MENU
klinika

Raste të reja në Berat

Infektime në institucione vendore dhe arsimore

24.11.2020 - 10:32

Dy edukatore të tjera në kopshtin “Çlirim 1” në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat janë konfirmuar “pozitive” me Covid-19, ndërkohë që kopshti është mbyllur për një afat të papërcaktuar pasditen e djeshme. Në qarkun e Beratit vihet re një përhapje e rasteve të të infektuarve në institucionet vendore dhe arsimore, mes bluzave të bardha dhe në Burgun e Beratit, ndërkohë që raste të reja janë shfaqur në DPV Berat dhe Prokurorinë e Rrethit.

5 është numri i të infektuarve mes radhëve të bluzave të bardha në Berat, ku në Spitalin Rajonal janë infektuar: 1 infermier i kabinetit të neurologjisë, 1 mjek oksigjenist dhe 1 infermier në Repartin e Urgjencës; në Poliklinikën e Specialiteteve është konfirmuar “pozitive” 1 infermiere, ndërkohë që edhe në një Qendër Shëndetësore në Urë-Vajgurore një infermiere ka rezultuar e infektuar me Covid-19.

Infektimet kanë vijuar edhe në institucionet arsimore ku: 1 mësuese në shkollën 9-vjeçare “Mehmet Ali Vrioni”, 1 mësuese në shkollën e muzikës “Ajet Xhindole”, 1 mësues në shkollën 9-vjeçare “Shaban Sojli”, 1 mësuese në shkollën 9-vjeçare në fshatin Syzezë, 1 mësues në shkollën 9-vjeçare “Josif Prifti” dhe 2 nxënës në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” janë konfirmuar “pozitivë” me koronavirus. Infektime të reja janë shfaqur edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat ku 3 efektivë policie janë konfirmuar “pozitivë”, në bashkinë e Beratit ku është infektuar një punonjëse administrate dhe në Prokurorinë e Rrethit ku ka rezultuar e infektuar me Covid-19 sekretarja e prokurorisë.

Mes 50 rasteve të të infektuarve me Covid-19 në qarkun e Beratit renditen edhe: 1 kujdestare në Qendrën e Zhvillimit Rajonal “Lira”, 1 polic në Burgun e Beratit, 1 punonjës në zyrat e OSHE-së, 1 punonjëse në sh.a.Ujësjellës-Kanalizime, 1 punonjëse e Filialit të Postës Shqiptare, 2 punonjës në filialin e Albtelekomit, 1 ushtarak në Repartin Ushtarak në Poshnje, 1 punonjëse në fasonerinë “Malotex”, 1 polic beratas që punon në DPV Fier dhe 1 kambist.