MENU
klinika

Ikën poeti...

Shuhet në moshën 85-vjeçare, Faslli Haliti

16.10.2020 - 15:13

        Poeti, shqipëruesi dhe shkrimtari, një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe, Faslli Haliti, u shua sot në moshën 85-vjeçare. Ndarja e tij nga jeta, është një humbje për poezinë shqipe. 


Faslli Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935.

Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist në rrethit Lushnjë dhe në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001, ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH.

Është nderuar me çmime kombëtare dhe ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja, si: italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III, të klasit I, si dhe me “Naim Frashëri i Artë”.

Është “Qytetar Nderi” i Lushnjës dhe “Nderi i Qarkut Fier”. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhuruar nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. Haliti është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.


FASLLI HALITI

BRAKTISJA

(Fier-Sheganit, fshatit të konvaleshencës ideologjike)

Qenkan mbushur kanalet që hapa dikur këtu me bel
Kanalet i paska veshur bari pothuaj të gjithë.
Parcelat qenkan rrethuar me tel
Arat qenkan thurur me drizë

Fshati Fier-Shegan,
Fshati socialist,
Mjeku
I konvaleshencës sime ideologjike,
Shëruesi i virusit tim borgjez, revizionist.

* * *

Të prita te ara e Sheqit, buzë Semanit Ali,
Shok i brigadës së arave,
Shok i vaditjeve!
S’më erdhe.
S’e di pse s’më erdhe

S’e di pse ?
Ç’u bëre shok i prashitjes së misrit,
Shok i kavalleve të orizit
Ku je?!

Të prita ty Durim, shoku im i vijave kulluese
Dhe ty Qani Bali, bir i kulakut të prita,
S’u takova dot me ju
Ju kishit ikur.
Nuk dihej
Ku…

Të kërkova
Dhe ty Vjollca,

Sa pambuk e pjepra kemi vjelë bashkë.
Të prita
Si s’më erdhe, si ?
Je martuar, më thanë !
Ka kohë që ke ikur nga fshati.
Ka kohë që je bërë edhe nënë.

Të kërkova
Dhe ty Agim Murati,
Kemi hapur kanale bashkë,
Edhe ti paske ikur nga fshati?
Ti «traktori» i brigadës paske emigruar,
Kjo është e pabesueshme, Agim
Ti të shkoje në Kanada?
Po kjo është shembje,
Kjo është hata…

Po të pres te Arra
Buzë Vjosës
Besnik,
Te arra e Madhe,

Ku kalonim vapën pas prashitjes atje, të dy…
Edhe ti Besnik paske emigruar?!
Ku ?
Në Francë
Në Angli ?!

Edhe ti Besnik
Paske “tradhtuar”
Fshatin tënd socialist,
Edhe ti Besnik u tregove i “pabesë”
Duke ikur me gomone, çave deteve tinëzisht?

Si s’erdhët
Si s’u takuat me mua Izet, Ramazan, Kadri
Shokë të ngarkimi-shkarkimit të qerres

Të paharruarit e mi,
Pa u ndarë
Me
Mua,
Emigruat vërtetë
Pa u ndarë me shokun tuaj të arave
Pa u ndarë me shokun tuaj të belit, shatit shkuat në kurbet !

Po ata që ishin fëmijë të vegjël fare atëherë
Kur unë «shërohesha» mes jush
Ideologjikisht:
Ariani për shembull,
Altini, Indrit, Arbeni, Ermali,
Ku janë?
Kanë ikur për studime
Në Londër, Paris, botës tejembanë ?!

* * *

Klarinetisti Dane ka kohë që ka ikur në Had ?!
Padrejtësi të merrje muzikantin para meje
Padrejtësi Zot, padrejtësi
Padrejtësi e madhe
Perëndi!

Më mbeti
Pa muzikuar poezia,
Gardh pa purteka tingujsh, melodish
Gardh i pa thurur më mbeti!
Ç’e gjeti, klarinetisti Dane
Ç’të gjeti poezia ime
Ç’e gjeti…!

* * *

Qenkësh shpërbërë, pothuaj plotësisht
Fshati i konvaleshencës sime ideologjike
Qenka boshatisur dhembshurisht
Fshati i viteve të mia të rinisë…
Fshati i dikurshëm
Socialist.

Pleqtë paskan vdekur pothuaj të gjithë,
Të rinjtë paskan emigruar,
Të rinjtë
S’i njohim më,
S’na njohin më as ata,
Kjo është e dhimbshme për mua,
Kjo është shkretinë e shkretëtirës, hata…

* * *

Esenin
Edhe mua
Po më ndodh
Siç të ndodhi dikur edhe ty…
Edhe mua sot këtu s’m’i hedh sytë askush…
Edhe unë s’njohkam më këtu asnjeri…

Po ju përqafoj, pra
Ju plepat buzë kanaleve
Ju shelgjishte buzë pellgjeve,
Ju kumbulla,
Ju pjeshkë, ju qershi në lulëzim.
Po shtrihem mbi ty, pra, bar i blertë…
Po shtrihem mbi ty blerim i ri i vendit tim.

2010