MENU
klinika

Ekipi i femrave

Vllaznia mëson rivalin në Champions League

22.10.2020 - 12:04

Ekipi i futbollit i Vllaznisë për femra mësoi kundërshtarin në turin e parë kualifikues të Women Champions League. Vajzat kuqeblu do të luajnë me skuadrën turke Gaziantep Alg Spor Kulubu. Shorti i hedhur këtë të enjte në Nion vendosi përballë kampionen e Shqipërisë me një ekip debutues në kupat e Europës.

Gaziantep fitoi të drejtën e përfaqësimit në Champions League e femrave, pasi kur kampionati ndaloi për shkak të Covid-19 ishte në vendin e parë. Gjithsesi, rivali i skuadrës shkodrane është në rritje nga sezoni në sezon.

Vllaznia do të luajë si pritëse në stadiumin “Loro Boriçi” në fillim të muajit të ardhshëm, më 3 ose 4 nëntor, dhe për shkak të pandemisë, do të luhet me vetëm një sfidë, ku fituesi do të kalojë në turin e dytë. Ky është përfaqësimi i nëntë për vajzat kuqeblu në kupat e Europës.

Situata e krijuar nga pandemia ka sjellë ndryshime të mëdha edhe te futbolli i femrave. Nëse çdo vit tjetër 40 skuadrat e para që merrnin pjesë në turin kualifikues, ndaheshin sipas shortit në 10 grupe me nga 4 skuadra dhe prej secilit grup kualifikohej 1 skuadër, sivjet është ndryshe.

Tashmë 40 skuadrat pjesmarrëse në turin e parë kualifikues u ndanë në dy vazo me nga 20 skuadra secila dhe do të ketë përballje me tek ndeshje. Vllaznia, në bazë të koefiçentit ishte në vazon e parë.