MENU
klinika

Iu çon formularët për deklarimin e pasurisë

OFL shënjestron anëtarët e “bandave” të Shijakut e Durrësit

23.10.2020 - 09:29

Operacioni Forca e Ligjit ka shkuar dje në 3 qytete, Shkodër, Bulqizë dhe Durrës, për t’u dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë 5 të dënuarve.

Mes tyre janë edhe Hajri Seferi i “bandës” së Shijakut dhe Indrit Taullau, ish-anëtar i “bandës së Durrësit”.

Burimet bëjnë të ditur se përveç Seferit e Taullaut, kanë marrë formularin për të deklaruar pasurinë edhe Gazmend Hasi, Enver Jakimi dhe Mario Zeqiri.

Policia tha dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Gazmend Hasi, banues në Shkodër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; Enver Jakimi, banues në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim; Indrit Taullau banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vrasja me paramendim”; Mario Zeqiri, banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Hajri Seferi, banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut për veprime të mëtejshme”, tha Policia.

Në qershor të vitit 2017, 7 muaj nga lirimi i të dënuarit me 25 vite burgim Lulzim Berisha, i cili konsiderohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i “bandës së Durrësit”, gjykata vendosi të lironte edhe një tjetër anëtar të kësaj “bande”.

Indrit Taulla, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për akuzën e tri vrasjeve dhe i vlerësuar nga Prokuroria si anëtar i grupimit të drejtuar nga Lulzim Berisha, ka lënë qelinë e burgut 3 vite më parë, me argumentin se vuan nga një sëmundje e zemrës.

Me këtë vendim lirimi, Taullait iu “falën” 11.5 vite burgim. Vendimi është marrë nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë, që vendosi të rrëzojë dy vendime gjyqësore, atë të 19 majit 2016 të Gjykatës së Elbasanit dhe 25 janarit 2017 të Apelit Durrës.

Këto gjykata kanë argumentuar se rrethanat e sëmundjes së zemrës nuk janë të mjaftueshme për lirimin e të dënuarit Taullai pasi nuk plotësohet qëllimi i ligjvënësit në dispozitën e parashikuar nga neni 478 i K. Pr. Penale, si dhe interpretimit të bërë në praktikën gjyqësore.

Veç kësaj, thonë gjykatat, rreziku i sëmundjes duhet të jetë real, tejet i rëndë dhe i avancuar, sa që personi të mos reagojë ndaj trajtimit mjekësor. Kjo gjendje e kërkuesit nuk është përshkruar si e tillë nga ekspertët mjekoligjorë, ndaj kërkesa nuk mund të pranohet.

Nga ana tjetër, Hajri Seferi i “bandës” së Shijakut, që mori dje letër nga OFL-ja, ishte një nga personat që ishte përgjuar më shumë dhe çoi në shkatërrimin e katër grupeve kriminale në operacionin “Vol-Vo 4”. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Seferi ishte urë lidhëse dhe koordinon punët mes tyre.

Nga përgjimet ai rezulton të ketë pasur lidhje me Abedin Kuçin ne Sarandë, të cilit i kishte siguruar disa herë lëndë narkotike. Gjithashtu, ai rezulton të ketë pasur kontakte me Armando Siporin, i cili është njohje e Astrit Avdylit.

Në korrik të vitit 2017 në makinën e Hajri Seferit u vendos një pajisje përgjuese. Bisedat e transkriptuara faktuan aktivitetin kriminal të tij, pasi ai dëgjohet teksa diskuton për çmimin, cilësinë dhe transportin e drogës.

Në aktivitetin e tij Seferi është ndihmuar edhe nga një oficer policie në Antidrogën e Fierit, Bledar Koçi. Sipas hetimeve, ky oficer shiste informacion te grupi i Hajri Seferit, duke dëmtuar shpesh aksionet.

Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin