MENU
klinika

Trajneri para ndeshjes me Kazakistanin

Reja me këmbë në tokë: Të mos dalim pa pikë

10.10.2020 - 17:08

Ka habitur jo pak trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, me fjalët e tij në konferencën për shtyp, teksa kërkon që skuadra e tij të mos dalë pa pikë nga stadiumi i Kazakistanit ditën e nesërme.

Reja synon që Shqipëria të godasë kundërshtarët nga krahët. Ai theksoi se e njeh mirë Kazakistanin, i cili luan me 5 mbrojtës dhe është ekip i vështirë për t’u thyer. Reja u shpreh gjithashtu se humbja me Lituaninë erdhi për një gabim individual dhe sfida duhej të mbyllej në barazim.

Si kanë qenë kritikat pas humbjes me Lituaninë? A është ndeshja kundër Kazakistanit një mundësi për të ndryshuar faqe?

Ishte një moment i vështirë, sepse erdhëm pas fitores me Bjellorusinë. Ishim në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike. Nuk e mendoja se do të humbisnim, gabimi ndodhi. Mendoj se rezultati i drejtë me Lituaninë duhej të ishte barazimi për atë dhamë në fushë.

Asgjë nuk është ndërlikuar, siç e tha Berisha, jemi të gjitha ekipet me nga 3 pikë. Të gjithë duam të kualifikohemi. Jemi përgatitur fort gjatë kësaj jave, pres një rezultat pozitiv. E njoh Kazakistanin, është shumë i organizuar. Kërkoj maksimumin e lojës dhe përqëndrimit.

Pësuam një gol. Ishte një moment fatkeqësie për ne. Njëri nga lojtarët tanë duhej t’ia pasonte topin portierit dhe ia dha kundërshtarit. Janë gjëra që ndodhin në ndeshje dhe për këtë duhet t’i kuptojmë. Ishte gabim individual, jo kolektiv.

Sa mirë e njihni Kazakistanin dhe cilët janë lojtarët më të rrezikshëm dhe që krijojnë probleme?

Është i organizuar. Në krah ka lojtarë të fortë dhe teknikë. Izlakan është i rrezikshëm dhe kthehet pas, përbën rrezik të vazhdueshëm. Kazakistani është konstant i qëndrueshëm. Mesfusha dhe sulmi luajnë shpejt përpara dhe vënë në rrezik të vazhdueshëm me kundërsulmet.

Pikat e dobëta të Kazakistanit?

Nuk shoh dobësi tek ata, është ekip i organizuar mirë, edhe në mbrojtje. Ka pak pika të dobëta. Janë të organizuar. Kanë 5 mbrojtës dhe 4 mesfushorë dhe është shumë i vështirë t’i çash. Ne do të përpiqemi nga krahët dhe në sulm të shfrytëzojmë rastet tona.

Cili do të ishte rezultati i kënaqshëm?

Më intereson që të bëjmë paraqitje të mirë. Rezultati pozitiv vjen kur luan mirë. S’duhet të humbasim. Dëshira ime është të mos humbasim që të mos ndërlikojmë garën tonë dhe të mos rëndohemi psikologjikisht. Futbolli luhet për fitore, por varet dhe nga rivali që ke përballë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Itinerari dhe formacioni i mundshëm

Revolucion me të rinjtë, Kombëtarja po ndryshon