MENU
klinika

Mund të trajnohen 72 ushtarë

Turqia nis anijen e parë të trajnimit ushtarak në Katar

09.10.2020 - 21:27

Kantjeri i anijeve turke, Anadolu, nisi një anije luftarake trajnimi për ushtarë në Katar. Anija është prodhuar ekskluzivisht për Forcat Detare të Katarit.

Kantieri detar Anadolu i Turqisë nisi një nga dy anijet luftarake të trainimit të ushtarëve për Forcat Detare të Katarit sipas marrëveshjes që u nënshkrua në 2018 në Ekspozitën dhe Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes Detare të Doha-s (DIMDEX 2018.)

Anija është prodhuar dhe projektuar në Turqi dhe i janë shtuar disa “elementë të veçantë” sipas kërkesës së Marinës Emiri të Katarit.

Anija ka kapacitetin për të trajnuar 72 ushtarë. Ajo u nis dje nga porti detar i Stambollit “Tuzla” me pjesëmarrjen e Ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, homologut të tij të Katarit, Halid Bin Muhammed Al Attiyah, së bashku me zyrtarë të tjerë të mbrojtjes dhe ushtrisë.

“Uroj që anijet tona stërvitore të jenë të dobishme për Forcat e Armatosura vëllazërore të Katarit dhe të forcojnë vëllazërinë tonë,” tha Akar në fjalën e tij.

“Marrëdhëniet tona me Katarin janë në një nivel të shkëlqyer dhe shembullor në çdo fushë dhe të dy vendet veprojnë si një i vetëm në bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë për çështjet rajonale,” shtoi Akar.

Anija është e gjatë 90 metra dhe ka 1950 ton kapacitet të ngarkesës së plotë. Mund të përdoret për stërvitje me armë dhe ka një pistë për helikopterë me madhësi të mesme në pjesën e prapme.

Shefi i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes në Turqi (SSB), Ismail Demir, tha se fondi i projekteve aktuale në sektorin e ndërtimit të anijeve luftarake po shkon në 12 miliard dollarë.

Në (DIMDEX 2018), zyrtarët e Katarit nënshkruan një marrëveshje të veçantë me kantierët e tjerë turq për 17 anije të tjera ushtarake dhe të gjitha këto do të pajisen me armë të ndërtuara nga prodhuesi turk, “Aselsan”.

Nga ana tjetër, prania ushtarake e Turqisë në Katar i shërben stabilitetit dhe paqes jo vetëm për Katarin por për gjithë rajonin e Gjirit, tha Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pas vizitës së tij të punës në Katar.

“Askush përveç atyre që bëjnë plane konfliketsh nuk duhet të shqetësohet nga Turqia dhe prania ushtarake turke në Gji,” tha Erdogan.

Turqia ka bërë një investim të konsiderueshëm në përmirësimin e mbrojtjes së saj detare në dekadën e fundit, duke rritur numrin e anijeve luftarake dhe duke u mbështetur në teknologjinë e brendshme.

TCG Anadolu (tjetër anije) zë një vend të veçantë sepse anija luftarake është aeroplanmbajtësja e parë e Turqisë, që i mundëson vendit t’i bashkohet klubit të transportuesve të avionëve. TCG Anadolu, është planifikuar të bashkohet me inventarin e Marinës Turke këtë vit.

Ndërtimi i anijes filloi në 2016 në një kantier detar në rrethin Tuzla të Stambollit dhe vijon edhe sot.

Në kapacitetin e saj të plotë, TCG Anadolu do të jetë në gjendje të zhvendosë 27.000 tonë peshë, dhe ka një gjatësi prej 231 metrash me një gjerësi prej 32 metrash, dhe gjithashtu mund të arrijë shpejtësi që gati barazohet me 39 kilometra në orë.

F.H.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN