Shifrat në rritje të rasteve ditore kanë sjellë shtim të numrit të pacientëve në dy spitalet COVID, duke krijuar mbingarkesë dhe vështirësi për stafin mjekësor. Janë thuajse 40 urgjenca çdo ditë, autoambulanca që i drejtohen spitalit me pacientë të infektuar të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor të specializuar.
Ministrja Manastirliu tha pak ditë më parë se në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” ka ende shtretër të lirë, por nëse vijohet me këtë ritëm shtrimesh, atëherë java tjetër do të sjellë hapje të spitalit COVID 3 (ish-kirurgjitë në QSUT).
“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 260 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.
Shtohen të infektuarit në arsim, vatrat e reja
Përkundër të gjitha masave të rrepta brenda dyerve të shkollave, çdo ditë raportohen vatra të reja infeksioni me COVID-19 në radhët e arsimtarëve. Një shkollë me pak nxënës në Kavajë është detyruar dje të mbyllë dyert pas konfirmimit të dy mësuesve me COVID-19, ndërsa janë shtuar rastet e reja në Bulqizë, Fushë-Krujë e kryeqytet.
Dy nga gjashtë mësuesit e shkollës 9-vjeçare në Blerimaj të qytetit të vogël rezultuan me koronavirus. Njësia vendore e kujdesit shëndetësor mësohet të ketë marrë tamponët e mësuesve të tjerë, ndërsa nuk është interesuar për asnjë nga 40 nxënësit që ka shkolla.
Deri në pritje të përgjigjes së tamponit, shkolla kolektive do të qëndrojë e kyçur, ndërsa mësimi teorikisht duhet të zhvillohet “online”.
Një tjetër vatër e nxehtë është qarku i Dibrës, ku pas prekjes së bluzave të bardha, virusi po bën kërdinë edhe në shkolla.
Vetëm pak ditë pasi dolën pozitivë pesë mësues të shkollës “Shefqet Tançi” në Bulqizë, nga armata e mësuesve kanë rezultuar edhe tre mësues të tjerë, dy prej të cilëve janë nga gjimnazi i Bulqizës dhe një nga shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda”.
Ndryshe nga shkolla në Kavajë që u detyrua t’i vendosë kyçin shkollës me pak nxënës, në institucionet e lartpërmendura mësimi ka vazhduar pa ndërprerë me zëvendësimin e shpejtë të mësuesve të infektuar. Kryeqyteti vijon të mbetet problematik.
Në shkollën e mesme “Isa Boletini” mësohet të jenë infektuar katër mësues. Këta të fundit ndodhen në karantinë, ndërsa kolegët e tyre vijojnë mësimin normalisht, pa u testuar, ndonëse kanë ndarë vendin e punës me mësuesit e infektuar.
Në Fushë-Krujë është identifikuar një nxënëse e klasës së tetë në shkollën “Shote Galica”, por është ende e paqartë nëse ka nxënës të tjerë të infektuar gjatë kohës që bashkëmoshatarja e tyre ka ndjekur mësimin.
Distanca, higjiena dhe filtrat nëpër të cilat kalojnë nxënësit çdo ditë përpara se të futen në klasa nuk e kanë mbajtur larg për shumë gjatë infeksionin nga shkollat. Në një muaj e gjysmë janë regjistruar një numër i konsiderueshëm rastesh ndër nxënës e stafe pedagogjike.
Për vijimin normal të mësimit, në rastin ideal, mësuesit janë zëvendësuar brenda pak ditësh.
Një vendim qeverie ka miratuar së fundmi një fond prej një mijë mësuesish si staf mbështetës për të mbuluar nevojat për mësues gjatë pandemisë janë ende të paezauruar, ndërkohë që nuk dihet mënyra se si rekrutohen të rinjtë që zëvendësojnë mësuesit e infektuar gjatë kësaj kohe.