MENU
klinika

Libohova sqaron diskutimet në mbledhje

Presidenti i Ligës: Përgjigja finale nga Kryeministri

20.10.2020 - 12:40

Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, ishte i pranishën në takimin e zhvilluar në ambientet e ministrisë së financave, mes përfaqësuesve të Ligës dhe qeverisë. Në prononcimin për mediat, Libohova, foli në lidhje me diskutimet e bëra në këtë takim, duke deklaruar:

“Është një hap pranë zgjidhjes. Problemet që u diskutuan ishin në 2 pjesë, në 3 pikat më pak të rëndësishme, për të cilat gjetëm gjuhën e përbashkët dhe do të jemi një prononcim nga Ministria e Financave së shpejti.

Ndërkohë që për Ligjin e Sponsorizimit që është dhe “thembra e Akilit” e gjithë kësaj situate, debatuam duke propozuar dhe gjetur atë që do të jetë më e mirë. Ditën e premte do të kemi një përgjigje përfundimtare për një zgjidhje e cila do të pranohet edhe nga komuniteti i sportit dhe futbollit për të filluar një epokë të re.

Futbolli do të fillojë mbasi ne të kemi një përgjigje e cila do të kënaqë kërkesat tona. Nuk mund të them që do të fillojë këtë javë apo javën tjetër. Nuk morëm asnjë propozim nga ministrja, vetëm diskutim. Nuk ka një variant të miratuar, në tavolinë janë 2 variante, ai ekzistues dhe ai i propozuar nga ne.

Ekspertët bashkë me ministren po diskutojnë që cili nga variantet kënaq kërkesat tona. Ne këmbëngulim te varianti ynë. Do të presim deri ditën e premte për të marrë një përgjigje. Akoma nuk ka dakordësi. Nuk është e kollajtë, negociatat zgjatin. Variantet ministria do t’ia propozojë kryeministrit. Përgjigjen përfundimtare e presim nga Kryeministri.

Varianti që ka kërkuar Liga ka brenda elasticitetin për t’u diskutuar. Nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit. Ministria do të paraqesë shumë shpejt qëndrimin e saj për zgjidhjen e të 3 pikave, që janë të pranueshme nga komuniteti i sportit. Bojkoti vazhdon deri në përgjigjen përfundimtare që të kënaqë kërkesat tona”.