Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja zhvilluan takime me bizneset e vogla në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan, e njohur ndryshe si zona e Fushë Mbretit.
Balla ndau dy lajme të mira për bizneset e kësaj zone. Së pari nisjen e rikonstruksionit total të rrugës “Iljaz Kosova”, rruga kryesore e lagjes “Skëndërbej”, e cila do ta shndërrojë krejtësisht zonën dhe do t’i japë frymëmarrje biznesit.
Projekti i Bashkisë së Elbasanit është financuar nga qeveria shqiptare dhe tashmë nis investimi, i cili do të bëhet sipas të gjitha parametrave të kërkuara, duke përfshirë kanalizime, ndriçim e gjelbërim.
Prej shumë kohësh banorët e Fushë Mbretit e kishin kërkuar këtë rrugë e cila gjithashtu do të përfshijë edhe qendrën e lagjes, duke u kthyer në një miniqytezë në pjesën jugperëndimore të Elbasanit.
Lajmi i dytë i mirë që Balla ndau me ta është zerimi i taksave, duke nisur që nga 1 Janari i vitit 2021.
“Kjo masë e ndërmarrë nga qeveria do të çlirojë tërësisht bizneset nga tatim fitimi dhe TVSH-ja.
Pavarësisht vitit të vështirë që pandemia ka krijuar në të gjithë botën, masat lehtësuese të qeverisë kanë zbutur efektet negative tek biznesi”, tha Balla.