MENU
klinika

Detyrat e qeverisë së re

Vuçiç: Sërish zgjedhje në Serbi më 2022

20.10.2020 - 20:32

Më 3 prill të vitit 2022 do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi. Kështu deklaroi presidenti Aleksandër Vuçiç, njëherësh udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, e cila i ka fituar bindshëm zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor.

Përveç partisë së tij, në qeverinë e re do të përfshihet edhe ish-partneri i tij, Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiçit dhe Lidhja Patriotike Serbe e Aleksandar Shapiçit, e cila deri më tash ka qenë në opozitë. Daçiç, ministër i deritashëm i Punëve të Jashtme, do të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë, njoftoi të martën Vuçiç.

Ai nuk i bëri publikë emrat e ministrave të ardhshëm, duke thënë se do ta bëjë këtë pas bisedimeve shtesë brenda partisë. Lista përfundimtare e ministrave do të bëhet publike më 25 tetor, tha Vuçiç. Ai tha se do të ketë disa ministri të reja, përfshirë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Dialogun.

Detyra kryesore e qeverisë së re, siç tha Vuçiç, do të jetë ruajtja e shëndetit të qytetarëve dhe një sistem i fortë shëndetësor. Detyra e dytë, shtoi ai, janë interesat e Serbisë në Kosovë.