Ndryshimet e propozuara nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë, ose bëjnë të pavlefshme veprimet e saj është shprehur Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Përmes një deklarate për shtyp Zyra e Prokurorit në Hagë ka ngritur dyshime për ndryshimet e propozuara të cilat sipas tyre zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kapitulli II i Kushtetutës dhe janë antikushtetues
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar edhe komentin që ka bërë presidenti Thaçi, në përgjigje të informacionit të kërkuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Presidenti i ka justifikuar këto ndryshime duke thënë se janë marrë për ti bërë të qartë opinionit publik kosovar se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë më së shumti pesëvjeçare.
“Për t’i shmangur këto paqartësi dhe për të eliminuar çdo dilemë është rekomanduar që të bëhen amendamentet e propozuara të “Nenit 162” të Kushtetutës, gjegjësisht paragrafët 13 dhe 14 të riformulohen”, thuhet në informacionin e ofruar nga Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, në muajin prill, e cila u bë publike pak ditë para se Thaçi të ishte pjesë e takimit të planifikuar të mbahej në Uashington.
Pas dëshmive të Thaçit, nuk është bërë ende e ditur nëse aktakuza është konfirmuar apo hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili i ka pasur gjashtë muaj kohë në dispozicion për ta shqyrtuar dosjen.