MENU
klinika

Lorenc Vangjeli

Rama në pushtet me tri pushtetet përballë

27.10.2020 - 18:01

Nga Lorenc Vangjeli

Qeverisja e një vendi, si rregull dhe jo si përjashtim, është problemi kryesor i një vendi. E tillë ishte dje nën Sali Berishën, e tillë është sot dhe njëlloj do të jetë edhe nesër, pavarësisht emrit të kryeministrit të vendit. Nuancat, ndryshimet dhe kontrastet ndërmjet problemeve në qeverisje dhe qeverisjes si problem, kushtëzohen përgjithësisht vetëm nga qasja e shoqërisë ndaj tyre. Një qasje e cila shprehet me votë në mënyrë ciklike, në raportin me opozitën që vendoset në përditshmëri, te marrëdhënia me Parlamentin ku qeverisja duhet të certifikohet në vijimësi, te përplasja me sistemin gjyqësor, nëse ndodh ndonjëherë dhe te ballafaqimi me median, që është një ushtrim demokracie.

Në këto katër reflekse të njëpasnjëshme dhe të njëkohshme, në këto pushtete përballë, qeverisja e Edi Ramës është tërësisht atipike. Dhe ka shumë pak përqasje me pushtetet përpara tij dhe me të gjitha gjasat, nuk do të ketë një të dytë të tillë, pikërisht për shkak të rrethanave totalisht të veçanta që e sollën rrjedhën e mandatit të tij të dytë nën këtë lloj ure. Raporti i Ramës me pushtetin vetjak dhe me pushtetet e tjera ndërtohet po në mënyrë atipike, jo vetëm nga vetja dhe njerëzit e tij, por kryesisht nga “inxhinierët” kundërshtarë politikë, pikërisht ata që do të duhet ta rrëzonin.

Duke nisur me votën dhe zgjedhjet e 25 prillit, që parashikohen me siguri se do të jenë zgjedhjet më të paparashikuara ndonjëherë. Me një kundërshtar jashtë sistemit, me të gjitha bashkitë nën flamurin e tij, me Kodin Zgjedhor që i maksimalizon mundësitë, Rama ka shans për të parë si do të qeverisë Rama 3. Llogaritë elektorale, të projektuara nga diagrama e votës në vite, saktësojnë se edhe me një minimum prej 45-47 për qind të votave të vlefshme, Rama mund të marrë 71 deputetët që i duhen për qeverinë e ardhshme. Ai është nisur drejt 25 prillit, ndërsa kundërshtarët e tij ende kanë ngelur te komisioni Nishani. Në ankth për listën dhe vendin në listë, demokratët janë me sytë nga selia që i vendos në listë dhe jo nga kutia që do t’i sillte në pushtet. Shto këtu dhe ashpërsimin në kulm të teknologjisë idiote të të çuarit në ekstrem të së ligës dhe veshjen e së ligës ekstreme vetëm në supet e qeverisë.

Në fakt, që kur është “shpikur” opozita në Shqipëri, si kur ka qenë e majtë, si tani që është e djathë, ajo ka perfeksionuar deri në absurd mekanizmin e gjykimit sterrë për gjithçka përtej saj, ekzagjerimin ekstrem, tonin e çmendur të daulleve të luftës edhe kur duhet kënduar himni i paqes, kultivimin e armiqësisë edhe kur duhet bashkëpunimi, ndarjen fatale edhe kur kompromisi ulërin për ndihmë. Me shumë beteja të njëpasnjëshme të fituara, opozita rrezikon fatin e luftës finale përpara kutisë së votimit, sepse ka shmangur aksiomën e thjeshtë: nëse do të dëgjohesh larg, fol me zë të ulët! Sepse e vërteta nuk bërtet kurrë!

Në këto rrethana, për fat të keq, opozita e Bashës nuk ngjan si zgjidhja e problemit, por si një nga problemet që duhen zgjidhur. Fillimisht me rifutjen e saj në sistem e më pas, me “shohim e bëjmë”! Poli i tretë i qytetarëve, ata që ndodhen në fashën gri të të pavendosurve, si rregull bëhen me atë që flet me zë më të ulët. Dhe përballë Ramës që vetëm tallet dhe opozitës që vetëm bërtet, kryeministri ka shans të marrë një fetë më të madhe nga kjo tortë votuesish.

Sistemi gjyqësor vazhdon traditën përballë ekzekutivit. Ende pa rënë i vjetri dhe ende pa u ndërtuar i riu, drejtësia vazhdon të sillet si preja e tij e trembur dhe jo si gjuetari që tremb. Edhe pse është ende herët të thuhet, ka shumë gjasa që deri në pranverën e ardhshme, drejtësia të bëhet një faktor në zgjedhje. Drejtësia e vjetër, ajo që i linte punët përgjysmë si në rastin e dosjeve të famshme, 339 dhe 184, u dëshmua vetëm si një urë zjarri për të djegur Shqipërinë dhe për të mbajtur ngrohtë shpresa ekstraparlamentare për ndryshim pushtetesh.

Mbetet të verifikohet nëse drejtësia e re mund të ndëshkojë pandëshkueshmërinë, që si rregull duhet të kërkohet tek e sotmja dhe jo te mëkatet e djeshme të dy mandateve më parë. Me median ndryshon puna. Nëse në fund të mandatit të Berishës 2 gazetarët kritikë me të numëroheshin me gishtat e një dore, gishtat e një dore janë shumë për të gjetur gazetarë që rreshtohen pro Ramës. Kryeministri ia ka dalë të relativizojë kritikët e tij, jo duke shpjeguar të vërtetat e veta, por duke sulmuar të vërtetat relative të kritikëve.

Rama sillet në mënyrë atipike me median, e sulmon, e tall, e fyen, e bën batutë dhe meme, e provokon, e duelon duke përdorur çdo teprim e hap “fake” të saj, si një mjet që e ndihmon të dalë nga cepi i të gjykuarit dhe e ul në poltronin e gjykuesit. Zgjedhje apo fatalitet, fat apo zgjidhje, dilemat e shumëfishta drejt prillit, do të marrin përgjigje pak muaj më pas kur qeverisja e vendit dhe qeverisja e opozitës, do të gjykohen nga shqiptarët më të ndarë se kurrë në gjykim për të mirën dhe të keqen që pushtetet kalërojnë mbi shpinën e tyre. Me kusht që palët të kuptojnë se një disfatë e merituar vlen më shumë se një triumf i gënjeshtërt!