MENU
klinika

Nga Spartak Ngjela

“S’duhet pyetur për kërcënimet e Beogradit, marrëveshja Kosovë-Shqipëri, duhet të vijojë”

11.10.2020 - 13:34

Nga Spartak Ngjela

Ja një rregull strikt në politikë: kur kundërshtari yt i egër tërbohet nga akti yt përfitues, ti duhet të vijosh me mëtejësinë e atij akti.

Kjo duhet të jetë edhe metoda politike e nisur në politikën shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës në lidhje me bashkimin kombëtar, dhe as që duhet pyetur për kërcënimet qesharake të Beogradit politik.

Marrëveshja gjithshqiptare Kosovë-Shqipëri, duhet të vijojë, sepse ajo është historia e ardhshme e Shqipërisë.

Si duhet të jetë marrëveshja?

Tre janë aspektet e domosdoshme të marrëveshjes gjithëshqiptare:

Midis dy ushtrive Shqipëri-Kosovë.

Në tregtinë e lirë, pa tarifa doganore; në investime të përbashkëta në prodhimin industrial për të hyrë në Tregun Perëndimor; dhe investim në strukturimin juridik të tregut e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Në arsimin e lartë dhe të mesëm për fillimin e reformës së përbashkët arsimore dhe ngritjen e një universiteti shqiptar të nivelit të lartë Perëndimor; të financuar nga të dy shtetet.

Po serbët e çmendur?

Shqiptarët duhet t’i lënë ata në mendjengushtësinë e kriminelit ordiner, dhe të vijojnë reformën gjithëshqiptare në Ballkanin Petëndimor.

Cila është kjo reformë?

l

Marrëveshja trefishe Shqipëri-Kosovë, që përcaktuam më lart, mban në vetvete reformën gjjthëshqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Pa u bashkuar territorialisht nën administrimin e Tiranës: Prishtina, Shkupi, Presheva, Plava e Gusia, Sanxhaku dhe Çamëria, Ballkani nuk do të ketë qetësi, sepse është në zhvillim integral bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Më i rëndësishëm është fakti që në të gjithë këtë trevë që përfshin katër shtete, shqiprarët janë aleatë të pamposhtur të Amerikës.

Po Amerika?

Politika amerikane kuptohet se është në avanguardë të kësaj skeme, por po has pengesa nga krerët e shitur shqiptarë, të cilët janë të gjithë të korruptuar.

Por, pastrimi i tyre ka filluar: janë dy gjykata që do të bëjnë pastrimin e antishqiptarëve në Prishtinë dhe në Tiranë: Gjykata Speciale në Hagë, për korrupsionin antishqiptar në Kosovë; dhe Gjykata e Posaçme në Tiranë, për korrupsionin antishqiptar në Shqipëri.

Në fakt, kjo është në substancë reforma panshqiptare në Ballkanin Perëndimor.

ll.

A kemi ne sot shenja të qarta që kjo reformë panshqiptare po ecën në drejtimin që përcaktuam më lart?

Sigurisht që shenjat janë të plota. Ngritja në funksion të të dy gjykatave speciale, njëra në Tiranë dhe tjetra në Hagë, është shenja-provë e cila na provon se panshqiptarizmi është skemë e politikës amerikane dhe politikës gjermane.

Të dyja gjykatat e ngritura posaçërisht për të pastruar politikën shqiptare nga të shiturit e korruptuar, tani është prova që na provon se bashkimi panshqiptar në Ballkanin Perëndimor, në një shtet, është çështje kohe, madje duhet theksuar se kjo është një çështje që i takon të ardhmes së afërt.

lll.

Po ta shohesh me vëmendje dhe pa u ngutur, me një analizë të thjeshtë e kupton se politika amerikane është në avanguardë për bashkimin panshqiptar në Ballkanin Petëndimor. Kjo sepse, Ballkani Perëndimor është një zonë shumë e rëndësishme e interesit amerikan, dhe shqiptarët janë sot populli më proamerikan në këtë zonë. Të tre shtetet sllavë, që në fakt janë pushtues territoresh shqiptare, nuk kanë lidhje fare me interesin amerikan, sepse janë nën influencën ruse. Prandaj, eliminimi i korrupsionit të lartë shqiptar është një domosdoshmëri për t’i hapur rrugën politikës së re shqiptare.

Por, ndërkohë janë dy politika sllave që kanë blerë liderët politikë në Shqipëri dhe në Kosovë: Beogradi dhe Moska.

Të dy këta kanë shpenzuar miliona për bllokimin e zhvillimit shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë. Sigurisht për Shqipërinë ky është një turp historik, por ja që është një realitet i hidhur.

Gjithsesi, në funksion të këtij fakti, na duhet të theksojmë edhe një herë që Specialia e Hagës për Kosovën dhe Byroja Kombëtare e Hetimit e Gjykata e Posaçme në Tiranë, janë instrumentet që do të shpëtojnë shqiptarët nga ky turp historik që i ka pushtuar dhe nuk po i lë që të marrin frymë.

Opinioni publik në Shqipëri ndërkohë po pret fillimin e hetimit të korrupsionit të lartë shtetëror nga BGH. Dhe ndërkohë, ngritja e kësaj Byroje tani ka filluar.

Domethënë Shqipëria dhe shqiptarët, më në fund, kanë hyrë në rrugën e tyre të shpëtimit.

Po Beogradi? Ai le të vijojë të lehë me treshen e vet të deprimuar që po i drejton, se shqiptarët e kanë të garantuar sigurinë dhe historinë e tyre progresive në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.