MENU
klinika

Champions League

Triumfon Barcelona, Juves i anulohen 3 gola

28.10.2020 - 23:01

Champions League ka dhuruar spektaklin e radhës. Në Torino, Juventus dhe Barcelona kanë matur forcat, me spanjollët që fitojnë 0-2 dhe marrin kreun e grupit edhe pse nuk shkëlqejnë.

Ishte Dembele që shënoi në 14’ pas një pasimi të gjatë të Messit. Francezi bëri gjithcka mirë vetë dhe nga jashtë zone nuk fali për 0-1. Morata barazoi një minutë më pas, por u anulua për jashtë loje.

Është sërish Morata që gjen golin edhe në minutën e 30-të, por edhe njëherë tjetër VAR ndërhyn dhe sërish kemi jashtë loje. Kulmi është në pjesën e dytë, kur me të njëjtin autor, Morata, anulohet goli i tretë për Juven dhe përsëri për pozicion jashtë loje.

Në fund, bardhezinjtë bëhen nervozë dhe Demiral ndëshkohet me karton të kuq në 85’. Në fillimin e kohës shtesë Barcelona përfiton penallti dhe Messi nuk fal për 0-2. Përfundon kështu kjo sfidë.

Në këtë grup, Ferencvaros bën mrekullinë, duke marrë pikën e parë në Champions. Nga 0-2 për Dinamo Kiev në Hungari, skuadra e Uzunit barazon 2-2, me sulmuesin shqiptar që mungoi sërish për shkak të protokollit të Covid-19.

Në ndeshjet e tjera, spikat fitorja në shtëpi 5-0 e Manchester United ndaj Leipzig. Djajtë e Kuq shënuan një herë në pjesën e parë dhe katër herë në të dytën, me Rashford në superformë me tripletë, duke marrë kështu kreun e grupit pas dy fitoreve.

Dortmund fitoi 2-0 në shtëpi kundër rusëve të Zenit. Sancho dhe Haaland në pjesën e dytë i japin 3 pikë verdhëzinjve. Ndalet Lazio në Belgjikë, teksa nuk shkon më shumë se një barazim 1-1 ndaj Club Brugge. Fitore minimale e Sevilla-s 1-0 në shtëpi ndaj Rennes, por me shumë vlerë.