjuhën sllavokishtare të variantit kroat. Ishte i pari meshar i shtypur jo në gjuhën latine, sepse kroatët prej kohësh kishin marrë të drejtën, që t’i bënin shërbesat në gjuhën amtare. Shkurt, Buzuku ka pasur mundësinë të mbështetej në një libër rituali roman latinisht dhe një në kroatisht. Nuk do t’i përmend hipotezat e shprehura deri më sot, se nga cili tekst në gjuhë tjetër e ka bërë përkthimin Buzuku, sepse ato kështu bien poshtë si të pambështetura.

A ka mundësi të përcaktohet ndonjë lidhje e tekstit shqip me botimin e mëhershëm kroatisht? Librat kroatisht janë shkruar me alfabetin e vjetër glagolitik. Tashmë unë nuk jam në gjendje ta përvetësoj atë alfabet, që ta shfrytëzoj për t’i lexuar. Prandaj kam ndjekur një rrugë tërthore. Më kanë ardhur në ndihmë botimi i shkëlqyer, që i ka bërë Mesharit profesori Eqrem Çabej në dy vëllime më 1968, si edhe shënimet e studiuesve kroatë, që më 1971 e kanë shoqëruar ribotimin e vitit 1483. Ndonëse Buzuku mund të ketë përdorur ribotimin e vitit 1528, unë i referohem këtu botimit të parë, që e kam në dorë.

Çabeji ka paraqitur te pjesa e parë (f. 9-14) gjithë copat, që ka përkthyer Buzuku nga Bibla. Edhe Marija Pantelić ka përgatitur një listë të pjesëve nga Bibla (f. LIII-LX). Krahasimi i tyre tregon një përputhje mbi nëntëdhjetë për qind. Ajo që tërheq vëmendjen, është se përputhen edhe rastet kur është vetëm një rresht nga Bibla (nga Ekleziasti vetëm 14:22; nga Isaia vetëm 54:17), ose vetëm disa rreshta (Osea vetëm 6:1-6, 14:2-10; nga Jona 3:1-10; nga Malakia 3:1-4), madje edhe me shkëputjet të njëjta, nga Danili 13 me shkëputje të njëjta 1-9, 14-17, 19-30, 33-62. Kjo përputhje në asnjë mënyrë nuk mund të jetë rastësi. Shpjegimi është i qartë: si tekstet biblike shqip, ashtu edhe kroatisht janë marrë nga i njëjti burim latinisht. Por nuk ka përputhje absolute. Kështu, Buzuku nuk i ka 10 rreshta nga Nehemia, ndërsa kroati nuk i ka pjesët nga Jobi. Ndryshimet e pakta mund të vijnë si për shkak se disa faqe nga Buzuku mungojnë, ashtu edhe nga ndonjë ndryshim i parëndësishëm që ka ndodhur më vonë, kur bënte Buzuku librin e vet. Përfundimi kryesor është, se Buzuku është mbështetur te një tekst latinisht, te një tjetër italisht dhe, kur ka pasur vështirësi, i është drejtuar edhe tekstit kroatisht. Të gjitha mendimet e tjera, të paraqitura deri më sot, nuk paraqesin fakte, që ta hedhin poshtë këtë pohim.

Për ta argumentuar këtë përfundim, do t’u drejtohem konstatimeve të tjera të rëndësishme, të cilat nuk është vendi t’i shtjelloj hollësisht, ndërsa i kam dhënë më gjerë në një kumtesë, që kam mbajtur vjet. Libri i Buzukut është një libër dygjuhësh dhe i përgatitur nga një autor dygjuhësh. Që ky është një libër dygjuhësh me latinishten e provojnë 260 fjalë dhe shprehje latine, domethënë 8% kundrejt fjalëve shqipe; për më tepër, disa prej tyre janë mjaft të shpeshta, si për shembull togfjalëshi Deo gratias është përdorur 150 herë, domethënë gati në çdo faqe. Si folës dygjuhësh Buzuku kishte gjuhë të dytë italishten dhe, natyrisht ka përdorur tekste italisht, por unë flas vetëm për latinishten, sepse ky ishte burimi i parë. Ndërsa ka edhe fakte të tjera të pakundërshtueshme.

Që të paraqiste një pjesë përkatëse nga Bibla Buzuku, përdorte gjithnjë një fjalë ose shprehje latine. Kjo nuk ishte e mundur në tekstin kroatisht me alfabetin glagolitik. Kam gjetur 16 raste, kur Buzuku jep një fjalë ose një shprehje latinisht dhe pastaj e shpjegon shqip: do me thashunë. Kurrsesi kjo nuk mund të ndodhte në tekstin kroatisht. Pikërisht në këtë ndërtim sintaksor është përftuar shprehja shumë e rëndësishme për gjuhën shqipe: Pater noster qi vjen me thashunë shqip Ati ynë qi je mbë qiellt. Nuk është një fjali e rastit, buron nga një praktikë e gjatë e autorit me auditorin e besimtarëve shqiptarë, të cilëve u shpjegonte leksikun fetar përkatës latinisht, ndërsa duke kaluar lënda në një libër, ai ua shpjegonte edhe shërbestarëve, të cilët ndoshta edhe nuk e dinin mirë latinishten fetare.

Kurse Pasthënia e Buzukut është tekst i mirëfilltë shqip, është parateksti i gjithë letërsisë së shkruar shqipe. Një gjuhëtar më ka kundërshtuar, duke thënë se ishte e zakonshme në librat fetarë të kohës që të shpreheshin kështu autorët. Ja ku është Meshari kroat, asgjë të tillë nuk ka në fund. Buzuku për më tepër edhe brenda tekstit e ka përmendur dy herë veten si Dom Gjoni në lutjen e vet (XIX). Për pasojë, Meshari kroat na ndihmon jo vetëm me ato gjëra që i ka të përbashkëta me të tekstit shqip, por edhe me ato që mungojnë në këtë krahasim. Po diçka, që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, është se në Pasthënie Buzuku nuk ka përmendur asnjë emër të ndonjë autoriteti fetar, siç do ta bënin bujarisht kolegët e tij më pas; nuk përmend as ndonjë leje prej autoriteteve fetare, siç ishte e detyrueshme, veç në qoftë se e ka thënë këtë në faqet që na mungojnë. Ndoshta, ndoshta, as u është përmbajtur udhëzimeve të atyre autoriteteve, as është përballuar me ato autoritete. Me këtë do të shpjegohej, përse nuk ka pasur ndonjë mbështetje autoritare për ta përhapur librin e vet dhe prandaj na ka mbetur vetëm një kopje. Më pëlqen të them, që ky libër është një akt guximi.

Këtu vjen vetvetiu çështja e emrave të përveçëm. Natyrisht, teksti kroat nuk do ta kishte emrin Arbania, por e kam fjalën për atë grusht emrash, që dalin në trajtën e shqipes, domethënë janë me prejardhje të huaj, por janë përshtatur me fonetikën shqipe, si: Bdek, Gjon, Mëhill, Mëri, Ndre, Nduo, Nëkollë, Vlash. Nuk mund të vihet në dyshim, që këta emra Buzuku i ka ndeshur në tekstet latine, por me një ndjenjë të plotë të gjuhës amtare nuk i ka riprodhuar latinisht, domethënë ka vendosur një lidhje të qartë midis trajtave në dy gjuhët. Kam bindjen se katër faqet, ku janë emrat e shenjtorëve dhe del emri i vetë Buzukut, janë kryesisht faqe të një teksti shqip, ashtu si edhe Pasthënia, dhe jo të përkthyera. Kam bindjen, se edhe faqet me shpjegimet për urdhërimet (XXI, XXI/2,  XXII) janë tekste shqipe. Nuk mund të mos shtoj, se ku ka fjali më shqipe, se ajo, kur thotë, që kur dikush gjen kund pak të keq  “ashtu thotë: Vete banem turk”.

Studiuesit kanë konstatuar se teksti kroat ndjek rreptësisht përmbajtjen e botimit të vitit 1474 në Milano Latin editio princeps. Rrjedhimisht, ka një renditje të përcaktuar, meshat vijnë sipas ditëve të vitit, nga java e parë, duke vijuar me meshat për vdekjen etj. Do të ishte e mira të përpilohej një listë e tillë e përmbajtjes edhe për Mesharin tonë. Siç e thashë, kroati hapet me kalendarin. A ka mundësi, që në faqet të cilat mungojnë, edhe Buzuku të ketë pasur një kalendar? Kjo mundësi më duket e pranueshme, sepse gjatë tekstit shqip nuk janë të dhëna të tilla, meqë do t’i ketë pasur në fillim. Nga fragmentet e përkthyera, kroati hapet me letrën për romakët (13:11-14) dhe Lukën (21:25-33), ndërsa Buzuku këto fragmente i ka te faqja XXX; për pasojë, me gjithë përputhjen e gjerë të teksteve të përkthyera, renditja e tyre shqip nuk është e njëjtë me renditjen kroatisht, domethënë edhe latinisht. Kroati ka në fund meshën e bekimit të verës, një pjesë e detyrueshme për këtë tip librash, dhe mbyllet me një meshë për bekimin e unazës. Buzuku Oratio Përmbi unazët e ka në faqen XXX, ndërsa në fund fare ka copat nga Jobi (1:6-22 dhe 2:1-10), të cilat, siç thashë, kroati nuk i ka në asnjë faqe.

Edhe brenda fjalive të përkthimit mund të hulumtohen tregues domethënës. Nuk është vendi këtu, për të hyrë në shpjegime të gjata e të ndërlikuara, që do ta pështjellonin lexuesin. Prandaj do të sjell ndonjë shembull, që ndriçohet më shkurt e më qartë. Në një fragment nga ungjilli i Lukës (2:21) teksti latinisht është ky: et postquam consummati sunt dies octo ut circumcideretur vocatum est nomen eius Iesus quod vocatum est ab angelo priusquam in utero conciperetur. Përkthimi i Buzukut është ky: Mbassi klenë mbaruom tetë dit me u përeem djalëtë, u grish emënit e tij Jezu, porsi kle grishunë n’engjëllit parë se ish zanë ndë bark. Këtu kemi fjalën ‘djalëtë’, e cila nuk është në fjalinë latinisht. Fjala ndeshet te origjinali greqisht, por nuk besoj se Buzuku i është drejtuar ndonjëherë dhiatës greqisht. Në kroatishten e vitit 1483, duke i plotësuar mungesat e shkronjave është po kjo fjalë: “otroče”, ashtu si dhe në shqipen, e gjithashtu është në përkthimin e sotëm kroatisht (Zagreb 2008), në trajtën “dijete”.

Për të dëshmuar, se edhe ky tekst na ndihmon për të bërë saktësime gjuhësore, do të sjell si shembull fjalën “zakon”. Në një artikull të A. Omarit (Studime filologjike, 2010, nr. 3-4) shpjegohet, që kjo fjalë ka kuptimet: shprehi, doke, kanun, ligj. Ndërkaq, teksti kroat (Mateu, 26:28) e ka: krv moe novago zaveta; Buzuku e ka: gjaku em i d’riut zakon. Kuptimi këtu është për testamentin, dhiatën, siç e ka dhënë me të drejtë Th. Qendroja në Fjalorin e Buzukut, botuar më 2013, sepse teksti latinisht e ka: sanguis meus novi testamenti. Rendi sintaksor është i njëjtë, sepse burimi ka qenë fjalia latinisht. Por lind pyetja: a e njihte Buzuku fjalën ‘testament’? E njihte dhe e ka përdorur disa herë. Kurse fjalën ‘zakon’ e ka përdorur edhe me kuptimin e sotëm, sepse po te Mateu, fare pak më poshtë (27:15) e ka: ish zakoni, në përputhje me kroatishten ‘običai be’, ngaqë latinisht ishte vetëm fjala “consueverat’, e cila në përkthimet e sotme, p.sh. frëngjisht është “avait coutume”, italisht “era solito”, anglisht “was wont” dhe gjermanisht “hatte die Gewohnheit”. Ma merr mendja, se Buzuku nuk ka ditur si ta thoshte foljen e latinishtes dhe i është drejtuar kroatishtes, domethënë kjo ka qenë mënyra e tij e punës, kur përgatiste një ligjëratë.

Shembujt e tillë janë prova bindëse, se Buzuku nuk ishte thjesht një përkthyes, por hartues i një libri, që përmblidhte shërbesat, ligjëratat e tij fetare, meshat. Luhatjet e tij janë rrjedhim i një praktike të gjatë ligjërimore, prandaj ai nuk e ka vënë re, se të njëjtin tekst e ka përkthyer edhe herë tjetër, si edhe të njëjtën fjalë e ka përkthyer ndryshe herë të tjera. Rasti më bindës është lutja themelore e krishterimit. Herën e parë ai e ka: ”O Ati ynë qi mbë qiellt je, kloftë festuem emënitë tat. Artë regjënia jote. Vollëndetja jote kloftë, porsi mbë qiellt ashtu edhe mbë dheet.” Herën tjetër e ka: “Ati ynë qi je mbë qiellt, u festoftë emënitë tat. Artë regjënia jote. Kloftë vollundetja jote, si mbë qiellt ashtu edhe mbë dheet.” Te ungjilli i Mateut ai ka edhe dy raste të tjera, që i ka përkthyer ndryshe në vende të ndryshme (7:5-13; 20:20-23), e po ashtu në pjesë të tjera.

Edhe në botimin e dytë të “Fjalorit enciklopedik shqiptar” (2008) përsëritet se Buzuku ishte “shqipëruesi i një libri kishtar”. Nuk mund ta pranoj këtë. Buzuku ishte përgatitësi, hartuesi i të parit libër shqip. Në Pasthënien e tij ai ka folur për një libër, jo për një përkthim. Për të hartuar atë libër, i është dashur të përkthejë shumë pjesë nga Bibla. Pjesët i ka marrë nga një botim përkatës latinisht dhe është mbështetur në një përkthim italisht ose kroatisht, kur ka pasur vështirësi. Nuk ka mundësi të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut. Nuk ka një libër kishtar, që ta ketë shqipëruar ky autor. Buzuku është autor, ai është autori i librit të parë shqip. Ai e ka ndërtuar vetë, duke pasur si qëllim që të përmbushte disa synime, për shembull, edhe si katekizëm, jo vetëm si meshar. Ai e ka bërë ashtu si e ka menduar vetë, natyrisht, duke synuar të plotësonte kërkesat sipas ritit fetar, sipas modeleve të librave të ngjashëm në gjuhë të huaj, por ky nuk është libër i mirëfilltë liturgjik kishtar, largohet prej një tipi të tillë kanonik. Buzuku ka bërë (jo ka përkthyer) një libër fetar shqip, sepse nuk njihte të tjerë të tillë, dhe e ka bërë për të ruajtur shqipen dhe, nëse më lejohet ta ngre pak stilin, Buzuku është idealisti i parë i librit shqip, i gjuhës shqipe. /Xhevat Lloshi/DITA/