MENU
klinika

Pavarësisht presionit ndërkombëtar

Nuk pritet Venecia, sot Kuvendi voton ndryshimet në Kodin Zgjedhor

29.10.2020 - 08:10

Paraditen e sotme në orën 10:00 Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancës plenare, ku do të votojë edhe për rrëzimin e dekretit të presidentit Meta për Kodin Zgjedhor.

Në Komisionin e Ligjeve ky dekret u rrëzua me 15 vota, ndërkohë që edhe sot pritet që ky dekret të rrëzohet me shumice votash.

Shtohet presioni europian, tetë eurodeputetë, letër Ramës

Një ditë më parë tetë eurodeputetë nga grupi i Partive Popullore Europiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian i drejtohen me një letër Kryeministrit Edi Rama, ku shprehin tronditje sipas tyre nga deklarata e kreut të qeverisë shqiptare për të miratuar Kodin Zgjedhor, pa pritur një opinion të Komisionit të Venecias. Në letrën e nënshkruar nga gjermanët, Michael Gahler dhe David McAllister, austriaku Lukas Mandl, suedezi David Lega, si dhe nga Sandra Kalniete, Letoni, Zeljana Zovko, Kroaci, Vladimir Bilcik, Sllovaki, i bëjnë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të vendosë të parin interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane, “të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve në Parlament derisa të flasë Komisioni i Venecias”.

Gjithashtu, eurodeputetët shprehen të shqetësuar që Kryeministri shqiptar nuk dëgjoi këshillën e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin. Po dje, kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David Mcallister ka reaguar përmes një shënimi në “Twitter” pas deklaratave të socialistëve se Kodi Zgjedhor do të votohet ditën e enjte (sot). “Shumë i shqetësuar se, pavarësisht thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që të presin një mendim të Komisionit të Venecias, votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, është caktuar për nesër. Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të thellojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”, shkruan Mcallister.

Zëdhënësja e KE: Palët të dëgjojnë eurokomisionerin

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero-Hernandez, është shprehur se Komisioni i Venecias do t’i japë palëve politike në Shqipëri një arsyetim të shpejtë lidhur me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Kuvend në 30 korrik. E pyetur nga gazetarët në lidhje me qëndrimet e palëve politike mbi kërkesën e Presidentit që të jetë Komisioni i Venecias ai që do të japë një mendim juridik mbi ndryshimet në fjalë, PisoneroHernandez u shpreh se qëndrimi i KE-së është i qartë dhe pasqyrohet edhe në reagimin e komisionerit Varhelyi. “Vendimi për t’ia lënë për shqyrtim Komisionit të Venecias dispozitat e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit të aprovuara nga Parlamenti i përket autoriteteve shqiptare. Bashkimi Europian beson se Komisioni i Venecias do t’u ofrojë palëve këshilla të shpejta lidhur me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të aprovuara nga Parlamenti në 30 korrik. Ne presim që palët të marrin në konsideratë udhëzimet e Komisionit të Venecias”, u shpreh ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ndryshimet e njëanshme, joproduktive për integrimin!"

Votimi i Kodit Zgjedhor pa pritur ‘Venecian’, reagon ashpër eurodeputeti gjerman