MENU
klinika

Ndryshimi i Kushtetutës për hir të serbëve

Politologu britanik: Kosovë nuk i garanton asnjë përfitim, si këmbim

19.10.2020 - 19:56

Ndryshimi i Kushtetutës për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, nuk do t’i siguronte Kosovës asgjë konkrete në këmbim. Kjo ishte deklarata e politologut britanik Aiden Heihr për RTV Dukagjinin. Kurse analistët politik në Prishtinë, kërkojnë që të mos pranohen ndryshime që prishin funksionimin e shtetit nga brenda.

Ligjëruesi i Universitetit të Uestminster, Aidan Heihr, në një përgjigje elektronike për RTV Dukagjinin, thotë se edhe po të ndryshonte Kosova Kushtetutën e saj, për krijimin e Asociacionit, kjo nuk do t’i garantonte diçka konkrete në këmbim, përcjell Telegrafi.

“Sigurisht që është e vërtetë që Kushtetuta mund të ndryshohet, por një veprim i tillë kërkon që qeveria të marrë diçka konkrete në këmbim. Nuk ka asnjë tregues që Kosova në të vërtetë do të fitojë nga lehtësimi i kërkesave të BE-së dhe Serbisë. Kosova nuk mund të vazhdojë të rrotullohet sa herë që kërkohet ta bëjë këtë nga fuqitë e jashtme pa kompromentuar thelbësisht pretendimet e saj për të qenë një shtet sovran”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Aiden Hehir.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se në rast të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Kushtetutat të dy vendeve, mund të pësojnë ndryshime. Por kërkojnë që të mos pranohen ndryshime që prishin funksionimin e shtetit nga brenda.

“Nëse do të vinte te ndonjë marrëveshje mes dy vendeve do të imponoheshin edhe ndryshime kushtetuese, sidomos te Serbia e cila ende e ka Kosovën në preambulë. Kompromisi ndoshta do të detyronte edhe Kosovën të bëjë ndryshime kushtetuese për të implementuar asociacionin, por ata duhet të jenë të kujdesshëm të mos pranojnë diçka që do të pengonte funksionimin e shtetit të Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekim Kabashi.

“Në këtë negociata që po zhvillohen në Bruksel Kosova është duke u disfavorizu. Faktorizimi i Kosovës është duke pasur rënie. Një mundësi që është ofruar nga zoti Lajçak mendoj se është e dëmshme për Kosovën”, deklaroi Allen Meta.

I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë e Serbi kishte deklaruar se marrëveshja mund të diktojë ndryshime Kushtetuese, duke thënë se ajo nuk është bibël që të mos ndryshohet.