MENU
klinika

Europa League, play-off

Tiranë e brishtë, shuhet ëndrra për grupet

01.10.2020 - 21:23

Shuhet ëndrra e Tiranës për të kaluar në grupet e Europa League. Kampionët e Shqipërisë janë mposhtur 2-0 nga skuadra vendase e Young Boys në sfidën e play-off. Bardheblutë janë treguar të brishtë përballë kampionëve të Zvicrës.

Vendasit ushtruan presion që në minutat e para, megjithatë Cale pati një mundësi të artë në minutën e 9-të. Gjuajtja e tij u prit nga portieri vendas, që fatmirësisht u ndodh në pozicion.

Young Boys dukej gjatë gjithë kohës i freskët, ndërsa Tirana dilte në kundërsulm me pak forca dhe për pasojë ndalohej në kufijtë e zonës së zviceranëve. Për të ardhur në minutën e 43’, kur Fassnacht shënon me kokë pas një pasimi të bukur. Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

Në të dytën, pas 7 minutash, Tirana ndëshkohet sërish. Nsame nuk e ka të vështirë të realizojë pas pritjes së portierit Bekaj, që kthehet në assist. 2-0 dhe gradualisht nis e shuhet ëndrra e bardhebluve, të cilët janë të pafuqishëm për të reaguar.

Në të 64’ do të vinte edhe goli i tretë për zviceranët. Është sërish Nsame, që përballë portierit Bekaj nuk e ka të vështirë të realizojë golin e e dytë personal dhe të kapitullimit për ekipin shqiptar. Tirana proteston për jashtë loje, shumë i dyshimtë në fakt.

Sikur të mos mjaftonin 3 golat, situata komplikohet akoma më shumë kur Torasa merr kartonin e dytë të verdhë dhe lë të tijtë me 10 vetë në minutën e 67’. Këtu praktikisht Tirana duket e dorëzuar, me Young Boys që nis të kursejë energji. Mbyllet 3-0 dhe Tirana i jep fund aventurës europiane.