MENU
klinika

Perëndimi i jetës

“Shkoj në periferi për të gjetur qendrën time”

09.10.2020 - 15:32

     “Duket se ne mësojmë diçka për jetën dhe artin, kur provojmë se ç’do të thotë fjala vetmi”.

Maurice Blanchot

Të shumtë janë artistët, që, nisur nga një periudhë e caktuar e ekzistencës, vendosin të eklipsohen nga jeta publike dhe tërhiqen për të jetuar në një lloj vetmitimi. Për shembull: Blanchot dhe Godard. I pari (mbase eksperimentuesi më i madh, filozofi dhe shkrimtari francez i pasluftës), thuhet se dekadat e fundit të jetës i kaloi i ngujuar në shtëpinë e tij në Mesnil-Saint-Denis, në periferi të Parisit. U zbulua nga një gazetar, i cili guxoi t’i binte ziles, duke e pyetur: “Ju jeni Maurice Blanchot?” ai iu përgjigj: “Jo, Blanchot nuk jeton këtu”, duke ia mbyllur derën në fytyrë për t’u kredhur përfundimisht në mosekzistencën e tij. Do ishte fqinji, ai që do njoftonte vdekjen e tij në botë. I dyti (Godard) dihet se jetoi si midhja në guaskë në Rolle, një fshat buzë liqenit Lemano, midis Lozanës dhe Gjenevës. E syrgjynosi veten atje në fund të viteve shtatëdhjetë, duke braktisur Parisin me frazën mitike: Shkoj në periferi për të gjetur qendrën time. Në Paris nuk ka pyje, nuk ka ujë, nuk ka ajër… Mungojnë elementet që më duhen për të bërë filma./Konica.al

Arsyet e tërheqjes, vënë në veprim nga shumë artistë (dhe jo-artistë), mund të jenë të shumta, por ndoshta të atribuueshme në tre raste: dikush tërhiqet në jetën private për të punuar pa u shqetësuar ose përkundrazi, dikush tërhiqet për t’iu dorëzuar heshtjes, të vetëdijshëm për pakuptimësinë e të folurit e së fundmi, tërhiqemi për të dëgjuar dhe shijuar heshtjen.

Kategoria e parë përfshin të gjithë ata, që besojnë në mundësinë e të folurit, në vlerën e artit si mënyrë ekzistence dhe rezistence. Këta persona u arratisen trazirave sociale, për t’iu përkushtuar studimit të çmendur dhe të dëshpëruar, krijimit artistik. Montenji, Paskoli, Leopardi… janë të pafundmë emrat e autorëve që kanë pasuruar artin (dhe e kanë zbukuruar botën) falë veprave të tyre, të shkruara në vetminë dhe heshtjen shoqërore të folesë së tyre.

Ata që tërhiqen nga konteksti shoqëror, duke e shoqëruar këtë zgjedhje me heshtjen e punës së tyre, i përkasin çështjes së dytë. Godard i përket këtij grupi, pasi ka shoqëruar me retraite (tërheqje) një rrallim progresiv të të folurit (deri në pragun e heshtjes). Kjo kategori zakonisht përfshin ata artistë, të cilët, në rrugën e tyre krijuese, kanë çuar në krizë nivelin e eksperimentimit. Për këta njerëz, shpesh gjenialë, të cilët kanë zbërthyer artin, të cilët kanë vënë në dyshim dimensionin e fshehtë të punës krijuese, të cilët kanë rrënuar idenë e të qenit në gjendje t’i japin trupit një univers paralel, që, sipas mënyrës prustiane, të mund të rigjejnë kohën e humbur e të shpengojnë ndjenjën e zbrazëtisë së realitetit; për këta njerëz që kanë shkatërruar rrëfimin, duke treguar se si çdo përpjekje për të krijuar një tërësi artistike, nuk ishte gjë tjetër veçse mashtrim (për të cilin ata u përpoqën të riprodhonin pakuptimësinë e realitetit me anë të një shkrimi të kalcifikuar, të ndërprerë, të copëtuar dhe fragmentar); me pak fjalë, për të gjithë këta pesona (surrealistët, avangardistët, neoavangardistët…) tërheqja në vetmi çoi paralelisht në vdekjen e artistit, tashmë i vdekur mes të gjallëve, si dhe heshtjen e çdo vepre që do të vinte./Konica.al

Në përputhje me rrugën e tyre të dekonstruksionit dhe relativizimit, këta individë, duke u tërhequr nga shoqëria, ia kanë dhënë artin e tyre një procesi të barabartë të zbrazjes së kuptimit, duke e dorëzuar veten në faqen e zbrazët, në pamundësinë (marrëzinë) e të thënit.

Kategorisë së tretë i përkasin shkrimtarët mistikë: ata që kanë përdorur artin për të ndjekur një kuptim të mëtejshëm dhe për t’i dhënë zë pranisë-mungesës së Tjetrit. Blanchot i përket kësaj kategorie, i cili për një kohë të gjatë shkruajti në përpjekje jo për të pohuar veten, por për të nxjerrë zërin e qenies së fshehur. Jo rastësisht, në fund të shkrimeve të tij, shkruan: Jeta e saj i kushtohet tërësisht letërsisë dhe heshtjes që është mirëfilli e saj. Motoja që mbizotëroi ekzistencën e Blanchot ishte: të shfaqesha sa më pak të ishte e mundur, të mos lartësoja librat e mi, por të shmangia praninë e një autori që do të pretendonte ekzistencën e tij. Blanchot teorizoi humbjen e autorit në të shkruar. Sipas tezës së tij, vepra duhet të ecë vetë dhe, pasi të jetë shkruar, duhet t’i përgjigjet vetëm vetvetes. Zëri i atij që thotë unë në brendësi të tekstit përfaqëson një gënjeshtër sensacionale. Qëllimi është që, duke u zhdukur, autori të lejojë prani-mungesën të shfaqet. Në këtë kuptim, shkrimi bëhet (në mënyrë rilkiane) vendi ku shfaqet e padukshmja.

Për këta shkrimtarë, të tërhiqesh në heshtje, do të thotë të përthithesh prej saj. Do të thotë të kuptosh se e padukshmja nuk flet, se Tjetri, i ndjekur për kaq gjatë, është edhe i përparmë edhe i pasmë i çdo fjale, dhe se çdo fjalë, përkundrazi, e heq atë në mënyrë të pandryshueshme. Sepse fjala diskriminon, ndan, konflikton. Me t’u shprehur, ajo shpërbënë Unin, shkatërron pafundësinë e mundësive, duke i reduktuar ato në një paraqitje të vetme dhe të mjerueshme. Blanchot shkruan: Nuk kam treguar asgjë të jashtëzakonshme apo mahnitëse. E jashtëzakonshmja fillon në momentin që ndalem dhe nuk jam më mjeshtri i të folurit. E njëjta ndodh edhe me këta shkrimtarë, si ata që i përkasin grupit të dytë, e lëshojnë veten në heshtje, por sipas një itinerari dhe destinacioni krejt tjetër. Jo sepse ata janë viktima të pakuptimësisë, të magjepsur nga relativizmi dhe të menduarit e dobët, por sepse vetëm heshtja është konsubstanciale me të papërshkrueshmen, të pashprehshmen dhe vetëm në heshtje mund të jetë njësh me Tjetrin. Për shkak se Tjetri është një boshësi e pastër, tashmë atë nuk e shqetësojnë, sa më shumë që duam ta përshkruajmë dhe ta kapim, aq më shumë na shpëton. /Konica.al