Abuzimet me tenderat për mirëmbajtjen e rrugëve kanë çuar në pranga sot në mëngjes disa zyrtarë të Autoritet Rrugor Shqiptar në Durrës. Operacioni është kryer nga policia dhe prokuroria e Durrësit, ku mësohet se në pranga kanë rënë disa drejtorë dhe disa inxhinierë të lartë të Autoritetit Rrugor.
Bëhet fjalë për një dëm financiar prej mbi 200 milion lekë të vjetra, që ka sjellë ngritjen e një çështje penale në policinë dhe prokurorinë e Durrësit. Mëngjesin e sotëm, kjo dosje është konkretizuar me arrestimin e disa zyrtarëve të ARSH-së, dhe se operacioni vijon të jetë ende në zhvillim e sipër.
Për momentin mësohet se janë arrestuar nga policia disa zyrtarë.
Ndërkohë është shpallur në kërkim biznesmeni Mustafa Koka, i cili nuk është arritur të gjendet nga policia.
Mustafa Koka, sipas burimeve të policisë është ndërtuesi i një karburanti në rrugën kombëtare që lidh zonën e Plepave me Kavajë. Burimet shtojnë se për këtë karburant ai është shpronësuar me mbi 200 milion lekë të vjetra nga ARRSH, pasi sipërfaqen e truallit dhe karburantit ia kapte plani për zgjerimin e rrugës.
Por nëpërmjet dokumentave të falsifikuara, Mustafa Koka, dhe me ndihmën e zyrtarëve të ARRSH-së, të cilët thonë burimet kanë shpërdoruar detyrën, Koka ka prishur barrierën mbajtëse të rrugës, duke krijuar hyrje-dalje në rrugën kryesore të paligjshme.
Ky veprim është kryer me argumentin se sipërfaqja e tokës ku është ndërtuar rruga, vijonte të ishte e biznesmenit Mustafa Koka, kur në fakt nga verifikimi i dokumentacionit, ky i fundit rezultonte të ishte shpronësuar nga ARRSH-ja, disa vite më parë. Prishja e barrierës së rrugës nga biznesmeni Koka, është kryer pasi disa metra më larg ai ka ndërtuar një karburant tjetër.