Pakënaqësinë me listën e vitit 2017, demokratët e Korçës e shprehën menjëherë sapo u dha mundësia. Anëtarësia e PD-së dje në qarkun juglindor votoi kandidatët që nuk do t’i shoh në listën e ardhshme të PD-së për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.
Nga deputetët e dalë nga viti 2017 u konfirmua vetëm Ervin Salianji, i cili sipas burimeve ka marrë edhe më pak vota kontestuese në degën ku ishte në listë, ndërsa Hekuran Hoxhalli në degën Devoll u skualifikua.
Burime nga grupi i numërimit të votave tregojnë se Hoxhalli ka marrë më shumë se 800 vota kontestuese. Shifër, e cila kalon gjysmën e numrit të votuesve që kanë marrë pjesë. Surpriza ka pasur edhe në degën e Pogradecit.
Demokratët nuk i dhanë një mundësi të dytë Klevis Balliut për të qenë sërish përfaqësues i tyre në parlament, po ashtu në Pogradec u skualifikua edhe Eduart Kapri. Ndërkohë, në Pogradec u konfirmua ishgazetari dhe pedagogu i komunikimit Erlis Çela dhe historiani Erald Kapri.
Në këtë qark komisioni vlerësoi si të përshtatshëm 39 emra, ndërkohë Korça prodhon në total 11 vende në parlamentin shqiptar. Por pas votimit të zhvilluar dje do të kthehen mbrapsht vetëm 36 kandidatë, pasi 3 prej tyre u skualifikuan.
Ndërkohë, kujtojmë se Valentina Duka u tërhoq nga politika për t’iu përkushtuar jetës akademike.
PROCESI
Në përfundim të procesit të votimit nga anëtarësia e PD-së, kandidatët, të cilët janë konfirmuar për të vijuar arën do të rikthehen në komisionin me 5 anëtarë të përbërë nga Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Genc Ruli Enriketa Papa e Mark Marku.
Këta do të bëjnë sërish filtrim të kandidatëve. Anëtarët e komisionit votojnë bazuar, kryesisht, në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.
Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në Qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit, Lezhës Durrësit, Elbasanit ndërsa sot votohet në Vlorë. Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ Sahit Dollapi dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.