MENU
klinika

Vjeshtë...

Zënë rob në Theth

25.10.2020 - 16:30

      “Asnjë vend i banuar, nuk më ka lënë një përshtypje të tillë izolimi madhështor nga e gjithë bota” ( Edith Durham). Kështu ka thënë studiuesja dhe shkrimtarja angleze Edith Durham, kur ajo për herë të parë kaloi në Theth, në vitin e largët 1905. Kishte udhëtuar thuajse kudo nëpër Ballkan, por aty ajo gjeti diçka që e bëri ta adhurojë përgjithnjë dhe të mrekullohej me mikpritjen e vendasve, që me të drejtë e deshën dhe e respektuan, duke e cilësuar madje dhe si “Mbretëresha e malësorëve”.

Maja të larta. Kurorë kreshtash. Rreze dielli tej humnerës. Dritë mbi egërsinë e maleve.

Rruga për në Theth, duket sikur të ngre në qiell. Dielli të prek fytyrën. Flladi të flet në gjuhën e vet.

Lumenjtë vërshojnë melodinë gurgulluese.

Thethi, duket si një tekë e natyrës.

I egër. I bukur… Madhështor. I shndritshëm, si drita që e përshkon pa droje atë ngrehinë më vete, mes resh.

Vjeshta troket pa mëshirë, atje. Gjethe të verdha, male të ashpra, qiell i pastër, lugina dhe njerëz që, këtë pamje përrallore e kanë çdo ditë para syve.

Ke marrë rrugën, për në skajin verior. Mbase, për herë të parë…

Një realitet-ëndërr, a ëndërr me sy hapur. Rreth teje, male dhe qiell. Çdo ngjyrë, ka tjetër nuancë…

Drejt Thethit, rrugës me asfalt deri në Bogë, aty ku Malësia e Madhe ia lë vendin një tjetër krahine në zë. Qafë-Thorja është ballkoni natyror, nga ku vështrohet malësia e Dukagjinit dhe lugina e Shalës.

Nuk ka sesi të mos e ndalosh makinën, në rrafshinën sipër rrugës dhe fotografosh… alpet, pyjet, shkrepat, pllajat, hijetinat, lugjet./Konica.al

Je në Theth. Para teje, shfaqet fshati më piktoresk shqiptar. Në Veri, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, rrethuar nga Radohima, Sheniku, Papluku dhe mbi 2,500m mbi nivelin e detit.

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve

Nga të dhënat historike, Thethi është vendbanim shumë i hershëm. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura.

Thethi, për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë, Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Edhe sot, Shala, Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit.

Në shekullin e XVI –të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malesia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Që nga ajo kohë kjo zonë ka marrë emrin Dukagjin.

Ka qenë Coronelli i pari që ka përmënduar Thethin në hartën e vitit 1688 dhe At Shtjefën Gjeçovi në vitin 1916 e bën të njohur botërisht. At Zef Valentini shkruan në librin “E drejta e komuniteteve në traditën Shqiptare” se Thethi në 1904 është famulli me 100 shtëpi, dhe është repart autonom, juridikisht jo aq mirë i përcaktuar, i fisit të Shalës. Bald: e quan Thethin njërin nga 5 bajraqet e fisit të Shalës. Thethi shfaqet me një autonomi të plotë dhe sigurisht që i perket fisit te Shalës, duke mos lidhur martesa me disa pjesë të saj.

Në vitin 1921 në Theth u ndërtua një shkollë nga shteti i kohës dhe në ditët e para te saj, Kryqi i Kuq Amerikan solli 3450 korona sermi ndihmë per shkollën. Në vitin 1936 vjen rruga automobilistike deri në Qendër të fshatit. Në vitin 1956 u çelën në qendër të fshatit disa qendra turistike: një godinë dhe hotele të vegjël por gjithsesi u vendos baza e turizmit malor. Në vitin 1968 filloi punë shtëpia e pushimit ku ështe edhe sot.

Për Thethin ka shkruar alpinisti i madh Georg Heinshemer, duke e krahasur me Tirolin, kurseDr. Franc Nopça ka thënë se “Po të jesh në besë në asnjë vënd tjetër të botës nuk do të jesh më i sigurtë”…

Për të studiuar gjenezën e popullsisë dhe prejardhjen e toponimit Dukagjin duhet të studiojmë dy krahina të mëdha etnografike, Malësinë dhe Dukagjinin e Vjetër, por njëkosisht duhet të studiojmë edhe dy principatat mesjetare, të cilat shtriheshin dikur në këto dy krahina etnografike, ajo e Spanëve në Malësi dhe e Dukagjinasve në Dukagjin. Në fillim do të analizojmë principatën e Dukagjinasve, sepse nga kjo krahinë e kanë prejardhjen shumica e banorëve të zonës si dhe vetë emërtimi Dukagjin që ka zona. Principata e Dukagjinasve.

Principata e Dukagjinasve shtrihej nga pjesa veriore e luginës së Matit e deri në lumin Drin në veri, si dhe nga zona bregdetare ndërmjet grykëderdhjeve të lumenjve të Matit dhe të Drinit të Lezhës e deri në rrafshin e Dukagjinit në Kosovë. Ajo përfshinte Lezhën, Kurbinin, Pukën, Mirditën, Kukësin, Hasin, Rrafshin e Dukagjinit deri në Drenicë.

Pse, Theth? Prejardhja e emrit

Në vitin 1281, i pari i kësaj zone, Gjin Tanushi, për merita të veçanta ushtarake që mori në shërbim të Bizantit, mori titullin “Dukë”, pra Duka Gjin, (Ducam Ginium Tanischum). Pastaj, familja e tij u bë shumë e njohur dhe filloi të quhej familja e Dukagjinasve, pra titulli i tij së bashku me emrin e tij kaluan në formën e mbiemrit të familjes dhe më vonë dhe të krahinës ku sundonin ata, pra, principata e Dukagjinit.

Përfaqësuesi më i njohur i kësaj familjeje ka qenë Lek Dukagjini, i cili është edhe autori i kanunit të famshëm që mban edhe emrin e tij, (Kanuni i Lekë Dukagjinit). Ka dhe mendime të tjera për prejardhjen e familjes dhe të emrit Dukagjin, por ky është mendimi më i besueshëm, njëkohësisht jepen edhe data të ndryshme si 1216, por e rëndësishme është se të gjitha këto data sillen rreth shekullit të 13-të.

Kulla e Ngujimit

Kulla ku janë pajtuar mbi 300 familje në hasmëri, nga i gjithë bajraku i Shalës. Kjo kullë, ka mbi katër shekuj që është ndërtuar dhe është përdorur për pajtimin e dy palëve. Kur një person kryente një vrasje, kishte të drejtë të merrte pleqtë për të pleqëruar ngjarjen. Plaku luante rolin e avokatit të palës që e zgjidhte. I akuzuari  kishte të drejtë  të qëndronte brenda kullës i ngujuar për 15 ditë dhe brenda këtyre ditëve, ishte kohë e mjaftueshme për të gjetur mbrojtësin e tij dhe të sqaroheshin rrethanat e kryerjes së vrasjes.

Kjo kullë, nuk ishte si kullat e Mirditës, ku autorët e vrasjeve ngujoheshin për gjithë jetën, por ka qënë një kullë ku kryheshin kuvende për pajtimin e gjaqeve. Këtë vend e kanë mbajtur gjallë, tri binjakëzime.

Kanuni i Lekë Dukagjinit që kishte ndikim në të gjithë krahinën.

Besa që palët i jepnin njëri tjetrit, e cila duhej të mbahej me çdo kusht.

Feja Katolike që kanë pasur banorët e Dukagjinit e cila ka ndikuar në bashkimin e banorëve, pasi ishin të gjithë të një feje.

Kulla u ndërtua nga të parët tanë, për mbrojtjen e fshatit të Thethit dhe është një relike për krahinën.

Pra, kulla e Zef Kol Koçekut ruhet dhe mbrohet me respekt nga nipi i tij Sokol Koçeku, sepse është një simbol i të parëve të tij. Ka rreth një shekull, që këtu nuk janë mbajtur kuvende, pasi kjo traditë është lënë pas dhe ruhet si relike.

Kullën e ngujimit, në vitin 1905 e vizitoi edhe gazetarja Angleze dhe mikja e banorëve të Thethit, Edith Durham. Tanimë, ajo është kthyer në muze dhe guidë, për turistët vendas e të huaj.

Kisha e Thethit

Një kishë e veçantë dhe e bukur, është ndërtuar në vitin 1892, në po atë vend dhe po ato themele që është edhe sot e kësaj dite.

Në periudhen e ndërtimit ngjitur me murin lindor të saj ka qenë edhe shtëpia ku banonte famullitari i kishës. Duke qenë se banorët e Thethit, që nga krijimi i tij kanë qenë katolikë, një nga ndërtimet e para ka qënë kisha. Një nga famullitarët më legjendarë jo vetëm për Thethin dhe kishën katolike, por për të gjithë kulturën shqiptare, ka qenë At’ Shtjefen Gjeçovi. Gjeçovi në vitin 1917 hapi shkollën dhe u mësoi fëmijëve, shkrimin dhe leximin e gjuhës Shqipe. Këtë traditë ndoqën edhe priftërinjtë e tjerë të kësaj kishe. Si periudhë hapjeje e kësaj shkolle, nga shteti në fuqi i asaj kohe, njihet hapja nga At’Marjan Prela, në vitin 1921. Ministri i Arsimit të asaj kohe, Ahmet Zogu, nëpërmjet një urdhri të brendshëm ka lëvruar nje fond prej 100 frangash ari, për arsimimin e fëmijëve të Thethit.

Po në këtë kishë, për një kohë më të shkurtër ka shërbyer edhe At’ Daniel Gjeçaj, i cili, pas vendosjes së regjimit antifetar komunist u detyrua të braktisë Shqipërinë dhe t’i shërbente asaj, nga Italia.

At’ Danieli, gjatë viteve të komunizmit mbajti kontakte me të gjithë emigrantët shqiptarë në mërgim. Një nga bashkëpunëtorët e tij, ka qenë edhe shkrimtari i madh Martin Camaj, i cili, për çdo shkrim përpara se ta botonte konsultohej me At’ Danielin. Falë bijve të Thethit, me banim në SHBA, kisha sot është rikonstruktuar dhe rikthyer në shërbim të fshatit, pasi gjatë regjimit komunist ishte dëmtuar duke u bërë qendër shëndetësore dhe shtëpi lindjeje.

Një ndër bukuritë natyrore të alpeve tona është dhe ujëvara e Grunasit

Ujëvara e Grunasit, me trupin e saj te hollë me mbi 30 metër të larte së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojne një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.

Ujëvara e Thethit ka si karakeristikë të veçantë, faktin që uji buron nga shkëmbi dhe është ujë dëbore.

Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë, që nuk gjendet në asnjë ujvarë të Europës.

Kjo, ishte vetëm nisja, në zbulim historinë, traditat dhe bukuritë e pakrahasueshme të Thethit, majë malesh të larta

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në Theth ku dielli shndrit

Kisha e vjetër gur themeli