Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përplasjen mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, deklaroi se kreu i shtetit tashmë është kthyer në një personifikim të opozitës.
“Mënyra si po luan presidenti, e vendos në hije liderin e opozitës. Në vende të dobëta me demokracinë si yni, opozita mund të identifikohet edhe me një person të vetëm. Në këtë kuptim, Presidenti është personifikuesi i liderit opozitar më të fuqishëm. Meta po përfaqëson vetëm njërën palë dhe po zëvendëson opozitën. Presidenti Meta ka gjetur mënyrën për t’i dhënë mesazh Lulzim Bashës”, tha Nazarko.
Mentor Nazarko theksoi se kritikat që i bëhen sot presidentit për dhënie shtetësie janë ekzagjerim.
“Meta ka histori të gjatë politike, ka pasur rol për të cilat mund të akuzohet. Një pjesë e kritikave ndaj presidentit, janë ireale. Kritikat për shkelje të Kushtetutës janë pa vend, shumë larg. Kritika për dhënien e shtetësive është e ekzagjeruar, mendoj. Dhënia e shtetësive është atribut ekskluziv i kreut të shtetit, duke ua dhuruar shtetasve të Kosovës, për shkak se Prishtina zyrtare është izoluar nga BE.
Presidenti e ka parë të arsyeshme, që në këtë izolim që prek edhe figura të njohura e intelektualë, të jetë më bujar. Figura të njohura a veteranë lufte duhet që të kenë shtetasi të Shqipërisë, që të ikë në Gjermani për shembull, të takojë miq e familjarë”, u shpreh Nazarko.
Më tej, Nazarko deklaroi se PD tani po bën një ligjërim kritik ndaj qeverisë, duke qenë se sulmin më të fuqishëm ndaj maxhorancës po e bën kreu i shtetit.
“Basha është krejt normale që të jetë i pranishëm në këtë mexhilisin tonë politik. Ka gjetur tema si antikorrupsioni, për çështje që janë të prekshme për jetën e njerëzve. PD po bën ligjërim kritik. Kjo është normale, në kohën që Meta është në sulm”, tha Nazarko.
Duke folur për reformën në drejtësi, Nazarko u shpreh se diçka edhe mund të pritet, ndërsa shtoi se nuk ka informacion nëse do ketë ndonjë goditje të fuqishme nga SPAK.
“Reforma në drejtësi ka protektoratin perëndimor, por ka vulë shqiptare. Pavarësisht se individëve po iu jepet pavarësi, por vështirë të shikojmë punë konkrete. Gjithsesi, mendoj se reforma në drejtësi është diçka pozitive. Unë mendoj se diçka pritet, diçka ka, prandaj brenda palëve politike ka agresivitet. Imagjinoj se do të ketë rezultate”, deklaroi Nazarko.
Mentor Nazarko theksoi se beson se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do të bëhen funksionale shumë shpejt.
“Besoj se ka ngelur shumë pak që të mbyllet ky gur në mozaikun institucional të sistemit të drejtësisë në vend. Palët duket se po gjejnë dakordësi, për të përmbushur vakancat edhe në Gjykatën e Lartë. Gjykoj se ndërkombëtarët do të ushtrojnë presion mbi palët politike që të ngrihet Kushtetutesja”, tha ai.
Në lidhje me situatën e koronavirusit, Nazarko vlerësoi se Shqipëria tashmë ka një trend rritës, njësoj siç po ndodh edhe në vendet e tjera europiane.
“Numri i testeve sa kam dijeni është rritur. Shifrat tona flasin se edhe ne jemi në trendin europian. Edhe vendet europiane që kanë infrastrukturë më të mirë se ne, janë në këtë trend. Ne tashmë jemi më të përgatitur, vaksina është në fazën e testimeve”, përmbylli Nazarko.