MENU
klinika

Shkaqet e vërteta

Vrasja e Gjeneralit që shihte shqiptarët deri në Janinë e Çamëri

18.10.2020 - 13:20

Më 27 gusht të vitit 1923, në rrugën që bashkon qytetin e Janinës me Kakavijën, 10 kilometër pranë kufirit, njerëz të panjohur vranë në një pritë të organizuar Gjeneralin italian Enriko Telini, kryetarin e Komisionit të Lidhjes së Kombeve, të ngarkuar për delimitimin e vijës së kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Vrasësit, që kishin bllokuar rrugën me anën e një peme, duke përdorur armë të prodhimit gjerman, ekzekutuan të gjithë sa ndodheshin në makinë, shoferin, një mjek, adjutantin e  Gjeneralit, përfshirë edhe përkthyesin shqiptar.

Ekzekutimi i gjeneral Enriko Telinit dhe i gjithë stafit të tij futi në lojë një personazh të paparashikueshëm – Kryeministrin italian Benito Musolini.

Edhe pse të gjithë ata që humbën jetën i përkisnin një komisioni teknik të dërguar nga Lidhja e Kombeve, Musolini e pa ngjarjen si një çështje ekskluzivisht italiane.

Kështu, pa asnjë komunikim me Lidhjen e Kombeve, dhe asnjë konsultë me katër fuqitë e mëdha aleate, Anglinë, Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, ai u vë grekëve disa kushte ultimative që duhet të përmbusheshin brenda 24 orëve.

1-Paraqitje e ndjesës formale nga ana e qeverisë greke për atë italiane.

2-Zhvillimi i një ceremonie solemne funebre për viktimat e masakrës, e mbajtur në Athinë në prani të gjithë anëtarëve të qeverisë greke.

3-Nderime përpara flamurit italian gjatë së njëjtës ditë të ceremonisë funebre.

4-Hapja e një hetimi, ku duhet të bëjë pjesë edhe një përfaqësues italian, koloneli Perrone.

5-Dënim kapital për të gjithë autorët e krimit.

6-Kompensim në vlerën 50 milionë lira.

7-Nderim ushtarak për të gjithë të rënët në momentin e imbarkimit të tyre për në Itali.

Qeveria greke nuk pranoi të përmbushte të gjithë kushtet.

Kaq mjaftoi që Musolini të urdhëronte, pa asnjë lloj hezitimi, flotën detare dhe atë ajrore të përgatiteshin për luftë.

Kështu, më 31 gusht 1923, vetëm katër ditë pas masakrës, ushtria italiane, pas një bombardimi të shkurtër, por të përgjakshëm, pushtoi ishullin e Korfuzit.

Kjo ishte ajo që u pa e mësua nga opinioni botëror.

Por cilat ishin shkaqet e vërteta të vrasjes së Gjeneral Enriko Telinit?

Edhe pse grekët u munduan t’u hidhnin fajin bandave shqiptare, edhe pse hetimet sërish flisnin për autorë shqiptarë, e vërteta ishte krejt tjetër.

Vrasja ishte porositur nga grekët, ndërsa arsyeja përse Gjeneral Telini duhet të vritej ishte edhe më e qartë.

Gjatë gjithë drejtimit të punës prej tij në terren, ai kishte mbrojtur me forcë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pikërisht këtë ngjarje të pazakontë dhe njëkohësisht të rëndësishme të historisë sonë trajtoi dokumentari i radhës i gazetarit Ferdinand Dervishi, që u shfaq premierë këtë të shtunë, në orën 22:15, në hapësirën e emisionit Abc/Story.