MENU
klinika

Homazhi për mbretëreshën Geraldinë

“Ajo i solli shtetit 25 vjeçar shqiptar, letrat e munguara të fisnikërisë…”

23.10.2020 - 10:04

Kryeministri Edi Rama ka bërë ditën e sotme homazh për ndarjen nga jeta të mbretëreshë Geraldina.

Rama shkruan se ajo nuk ishte vetëm gruaja e një mbreti por ishte dhe përfaqësuesja e hijshme në sytë e botës, e imazhit të një Shqipërie të panjohur.

‘Regina’ e quan kryeministri i vendit Geraldinën. ‘Geraldina ishte “Regina”, nuk e mbretëroi Shqipërinë por e la zemrën, mendjen dhe gjithë jetën e saj të mbretërohej nga Shqipëria dhe për këtë ajo meriton të kujtohet sot, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta aspak përrallore, dhe përgjithmonë si ato përrallat e fëmijërisë sonë me mbretër e me princesha, ku princesha është gjithnjë pjesa më tërheqëse e rrëfimit.’- shkruan Rama.

Postimi i plotë i Ramës:

HOMAZH
GERALDINA E SHQIPTARËVE ishte një mbretëreshë si ato në përralla, një princeshë e rënë nga qielli në një hon prej ku e nxorri matanë vetëm fundi. “En ma fin est mon commencement” – Tek fundi im është ripërtërtja ime – ishte motoja paramortore e të famshmes Mary Stuart, mbretëresha e Albanisë antike, Skocisë, e cila aq shumë do t’i shkonte si titull kujtimit të Geraldinës së Shqiptarëve.
Konteshë e lindur në splendorin perandorak të monarkisë habsburgase, me një gen të shpenguar e liridashës amerikan prej së ëmës, bukuroshja magjepsëse e dinastisë së Trëndafilit të Bardhë të Budapestit, ra në krahët e monarkut ekstravagant të Shqipërisë dhe i solli shtetit 25 vjeçar shqiptar, letrat e munguara të fisnikërisë. Nëse fati është jeta dhe jetët janë fate, Geraldina e Shqiptarëve iu nënshtrua parashkrimit të jetës së saj si një fat nopran deri në dhimbje, duke i dhënë dinjitet edhe në honin më të thellë ku fati e flaku, misionit të saj kundrejt një populli të huaj që e birësoi si nënë, si vajzë dhe si sovrane. Ky mision, në sytë e besimtares së devotshme që ajo ishte, nisi me bujën e madhe të një martese përrallash, u zhvillua në dekada të tëra heshtjeje si një zhgjëndërr sfilitëse prapa diellit dhe u mbyll, bashkë me sytë melankolikë të mbretëreshës së rënë nga vakti, në tokën e mohuar për së gjalli.
Geraldina e Shqiptarëve nuk qe vetëm bashkëshortja e një mbreti. Ajo ishte “Geraldina Regina”, përfaqësuesja e hijshme në sytë e botës e imazhit të një Shqipërie të panjohur, qoftë kryekreje kur bota na shihte si një kënd plot pluhur të një perandorie të perënduar, qoftë më pas, kur për botën Shqipëria ishte bunkeri i një sekti të marrësh stalinistë dy hapa larg Perëndimit.
Geraldina ishte “Regina”, nuk e mbretëroi Shqipërinë por e la zemrën, mendjen dhe gjithë jetën e saj të mbretërohej nga Shqipëria dhe për këtë ajo meriton të kujtohet sot, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta aspak përrallore, dhe përgjithmonë si ato përrallat e fëmijërisë sonë me mbretër e me princesha, ku princesha është gjithnjë pjesa më tërheqëse e rrëfimit.