MENU
klinika

Zanafilla e kolegjit të Shën Adrianit

Vatra patriotike arbëreshe: prag i Rilindjes Kombëtare

05.10.2020 - 13:31

        Nën kujdesin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Papës Klementi XII, më 5 tetor 1732, në Kozencë të Kalabrisë u themelua Kolegji i Shën Benediktit Ulanos, që më vonë u transferua në Shën Mitër Korone dhe u quajt Kolegji i Shën Adrianit.

Kjo datë është me rëndësi të veçantë në historinë e shqiptarëve e në mënyrë të veçantë, të arbëreshëve.

Kolegji i Shën Benediktit u çel në një manastir të vjetër brazilian, nën drejtimin e Shën Nilit të Rosanos. Kishte për qëllim të përgatiste klerin shqiptar të ritit lindor bizantin, që do të shërbente në kishat arbëreshe e mundësisht edhe në Shqipëri, por jo më pak edhe laikët.

Dimë, se priftërinjtë dhe rregulltarët e përgatitur në këtë kolegj, do të kapërcenin Adriatikun, për të themeluar manastiret dhe shkollat e tyre në bregun tjetër e pikërisht në Himarë dhe rrethina, siç kujton, në këndvështrimin e vet, Petro Marko në librin e tij postum “Intervistë me vetveten”.

Ndërkaq, më 1734, në Palermo të Siçilisë, atë Guzetta do të hapte një tjetër kolegj me të njëjtin qëllim, që gjithashtu i dhuroi personalitete të ndritura kulturës shqiptare.

Në prag të Rilindjes Kombëtare, kolegji do të bëhej vatra më e nxehtë e ndjenjave të flakta të atdhedashurisë dhe të dëshirës për t’u çliruar nga pushtuesi.

 

Këtu, De Rada më 1899-ën, do të rifillonte të jepte mësimin e gjuhës shqipe, këtu do të edukoheshin disa nga yjet më të ndritura të plejadës që do të dukej në horizontin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e jo më pak, të asaj italiane. Mes tyre, kujtojmë De Radën, Anton Santorin, Mikel Markianoin, Luigj Gurakuqin, Kolë Kamsin dhe Kostaq Cipon etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dr. Mikel Markianoi - dijetar i shquar arbëresh

Një jetë për folklorin dhe traditën

Ekskluzive/ Intervistë me Mentor Nazarkon

Studiuesi më i madh arbëresh i kohës tonë