MENU
klinika

Shkakton edhe humbje të dëgjimit...

Pse është kaq e rrezikshme kolesteatoma, që prek veshin?

28.10.2020 - 17:43

Kolesteatoma është një ndryshim shkatërrues i pjesës së mukozës së veshit të mesëm që bëhet ind epitelial. Për rrjedhojë, prodhon qeliza të vdekura lehtësisht të infektueshme. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një strukturë cistike që ndodh për shkak të akumulimit të epitelit skuamoz ku duhet të gjendet një mukozë. Bëhet fjalë për një çrregullim beninj.

Sipas disa studimeve klinike, kjo patologji shkakton humbje të pakthyeshme të dëgjimit, shkatërrim të strukturës kockore dhe ndërlikime të rënda për shkak të natyrës së saj përhapëse. Dhe pse bëhet fjalë për një sëmundje të rrallë, është thelbësore të njohim simptomat për të ndërhyrë sa më parë të jetë e mundur.

PËRHAPJA

Shumë çrregullime shkaktojnë dhimbje veshi. Kolesteatoma mund të jetë origjinë e kësaj simptome, por nuk është shkaku i vetëm. Duhet të dini cilat janë grupet në rrezik që shfaqin këtë sëmundje. Një studim i publikuar në revistën e otorinolaringologjisë dhe kirurgjisë cerviko-faciale jep të dhëna të rëndësishme mbi përhapjen në botë të kolestoatomës.

Sipas saj bëhet fjalë për një patologji të rrallë që prek popullsisë mes 3 deri në 79 vjeç, me një mesatare prej 41 vjeç
Prevalenca e saj, apo numri i individëve të prekur nga sëmundja në një popullatë të caktuar, është 3 fëmijë për 100 mijë dhe 9 të rritur për 100 mijë. Pas trajtimit në 10 deri në 20% të rasteve priret të rikthehet.

E theksojmë që bëhet fjalë për një sëmundje të rrallë, por dhe të vështirë për tu trajtuar. Diagnostikimi i hershëm gjithashtu është i rëndësishëm. Me kalimin e kohës kisti ritet duke vënë në rrezik dëgjimin dhe mirëqënien e personit.

SHKAQET

Kjo patologji është pasojë e formimit të një dëmtimi beninj. Ky lezion është për shkak të pranisë së epitelit skuamoz të keratinizuar në një zonë anomale, përkatësisht epitympanum, mastoid dhe veshi i mesëm. Sipas burimit që cituam më sipër, janë tre lloje të kolesteatomës:

E lindur: Daullja e shëndetshme e veshit ka mbetje embrionale të lëkurës.

I fituar primar: shfaqet nga xhepat e tërheqjes së membranës timpanike, të cilat sipas studimeve janë depresione tipike të disa zonave të daulles së veshit.

I fituar sekondar: ndodh pas shpimit timpanik për shkak të një procesi infektiv, zakonisht gjatë fëmijërisë. Ky lezion nuk shërohet si duhet, prandaj favorizon shfaqjen e kistit.

Kolesteatomat e fituara konsiderohet një variant i otitit media kronik, dhe lloji primar është më i zakonshëm. Gjithashtu duhet të sqarojmë se kolesteatoma mund të klasifikohet dhe sipas zonës së prekur të kanalit të dëgjimit.

SIMPTOMAT

National Library of Medicine raporton se simptomat mund të jenë të ndryshme. Më të zakonshmet janë këto më poshtë:
Marrje mendsh
Sekrecion me qelb që mund të bëhet kronike për shkak të shfaqjes së proceseve infektive në brendësi të veshit. Kjo gjendje ndonjëherë shoqërohet dhe me ndjesinë e plotësisë apo tensionit në brendësi të kafkës.

Humbje e dëgjimit: vjen për shkak të një transmetimi të reduktuar të tingullit për shkak të kistit të pranishëm në kanalin e dëgjimit.

Paralizë nervo-faciale nga ngjeshja e strukturave afër si pasojë e proceseve infektive.

Absceset e trutit apo meningjitit.

Kolesteatoma është një patologji që mund të shfaqet me simptoma të rënda pasi kisti rritet në përmasa dhe me kalimin e kohës mund të nxisë ndërlikime të ndryshme. Mes tyre, dhe thyerje të ndonjë kocke të veshit të mesëm apo strukturave të tjera të veshit. Sidoqoftë, duhet vënë re se disa persona e kanë sëmundjen në mënyrë asimptomatike.

DIAGNOSTIKIMI

Një ekzaminim i veshit mund të tregojë një xhep apo një hapje në daullen e veshit, shpesh me kullim. Një depozitë e qelizave të vjetra të lëkurës mund të shihet me otoskop, mjeti i veçantë për veshin, apo në mikroskop. Ndonjëherë mund të shihet dhe një grup i enëve të gjakut në vesh.

Skanimi apo elektroinstagmografia mund të kryhen për të përjashtuar shkaqet e tjera të marramendjes.

TRAJTIMI

Trajtimi i kolesteatomës është kompleks pasi jogjithmonë është e mundur të hiqet i gjithë kisti. Kjo është pikërisht arsyeja pse në 10 deri në 20% të rasteve mund të rikthehet me kalimin e kohës. Për këtë arsye kontrollet e rregullta periodike janë të rëndësishme.

Trajtimi përfundimtar ësht ëme natyrë kirurgjikale, pasi ndërhyrje konsiston në heqjen e masës së indit. Ndonjëherë, për fat të keq, është e nevojshme të hiqet zinxhiri i kockave në veshin e mesëm. Kirurgut gjithashtu mund ti duhet të zëvendësojë kockat e dëmtuara me kërc apo struktura sintetike.

SËMUNDJE E RRALLË POR DUHET KUJDES

Kolesteatoma është një sëmundje e rrallë, por përballë një humbje dëgjimi dhe dhimbje veshi, mkeu do ta marrë në konsideratë si një shkak i mundshëm. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet menjëherë kolesteatoma mund të shkaktojë dëme të mëdha të aparatit të dëgjimit të pacientit. Nëse keni probleme me dëgjimin, konsultimi me mjekun do të jetë mundësia më e mirë.