MENU
klinika

Sipërmarrës për investime strategjike

Shqiptarët në prag të epokës Trump/ Intervistë me Enri Çeno

26.10.2020 - 12:36

Në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, ku presidenti Trump për “Republikanët”dhe zv.presidenti Biden për “Demokratët” garojnë për një mandat të shtetit që mbron dhe promovon demokracinë në botë – redaksia e Faktor ka vendosur ti marrë një intervistë ekskluzive z.Enri Çeno, sipërmarrës i sukseshëm në Ballkan, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike për çështjet e të Drejtave të Njeriut. Ai është një njohës i mirë i politikës së Jashtme, veçanërisht i interesuar për politikën amerikane.

Cili është kuptimi i presidencës së dytë Trump për Ballkanin?
Jo shumë kohë më parë, Presidenti Trump negocioi një marrëveshje shumëdimensionale mes Kosovës dhe Serbisë. Për disa, ishte një arritje historike e diplomacisë ekonomike, e ngritur mbi një mundësi investimi prej disa miliarda dollarësh. Për disa të tjerë, marrëveshja ishte thjesht një copë letër. Për të cituar ata që nuk besojnë, marrëveshja nuk ia vlejti fletën e letrës që u nënshkrua. Për ata që kanë besim, kjo marrëveshje nënkupton fundin e fjalëve dhe premtimeve boshe. Në këtë këndvështrim, marrëveshja premton paqe dhe prosperitet në kohën tonë. Presidenca e dytë republikane mund të hapë një “epokë Trump” për rajonin – në këtë rast ne që nuk votojmë në Amerikë dhe jetojmë këtu, do të duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e sfidës. Nëse i marrim punët e mira si të mirëqena, nëse mendojmë se fuqitë botërore kanë kohën dhe durimin të derdhin mbi ne miliarda të pafundme, pra nëse veprojmë siç kemi bërë deri më sot – pra rrimë këmbëkryq dhe nuk bëjmë asgjë, atëherë asgjëja do të jetë pikërisht ajo që do të marrim. Le të jemi të qartë – marrëveshja Trump përkthehet në paqe dhe prosperitet për ata që janë të gatshëm të ngrihen dhe të luftojnë për to. Tek Presidenti Trump, Amerika ka gjetur një lider që realizon një tip lidershipi që nuk e kemi hasur më parë. Ambasadori Grenell përfaqëson agjendën Trump për këtë pjesë të botës – i arriti të bënte bashkë Kosovën dhe Serbinë, dhe, përkundrejt të gjitha parashikimeve pesimiste, realizoi një marrëveshje që nuk paracakton fituesit, por që jep shanse për ata që duan të punojnë. Neve na duhet të provojmë se jemi të aftë dhe mjaftueshëm të fortë për të sfiduar ata që thonë se asgjë nuk është e mundur në Ballkan. Një mandat i dytë i Trump në SHBA është parathënia e një rrugë të gjatë, përgjatë së cilës ne mund të bëjmë gjëra të cilat pakkush deri para pak kohësh i mendonte të mundshme.

Dhe çfarë është saktësisht e mundur në situatën gjeopolitike aktuale?
Shumëçka që mund të shkojë mirë dhe shumëçka që mund të shkojë keq- varësisht nga kush udhëheq, ku synon lidershipi i radhës, dhe sa të vetëdijshëm jemi ne vetë në lidhje këtë. Nën Presidencën e Trump, kemi shansin që – nëse arrijmë të bëjmë atë që na takon – të marrim pjesë në projekte të mëdha që mund të ndryshojnë përgjithmonë ekonominë e rajoni. Mos harrojmë, asgjë nuk vjen falas. Epoka e Trump i dha fund super-shpenzimeve prej dhjetëra miliardash dollarësh të taksapaguesve amerikanë të shpërdoruar çdo vit, me dekada me radhë për të financuar programe të dala boje demokratizimi, konferenca paqeje dhe vëllazërie që mbushën xhepat e OJQ-ve lokale, ndërkombëtare dhe të miqve të tyre ish-diplomatë. Në epokën Trump, OJQ-të e shampanjës dhe havjarit do të duhet të kërkojnë një vend tjetër për të mbushur xhepat. Mandati i dytë Trump, i jep fund vetëkënaqësisë së elitave lokale – nuk do të ketë më para të taksapaguesve amerikanë për të paguar seminaret e VIP-ave lokalë nëpër hotele të këndshme: neve do të na duhet të investojmë paratë dhe resurset kombëtare në projekte madhore që shihen në mënyrë të favorshme nga një administratë amerikane që nuk i ngjan aspak atyre që kishim deri më sot. Do të na duhet të marrim përsipër rreziqe, si meritat për suksesin, ashtu edhe përgjegjësitë për dështimet. Erdhi fundi i kohës kur gjithçka – paratë e SH.B.A.-së, programet e SH.B.A.-së, dashamirësia e SHBA – merreshin si të mirëqena. Kjo epokë ka marrë fund. Fundi i saj do të na ndihmojë të rritemi si kombe.

Si do të dukej saktësisht rritja?
Më lejoni ta përshkruaj në terma konkretë: një port të thellë në Shqipëri, i ndërtuar dhe administruar nga SH.B.A., i lidhur me rrjetin hekurudhor pan-evropian përmes infrastrukturës hekurudhore që kalon nëpër Kosovë dhe Serbi. Fundi i dominimit të heshtur të Kinës, e cila tashmë kontrollon shumicën e porteve dhe projekteve madhore të infrastrukturës në këtë pjesë të botës. Një hidrocentral i madh në Shqipëri i ndërtuar me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA. Lidhje të rregullta ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një rrjet i përbashkët hekurudhash, aeroportesh, autostrada, portesh tokësore. Prosperitet ekonomik i mbështetur në bashkëpunimin e ish armiqve të cilët nuk kanë më nevojë të rishpikin veten si miq të rremë. Ose bashkëpunojmë, ose dështojmë. Kështu përkthehet plani Trump – në pak fjalë.
Nuk duhet të harrojmë diçka: Presidenti Trump i përcaktoi Serbisë dhe Kosovës një rrugë të qartë për marrjen e mbështetjes konkrete nga SHBA. Shqipëria është pjesë e kësaj udhe. SHBA dëshiron që ne të dalim me zgjidhje dhe projekte të dakorduara nga të dy palët. Për sa kohë që ne jemi dakord, ajo do t’i mbështesë. Na takon ne të jemi partnerë të denjë – për SH.B.A. dhe njëri-tjetrin. Gjithçka përmblidhet këtu.

Ju iu referuat një porti të thellë, i cili përmendet në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti Trump…
Porti i thellë është një nismë kolosale, një portë hyrëse për prosperitetin ekonomik të Ballkanit. Është çelësi për ta pasur Amerikën të pranishme në rajon, pikërisht në kohën kur kemi nevojën ekzistenciale të japim argumente dhe arsye si për angazhimin e shtuar amerikan, ashtu dhe për prezencën e aleatit tonë kryesor. Ne duhet ta meritojmë Amerikën, dhe kjo është arsyeja pse në epokën Trump duhet t’i bëjmë llogaritë mirë. Nëse për Trump punëtorët amerikanë vijnë të parët, ky fokus i Trump – America first– nuk duhet të kuptohet si një neoshovinizëm amerikan që godet serbët apo shqiptarët. Kjo nuk është një lojë ku ose vetëm fiton ose vetëm humb, dhe ne e dimë këtë. Kjo duhet kuptuar akoma më mirë, përtej propagandës. Në lidhje me nismën për portin e thellë, kemi një pikënisje të shkëlqyeshme: Kosova dhe Serbia ranë dakord të kryejnë një studim të përbashkët fizibiliteti për të shqyrtuar lidhjen e rrjeteve të tyre hekurudhore me një port tregtar kontejnerësh në bregdetin e Adriatikut. Marrëveshja Kosovë-Serbi përcakton se të dyja vendet do të punojnë me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të Sh.B.A dhe Eximbank të për të operacionalizuar projekte të mëdha infrastrukturore.

Cila është logjika në thelb të investimeve të tilla strategjike si ai i portit të thellë? Pse angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA vjen tani?
Logjika shtrohet në terma shumë të thjeshtë: SHBA-të janë në rajon për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën, pasi shqiptarët dhe serbët nuk janë krijuar për të luftuar me njëri-tjetrin në jetë të jetëve. Kombet tona i kanë të gjitha kapacitetet të punojnë së bashku në një projekt madhor për transformimin e Ballkanit Perëndimor. SHBA këtu ka një rol kyç, por që ndryshon thellësisht nga mënyra e saj e mëparshme e të vepruarit. Shtetet e Bashkuara nuk duan më të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë. Ata duan të dëgjojnë prej nesh propozime konkrete. Pyetja që shtrohet për rajonin nuk është më çfarë kanë ndërmend SHBA të bëjë për ne. Për ne shtrohet pyetja tjetër: a janë vendet e Ballkanit të afta dhe të gatshme të paraqiten me projekte me ekonomi shkalle që janë sa të realizueshme, që edhe ambicioze dhe të qëndrueshme ekonomikisht? Mendoj se ne i kemi këto potenciale. Kosova dhe Serbia nxiten të paraqesin në SH.B.A projekte të përbashkëta që kërkojnë ekonomi shkalle, dhe këtu porti i thellë është xhevahiri i kurorës. SHBA është e gatshme t’i marrë në konsideratë këto projekte. Ajo do të mbështesë ato që kanë më shumë kuptim për Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, për Amerikën. Kjo është një mundësi që nuk vjen shpesh. Ajo që ne kemi në dorë është të aktivizojmë kapacitetet tona. Për të marrë kaq shumë na duhet të japim më të mirën.

Mediat liberale ndërkombëtare ka mbajtur qëndrime kritike rreth projekteve madhore të infrastrukturës për Ballkanin të udhëhequra nga SH.B.A. Disa pretendojnë se këto projekte janë vetëm fjalë. A ka realisht sens gjeopolitik që SHBA të përfshihen në bashkëpunim ekonomik të këtij niveli në këtë pjesë të botës?
Nuk është sekret që jo të paktë janë aktivistët liberalë, diplomatë apo ish-diplomatë, si dhe ekspertë amerikanë, të cilët edhe pse paguheshin apo paguhen nga taksapaguesit e SH.B.A.-së, vazhdojnë të angazhohen në një fushatë anti-reklame intensive për gjithçka që Trump ka bërë apo synon të bëjë për këtë pjesë të botës. Ky grup është i përfshirë një përpjekje sistematike për të ulur rëndësinë e nismës së SH.B.A.-së për ngritjen e infrastrukturës në rajon. Rëndom e quajnë këtë iniciativë një mashtrim të madh, si një torbë premtimesh boshe, si thjesht një shfaqje për të marrë pikë diplomatike, etj. Koha do të provojë vërtetësinë apo falsitetin e secilës palë. Përsa i përket aktualitetit: Nisma e SH.B.A.-së për nxitjen e marrëdhënieve ekonomike në rajon të përqendruara në lidhjen hekurudhore Prishtinë-Nish bën sens, si gjeopolitikisht, ashtu edhe ekonomikisht. Depërtimi i SH.B.A-së nëpërmjet korridorit Kosovë-Serbi i hap rrugën investimeve private amerikane. Korridori Prishtinë-Beograd ka dalje në një port të thellë në Shqipëri. Kjo skemë e thjeshtë dhe e guximshme do t’i heqë brenda pak vitesh Kinës ekskluzivitetin e aksesit në Evropën Juglindore, të cilën deri më tani Kina e mban përmes kontrollit mbi Portin e Kontejnerëve të Pireut në Greqi. Kina deri më tani ka derdhur dhjetëra miliarda dollarë për ta bërë Pireun pikën hyrëse të rrjetit të saj global apo “Kokën e Dragoit” të rrugës së saj të re të mëndafshit. Pireu është vetëm njëra kolonë mbështetëse e urës së madhe kineze që kontrollon rrugët tregtare për Evropë. Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria, të gjithë po ndiejnë peshën e çizmes kineze në infrastrukturën e tyre. Greqia ka hapur rrugë, Hungaria po bashkëpunon, Gjermania qëndron e heshtur dhe Evropa po ul kokën para gjithë kësaj. Korridori i integruar i infrastrukturës transportit Serbi-Kosovë-Shqipëri do të përmbysë përfundimisht këtë prirje disavjeçare dhe do t’i japë SHBA-së epërsinë që i nevojitet në Evropën Jug-Lindore. Lidhja e hekurudhës Beograd-Prishtinë me një port kontejnerësh në det të thellë do t’u japë përgjigjen përfundimtare atyre flasin pa fund dhe pa pikë përgjegjësie mbi padobishmërinë e hamendësuar të këtij projekti. Nuk ka më vend për të gabuar: SHBA nën Presidentin Trump është aktori i vetëm në gjendje ta realizojë atë. Serbia, Kosova, Shqipëria do rreshtohen pas udhëheqjes së SH.B.A, pasi kjo nuk është thjesht zgjedhja më e mirë – është zgjedhja e vetme. Hekurudhat gjermane tashmë e kanë bërë të qartë se interesi i tyre ekonomik mbërrin deri në jug të Rumanisë dhe jo më tej. Hekurudhat austriake, italiane, greke, sllovene, kroate konfirmojnë të njëjtën mungesë interesi në Ballkan. Zgjidhja për ne është – ose SHBA e Trump, ose status-kuoja për dekadat që vijnë. Nëse i duam vendet tona, nëse duam që vendet tona t’ia dalin, nëse duam të jemi më mirë se ç ‘jemi, duhet ta thyejmë status-kuonë.

Çfarë do të thotë një Port i Thellë në aspektin teknik?
Ndërtimi i portit të thellë në një pikë strategjike në Shqipëri, të lidhur me korridorin Kosovë-Serbi t’i mundësojë SHBA-së kontrollin e aksesit të një impianti portual me thellësi natyrore mbi 30 metra, që në planin afatgjatë do të ulë rëndësinë relative të investimit kinez në portin e Pireut (thellësia natyrore 18 metra). Korridori infrastrukturor i ndërtuar dhe i kontrolluar nga SH.B.A Shqipëri-Prishtinë-Nish-Beograd, do të ketë një kapacitet shumë më të lartë se korridori aktual kinez Pire-Budapest, pasi ndjek një trajektore ndjeshëm më të shkurtër drejt zemrës së Evropës. Ndërtimi i këtij korridori do të realizohet me kosto tejet kompetitive, dhe do ti shërbejë SH.B.A për të përmirësuar opsionet e transportit për bazat e saj ushtarake në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Mos bëni gabimin t’i konsideroni këto projekte si të dala nga asgjëja – ekspertët më të mirë i kanë përpunuar ata në detaj. Administrata amerikane është e informuar në lidhje me to dhe do të mbështesë gjithçka që avancon interesin amerikan në rrafshin ekonomik dhe gjeostrategjik. Detyra dhe obligimi ynë është të jemi pjesë e kësaj dinamike.

Diçka për të shtuar?
Është diçka totalisht e kotë që politikanët shqiptarë nga Shqipëria apo Kosova të përpiqen të ndikojnë me propagandën e tyre shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare se për kë të votojnë në Amerikë dhe pse. Qytetarët amerikanë do të votojnë siç kanë bërë gjithmonë për atë që duan – bazuar në gjykimin dhe ndërgjegjen e tyre individuale. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se marrëveshja e paqes Kosovë-Serbi e ndërmjetësuar nga Trump për këtë pjesë të botës është një ofertë me vlera të pamohueshme – nuk ka kuptim të qëndrojmë mënjanë dhe të dyzohemi nëse duhet ta marrim këtë tren apo jo. Rëndësi ka të kuptohet një gjë – ne si shqiptarë duhet të mësojmë të vëmë në plan të parë interesin kombëtar. Nëse ne duam të merremi seriozisht nga të tjerët, duhet të marrim veten seriozisht. Po, kjo është një botë e ndërlidhur; dhe kjo është arsyeja pse na duhet të bashkëpunojmë me kombet e tjera në rajon. Duhet të punojmë së bashku si partnerë, si shtete dhe si vende. Ne nuk duhet ta shohim veten thjesht si shtojca të organizatave të plotfuqishme ndërkombëtare. Paqja në emër të vlerave mbinjerëzore, prosperiteti i bazuar në retorikën e stërlodhur për demokratizimin dhe internacionalizmin ka dekada që nuk vjen, e tashmë kanë kaluar dekada të tëra që nga rënia e murit të Berlinit. Paqja mund të arrihet, ajo është brenda mundësive dhe aftësive tona, e kjo nuk mund e nuk duhet të na falet nga të tjerët. Kjo është ajo Trump, Grenell dhe O’Brien na thonë, dhe kjo është e shkruar në marrëveshjen më të madhe kornizë që ka përfshirë ndonjëherë Kosovën Serbinë, Shqipërinë dhe rajonin. Nuk duhet ta harrojmë këtë.