MENU
klinika

Kur gazetaria i referohet letërsisë

Truman Capote “shkrimtari buzë greminës” i maskave

29.10.2020 - 11:38

         Truman Kapote shkruante kryesisht, siç bëjmë ne telefonatat e sotme. Letra për të mbushur boshllëkun, për të ndarë jetën e përditshme me miqtë. Letra, që, gjithmonë u përçojnë korrespodentëve dashuri, ndonjëherë të efektshme. Veçse fare pak arrijmë të mësojmë për reflektimet e tij të thella, leximet e tij, përveç të bashkëkohësve dhe rivalëve të tij, për të cilët, shpesh flet të keqen më të madhe. Një nga shkrimtarët amerikanë më të shquar të shekullit XX, krijimtaria e të cilit përfshin tregime, novela, vepra të ndryshme skenike, publicistikë, skenarë filmash, libra me temën e dashurisë dhe të krimit etj., ku shpaloset më së miri i ashtuquajturi “gotiku tradicional i jugut amerikan”. Për Truman Kapote, mund të themi se ai ishte njeriu i maskimeve, i maskave, dikush që luajti rolin e tij. Autori i kryeveprës “Me gjak të ftohtë”, Truman Kapote ofron, me artin mirëfilli të tijin, një mënyrë të re shkrimi që ndërthur gjestin romantik dhe qasjen gazetareske./Konica.al

Çfarë e dallon gazetarinë nga letërsia? Nëse do shpreheshim me një batutë: ajo çfarë e dallon një lajm të kronikës së zezë nga romani “Me gjak të ftohtë” i Truman Kapote. Kjo nuk nënkupton se gazetaria e kronikave, qoftë kronikë e zezë apo rozë, ka të njëjtën të drejtë të ekzistencës si letërsia. Padyshim, nëse gazetaria ndihmon për të kuptuar eventualitetin, literatura ndihmon për të kuptuar realitetin. Dhe midis dy instancave kalon e njëjta distancë që ndan Madonën e një falsifikuesi nga Madona e Rafaelit.

Aspak snobizëm, edhe kjo do ishte mangët. Edhe pse sipas mënyrës së tij, Kapote ishte një nga snobët më të mëdhenj të letërsisë amerikane, në këtë pikë duhet të sqarojmë se zbardhja e fakteve nuk është absolutisht e barabartë me përfaqësimin e realitetit. Që të ndodhë kjo mrekulli, madje edhe në letërsi rrallëherë ndodh, nevojitet që faktet të shartohen në kuptimin e tyre më të thellë. Si rrjedhojë, që ky shartim të ketë njëfarë efektshmërie, mbetet thelbësore që fjala të procedojë nga zmalti i gjërave tek të metat më të rrezikshme. Pikërisht këtë operacion të jashtëzakonshëm përmbush Kapote në kryeveprën “Me gjak të ftohtë”. Kur faktet flasin për një ngjarje të thjeshtë, edhe pse monstruoze, ngjarje kronike: shfarosja e tërë familjes nga duart e dy kriminelëve në kërkim të fatit, romani na kthen pafundësinë e sedimenteve psikologjike, sociologjike dhe morale të tyre. Dhe aty ku një gazetar do të fliste për “vrasje të neveritshme të shumëfishtë”, me këtë mendim ai e konsideron të zgjidhur problemin e vërtetë të atij incidenti, Kapote i kushton vrasjes së shumëfishtë një eksplorim prej mbi 400 faqesh. Atëherë lind pyetja: çfarë mund të thuhet më shumë, të paktën me ç’del e qartë nga provat e thjeshta të ngjarjeve, për të zgjeruar pyetjen e famshme të “Pesë W” në një vëllim të plotë? Le të themi se pas çdo ngjarjeje ekziston një univers i panjohur, i cili po ashtu injoron thelbin e asaj ngjarjeje. Mund të thuhet se pa letërsi nuk ka narracion të realitetit, të paktën kur pa kompleksitet nuk mbetet tjetër përveç gazetarisë së kronikave. Për të qenë më të saktë: mund të thuhet se pas çdo jete ka një galaktikë pothuajse të pamatshme jetësh.

Në kryeveprën e tij, Kapote lë jashtë vetëm detajet më të parëndësishme, pjesa tjetër, mekanizmi përfaqësues është i një përpikmërie, gati i një shqetësimi, të patëmetë. Në fakt, çdo personazh është një person, një qenie njerëzore me karakteristikat e pafundme vetjake, nevojën e pafundme për ta vendosur veten ekzistencialisht në realitet. Nuk është një e dhënë, nuk është një emër dhe mbiemër, nuk është një pikëz ekuivalente me gjithë të tjerët, që mund të kishin gjetur veten në të njëjtën tragjedi: por një individ në të gjitha aspektet, me një galaktikë të pritshmërive, ëndrrave, dobësive dhe zakone, që e shndërrojnë në shembull të asaj çfarë janë në të vërtetë qeniet njerëzore: krijesa unike dhe të papërsëritshme./Konica.al

Kështu, vdekja e egër që godet familjen e paracaktuar nuk është thjesht një aksident i pamëshirshëm, që i atribuohet moskallëzueshmërisë së fatit, nuk është thjesht një numerologji kufome, por drama e fuqishme e jetës kur takon fatin e saj më të egër. Pra, “Me gjak të ftohtë” nuk është përfaqësimi i një ngjarjeje si i tillë, por i gjithçkaje që jeta sjell me vete kur lëshohet një ngjarje e këtij kalibri. Ky është pikërisht ndryshimi thelbësor midis gazetarisë dhe letërsisë: nga njëra anë dëshmia e gjërave, nga ana tjetër vitaliteti i tyre i përgjithshëm dhe kompleksiteti i tyre i pashpjegueshëm. Nga njëra anë, një diçiturë e jetës, nga ana tjetër romani i tij. Por jo vetëm. Gjenia e Kapote ishte gjithashtu në gjendje të kuptonte, në të dy kuptimet e termit, artikulimin e pafund të moralit, duke mirëpritur në historinë e tij si perspektivën e viktimave, ashtu edhe atë të xhelatëve, duke na zbuluar kështu jo vetëm planin ngushëllues të padrejtësisë së pësuar, por edhe atë të mizorisë së shkaktuar. Së fundmi, këtu nuk jemi përballë stereotipeve, jemi përballë me esencën. Dhe nëse thelbi flet, ai flet me zërin e të gjithëve, përfshirë edhe kriminelët. T’i japësh zë abiseve është detyra më pak gazetareske, që ndofta përherë ka propozuar letërsia./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’