MENU
klinika

Eliminatoret e Botërorit 2022

Shqipëria e Kosova mund të shortohen në një grup

22.10.2020 - 21:08

Ndonëse pritet zyrtarizimi nga FIFA, Shqipëria duket se ka siguruar përfundimisht pjesëmarrjen e saj në vazon e katërt në eliminatoret e Botërori 2022, duke rënë ndjeshëm në krahasim me pozitat ku gjendej në edicionin paraardhës, të cilin e filloi nga vazo e tretë në grup.

Shqipëria aktualisht është e 36-a në renditjen europiane, sipas klasifikimit të FIFA-s që do të merret për bazë në këtë short, ndërsa të 55 skuadrat do të ndahen në 10 grupe.

Edhe pse ka dy ndeshje në nëntor të cilat mund t’i fitojë, skuadra e Edi Rejas do të sigurojë shumë pak pikë meqë janë ekipe me koeficient të ulët si Kazakistani e Bjellorusia, duke e bërë të pamundur ndryshimin e vazos në short.

E njëjta situatë është edhe për Kosovën, e cila është e destinuar që të mbetet në vazon e pestë në shortin që do të hidhet në Zyrih. Kështu, të dy përfaqësueset rrezikojnë që të ndeshen si kundërshtare me njëra-tjetrën gjatë eliminatoreve, në kërkim të një kualifikimi që padyshim do të ishte historik.

Data 7 dhjetor do të jetë vendimtare për përfaqësuesen shqiptare të futbollit, e cila do të mësojë në atë datë emrat e rivalëve të saj në kualifikueset e Botërorit 2022, ndeshje të cilat nisin që në marsin e vitit të ardhshëm sipas kalendarit të ri ndërkombëtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN