MENU
klinika

Përgjigjet e pyetjeve kryesore

Si do të funksionojë vaksina anti-Covid?

24.10.2020 - 18:21

Që në fazat më të hershme të pandemisë, vëmendja e të gjithë botës është fokusuar në prodhimin e një vaksine kundër Covid-19. Nëse do të kemi në dispozicion një të tillë, shpresohet që ajo të ketë sukses në zhdukjen e virusit, duke e eleminuar nevojën për t’u mbështetur vetëm tek masat e kontrollit, që kanë një kosto të madhe ekonomike.

Në të kundërt, bota ndoshta do të duhet të jetojë me Covid-19 si një sëmundje endemike. Koronavirusi nuk ka gjasa të zhduket në mënyrë spontane. Lajmi i mirë është se krijimi i një vaksine të tillë është i mundur, por duhet të kemi durim. Zhvillimi i një ilaçi të ri kërkon shumë kujdes dhe një testim të gjerë, për t’u siguruar që ajo që po prodhohet është e sigurt dhe efektive.

Si do të funksionojnë vaksinat kundër Covid-19?

Edhe pse nuk kuptohet plotësisht se si trupi ynë ndërvepron me Sars-CoV-2, mendohet se një pjesë e virusit shkakton një përgjigje imunitare:është e ashtuquajtura proteina në formë gozhde, që ngjitet në sipërfaqen e virusit. Ndaj, të dyja vaksinat deri tani më premtuese kundër Covid-19 synojnë ta nxisin trupin tonë të prodhojë këto proteina thelbësore, në mënyrë që ta trajnojë sistemin tonë imunitar t`i njohë ato dhe të shkatërrojë çdo grimcë virale që mund të hasë në të ardhmen.

Çfarë e përcakton përgjigjen tonë ndaj një vaksine?

Struktura e një vaksine, nuk është faktori i vetëm që përcakton intensitetin e përgjigjes sonë imune. Siç e tregojnë Meno van Zelm dhe Pol Xhill, ekzistojnë 4 variabla të tjerë, për shkak të të cilave çdo person ka një përgjigje të ndryshme ndaj një vaksine:mosha, gjenet, faktorët e jetesës e infeksionet e mëparshme ndaj të cilave ka qenë i ekspozuar. Mund të ndodhë që jo të gjithë individët të fitojnë imunitet të qëndrueshëm nga një vaksinë.

Pse vaksinat na garantojnë një imunitet më të fortë?

Nëse është dizajnuar si duhet, një vaksinë mund të na garantojë një imunitet më të fortë sesa infeksioni natyral. Arsyeja është se vaksinat mund të bëjnë që sistemi ynë imunitar të synojë pjesë të njohura të patogjenit (për shembull proteinat në formë gozhde), ato mund të shkaktojnë një përgjigje më intensive duke përdorur përbërës të quajtur ndihmës, dhe mund të dërgohen në zonat thelbësore të trupit ku ka më shumë nevojë për një përgjigje imune.

Si ta përdorni vaksinën kur ajo të jetë në dispozicion?

Shkencëtarët mendojnë se 50-70 për qind e popullsisë duhet të jenë rezistente ndaj koronavirusit, që të pengohet përhapja e tij mëtejshme. Përdorimi i një vaksine për të imunuzar kaq shumë njerëz brenda një kohe të shkurtër mund të jetë i vështirë, thotë eksperti Adam Klezkovski.

Një lloj vaksine është rrallë 100 për qind efektive, dhe hezitimi i njerëzve, bashkë me efektet anësore të mundshme, mund ta bëjnë vaksinimin e shpejtë të popullatës një objektiv jo realist. Një strategji më e mirë mund të jetë të vaksinohen njerëzit më të rrezikuar, dhe ata që ka më shumë të ngjarë të infektojnë shumë të tjerë.

Si po përparon zhvillimi, testimi dhe miratimi i vaksinës së Oksfordit?

Zhvillimi i vaksinave është sot më i shpejtë sesa ka qenë ndonjëherë. Provat e fazës 1 dhe fazës 2 të kësaj vaksine ishin të suksesshme. Testet e hershme të fazës së tretë treguan se vaksina e forcon në fakt sistemin imunitar, sikurse edhe pritej. Por pyetja miliona dollarëshe është nëse na mbron vërtet nga Covid-19. Për ta zbuluar këtë, ajo po vijon të testohet tek mijëra njerëz, dhe kjo kërkon edhe fillimin e programeve të vaksinimit në vende të ndryshme të botës.

Si do të prodhohet dhe shpërndahet vaksina?

Prodhimi i vaksinës në shkallë industriale është një nga sfidat më të mëdha. Meqë vaksinat Covid-19 do të përmbajnë materiale biologjike, ato do të duhet të mbahen të ftohta deri në kohën e administrimit tek njerëzit. Përndryshe ato do të bëhen joefektive. Sipas një vlerësimi, 25 për qind e dozave bëhen të papërdorshme para se të arrijnë në destinacionin e tyre.

“Nacionalizmi i vaksinave”, një kërcënim për vaksinimin e të gjithëve

Qeveritë e disa vendeve kanë nënshkruar marrëveshje me prodhuesit, për t’u pajisur me vaksinat e para. Më të varfrit rrezikojnë të mbeten duarbosh, gjë që do të vinte në rrezik jetën e njerëzve, dhe do të pengonte çdo përpjekje për të zhdukur koronavirusin në të gjithë botën.

India mund të luajë një rol kryesor në shmangien e një skenari të tillë. Një institut atje ka arritur një marrëveshje për të prodhuar 400 milion doza të vaksinës së Oksfordit. Por me 1.35 miliardë njerëz që ka vendi, mbetet e paqartë se sa nga këto doza do të dërgohen jashtë shtetit.

Si mund të rritet besimi i njerëzve tek vaksinat?

Strategjia e zakonshme është intensifikimi i mesazheve pozitive që jepen në publik. Por një strategji më e mirë, sipas Mark Honigsbaum, do të ishte të pranonim se ka shumë gjëra që nuk i dimë për sa i përket asaj se si funksionojnë disa vaksina. Një hap i mëtejshëm mund të jetë bërja e qartë se nëse disa vaksina shkaktojnë efekte anësore, përgjegjësia u mbetet prodhuesve. Dhe kjo është e rëndësishme, pasi ata shpesh përjashtohen nga kjo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!