MENU
klinika

Mbi sipërfaqen hënore...

Zbulimi epik: NASA gjen ujë në sipërfaqen e Hënës

27.10.2020 - 12:23

Agjencia amerikane e Hapësirës, NASA, njoftoi të hënën se ka konfirmuar ekzistencën e ujit në zonat e ndriçuara të Hënës, duke sinjalizuar se uji mund të jetë i pranishëm më gjerësisht se ç’mendohej më parë.

NASA tha se zbulimi u konfirmua nga Obzervatori Stratosferik për Astronominë me Rreze Infra të Kuqe i njohur me inicialet SOFIA, një laborator fluturues i krijuar duke modifikuar një avion të tipit 747. Më parë besohej se molekulat e ujit mund të gjendeshin në zona të ftohta, në sipërfaqen e pjesës së errët të Hënës.

Rezultatet e studimit janë botuar në numrin e fundit të revistës Nature Astronomy.

Më e thatë se Saharaja

NASA thotë se obzervatori SOFIA kishte diktuar molekula uji në kraterin Clavius, krateri më i madh që shihet nga Toka. Të dhënat tregojnë se uji është i pranishëm në përqëndrim 100-412 pjesëza për million, i bllokuar në shtresën e dheut mbi sipërfaqen hënore.

NASA thotë se po të bëhet një krahasim, Shkretëtira e Saharasë ka 100 herë më shumë ujë se sa sasia e diktuar në sipërfaqen e Hënës. Por sasia nuk ka rëndësi, aq sa prania e ujit që tani ka çuar në pyetje se si u krijua uji dhe si vazhdon të ekzistojë në këtë mjedis të vështirë.

NASA thotë se zbulimi i fundit i frymëzon shkencëtarët të vënë në jetë planet për të krijuar një stacion me astronautë mbi sipërfaqen e Hënës brenda kësaj dekade. Mbetet për t’u zbuluar nëse uji i diktuar mund të përdoret për të mbuluar nevojat e astronautëve.

Ekspedita të ardhshme të obzervatorit do të përpiqen të zbulojnë ujë në zona të tjera të ndriçuara të Hënës si dhe të kuptojnë se si u krijua kjo sasi uji në këtë objekt hapësinor.