MENU
klinika

Eposi unik

Vihet në skenë “Lahuta e Malcis”: 15,613 vargje filozofie shqiptare

19.10.2020 - 17:00

        Kryevepra epike e Gjergj Fishtës, që ka marrë përmasa botërore, njihet prej shumëkujt edhe përmendsh. Janë 15, 613 vargje, ku homeri i letrave shqipe ka treguar vendin me zakone e troje të lashta. Ka rrëfyer botërisht, skenën e vogël ballkanike ku luheshin fate të mëdha, duke shkelur përmbi karakterin e shqiptarit, “të mujtun” prej varfërie dhe shtypjeje shekullore.

Përkthyesi i saj në anglisht, albanologu Robert Elsie, ka shkruar: “Lahuta e Malcís është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15. 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë “politike” të Lahutës dhe të Fishtës, dmth heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet. Por… “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e Verbit të Poetit. Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Bëhet shumë më tepër se një vepër letrare. Në botimin anglisht të Fishtës, e quajta “vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës”. Pjesa thelbësore e Lahutës u hartua në fillim të shekullit XX, kurse varianti përfundimtar – nëse ishte tamam përfundimtar – u botua në vitin 1937, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ta krahasojmë Lahutën me veprat e tjera epike, në veçanti me ato të Evropës, ta zëmë me veprat e Njegoshit malazez, të Mickieviçit polak, të Dantes italian, të Donelaitisit lituanez, të Kamoeshit portugez… shohim se Lahuta e Malcís është shumë e vonë. Por, siç e dimë, Shqipëria e vogël është paksi vonë në çdo gjë, apo jo? Po kjo nuk do të thotë se është më keq. Lahuta nuk është, as nuk do të jetë kurrë jashtë kohe. Në anglisht thuhet “last, but not least (i fundit në radhë, por jo në rëndësi)

Fishta i papërkthyeshëm, si të gjithë poetët e kombit, frati i veshur me zhgun, të ngjeshur me konop në përmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… ishte humanisti, atdhetari, burri i madh, pa varr, por jo pa lavdi. Tanimë, Lahuta flet në katër gjuhë: italisht, gjermanisht, anglisht e frëngjisht./Konica.al

Është privilegj për një aktor të skenës, të ligjërojë me gjuhën e pastër, të vështirë e lehtësisht të dallueshme të poetit të madh – sfidë që, së shpejti, do të vijë nga Kosova.  “PM Theatre”, në fillim të muajit nëntor, më 6, 7 dhe 8, do të ketë premierën e shfaqjes “Lahuta e Malcis”, në interpretim te Armend Balokut.

Shfaqja do të vijojë për tri net, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Duke pasur parasysh vëllimin e kësaj vepre, përgatitja e saj ka marrë një kohe relativisht të gjatë që të jetësohet në skenë – kanë thënë artistët kosovarë.

Pasi “Lahuta e Malëcis” është një nga veprat më të veçanta shqiptare, vlerësuar edhe nga personalitete dhe albanologë të huaj, si një shkrim që e bëri zonjë më vete gjuhën shqipe, si producente e këtij projekti ju njoftoj, se me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Gjergj Fishta, nëpërmjet “Lahutës”, do të dëgjohet zëri i tij, përmes vargjeve nën interpretimin e Armend Balokut./Konica.al

***

METAMORFOZA

Qe besa, or burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sod derri dajë…

Me anmiq t’Shqypnís
Un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,
Kacagjelue.

Pse kam pasë thânun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet
Per atdhe t’vet;

Edhe kam pritun,
Mbas ktij mendimi,
Trimnisht per atme
Çfarë do ndeshkimi.

Por tash, t’a dini
T’tânë rreth e çark,
Se mue m’ka hi
Sod lepri n’bark.

M’âsht bâ shtupë zêmra,
E m’la trimnija,
Si jam tue njoftun
Se ç’m’qet Shqypnija…

Po, po; kujdesi
Për Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun
Si hút n’ketë prroskë,

Kû, ndêjë harû
Si dac n’govigj,
M’janë bâ, qe besa,
Kërçikët si vigj,

E shtati tjeter
Porsi degë pishe,
Thue se kam hanger
Haram gjâ kishe.

Si me pasë lé
M’ndo’i knetë n’Zejmên,
A me pasë ndêjun
Tue tredhun qen.

Ehu! t’kishe shkue
Pak mâ kadalë,
S’kisht’ kênë nevoja
Me tjerrë ktû fjalë;

Përsè ishe màjun,
Si mâjet njala,
E punue m’kishte
Kuleta e fjala;

Porsi njatyne,
që ndêjë n’Shqypní,
Kujtojn se gjinden
Shi n’Australi;

E per dhé t’t’Parvet
S’u bjen nder mend
Me sa per kpurdha
që bijn n’dervend.

Ata, eh t’paça!
Kanë spaten n’mjaltë,
E si balona,
Per ditë mâ t’naltë:

Per ditë t’u mâjun,
Si mâjet njala,
U punon m’shekull
Kuleta e fjala.

As per punë t’ême
S’kanë t’lodhët, hae i keq,
Me sá druen halen
Se i therë n’perpeq.

E pse, pra, t’rrekem
Pa i bâ gjâ kujë?
Persè t’a mbajë
Un shatin n’ujë?

A thue dishroni
Prej ktyne s’ligash
Gjithmonë me m’pamun
Si t’pimun shtrigash?

Ehu jo, bre burra,
S’kam lé per s’teprit!…
Mâ mirë u rrnueka
Me zêmer t’leprit…

Kam dá, t’a dini,
Me vjetë t’sivjetit
Me u shporrë Shqypnijet,
Me kênë i vetit.

E dij se kini
Ju t’gjith me m’shá,
E se me m’thirrun
Mâ s’kini vllá;

Por n’dashtë; le t’thohet
Se dredhoi Leka,
Veç kurr mos t’thohet
Se ka mbetë Leka.

T’a dijë Shqypnija
Prá, e sheklli mbarë,
Se mâ mbas sodit
Un s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni,
që rrini m’shkam?
Un mâ me sodjet
Shqyptár nuk jam.

M’thirrni si t’doni
U tham: Urdhno!
Zulù m’a njitni…
Shqyptár, por, jo.

Per mue Shqypnija
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme
As fis, as vllá,

Fis kam mâ t’fortin
E vllá bujarin,
Per atme barkun,
Per erz kam arin.

Prandej, mbas sodit,
Kur t’m’leverdisin
Un kam me shndrrue
Sá herë t’due fisin.

Kshtû, kam me rá
Un n’mbramet Grek,
Kam me ndjehë n’nesret
Shkjá ja Zejbek.

Dér sod kjeç dhanun
Per gjuhë shqyptare:
Por shka, me sodjet,
Per mue dalët fare.

Per mue janë baras
Si bukë si pane,
Por due qi gjindja
Pa tê t’mos m’lâne.

Persè veç shqypja
Do folë n’Shqypní,
(Si duen me thânun
Nji palë zotní),

Kur me ‘i gut’n Morgen!
A kali imera!
Me ‘i dobra vecer!
A buona sera!

Mue punët të tana
M’hecin për fille,
E dér morrizi
M’qet drandofille?…

Luftët e Kastriotit
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun
Per dokrra hînit.

Sot per mue Leka
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca
E Jaho Begu.

Mâ s’kam me i qitun
Zavall un krés
Per krena t’vendit
As per t’parë t’fés;

Kushdo per mue
Le t’jét i pár:
T’jetë dreq me bryna,
Por jo Shqyptár.

Pse krejt sod jeten
Un ndrrue e kam,
Kam lé per s’dytit:
Shqyptár mâ s’jam.

E prej se s’dytit
Kam lé sivjèt:
Kurdo t’pagzohem
A t’m’bâjn synèt,

Un due t’m’a njesin
Pantaleone
Pse mbarë bjen fjala
Me napolione.

Pantaleone,
O ‘i tjeter êmen
që t’dáj se mashkull
Nuk jam, as fêmen:

Taman si duhet
Shqyptari t’jét,
që don me pasun
Kuleten xét.

Tash bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!

Persè me sodjet
Nji jetë e ré
Do t’xâje filli
N’Shqypní per né.

Per né xén filli,
Po, koha arit,
Sod që i rám mohit
Rodit t’Shqyptarit.

O i lum ti i lumi,
Si padishà
Tash ké m’u lkundun
Mbi ndo’i sofá.

Per né mbas sodit
Per çdo punë t’liga
Nuk do t’na marre
Mbi shekull friga.

Kemi per t’kênun
Si hy mbi tokë,
Kem’ per t’zotnue
Pa dhimbë mbi shokë,

Kemi me shkelun
Mbi rrashtë t’Shqyptarvet,
Tue lànë mbas krahit
Burrnín e t’Parvet.

Tjerët kanë m’u ushqye
Me lakna t’veja.
Me shllinë (n’i paçin,
Medjè, dhênt plleja),

Ti ké me rrue
Bibâj e pata,
E makerona
Edhe sallata.

Tjerët kanë me shkimun
Edjen me hirrë;
Ti, veç a mundesh
Shampanjë e birrë.

Pa lodhë na menden
Per dhé e gjuhë t’t’Parit,
Kem per t’kênë çmue
Prej zogjsh s’Shqyptarit.

S’ka per t’ngranë palla
Pse t’digjet ara
Ase mos t’gjindet
Kund rrushit fara.

Kúr per tý greza
Bâjn malit bungat
E mjaltë per tý
Kullojnë dér cungat.

Ehu! dy germaza
Sod kjeçë tue dashtë
E ‘i plandc lastiket
Krejt mbrendë e jashtë:

Kjé at-herë tu’ u zgjâ
Ti sá koteci,
E tu’ u kuqë hunda
Mue m’kje si speci.

Oh! Kúr t’xâsh filli
Me vû ti strehë,
Sa t’u ngjatjetat
Ké per t’i njehë!

E ka me u gjetun
Ndo’i farë Orfeut
që lavdet t’ua
T’i a kndojë dheut.

E ti, tue qeshun
Kangë e kangtár,
Tash mban perkthesen:
Nuk jam Shqyptár

Mandej, kúr plakun
E lodhë prej vjamit,
Ké m’u dá shekllit,
(Per sherr t’Adamit),

Njata që zhaben
N’ketë jetë t’a rrasen
Kshtû kanë me t’shkrue
Mbi vorr ty rrasen:

“Ktû njaj fatbardhi
Âsht tue pushue
Per Fé e per Atme
që pat jetue.”

A thue se âsht vorri
Bash i Spartanvet
që n’Thermopila
Bânë báll Persjanvet…

Prá, bjer kavallit,
O barku i êm,
Porsi bylbyli
që kndon mbi gêm!