MENU
klinika

Orwell / Huxley: një kontrast i mrekullueshëm

Dy klasikët parashikues për botën, me pikëpamje të kundërta

24.11.2020 - 13:57

         Nëse Aldous Huxley dhe George Orwell do të kishin shkruar një vepër me katër duar, rezultati do të kishte qenë padyshim një afresk i mrekullueshëm i botëve të sotme. Të dy mjetet për të kontrolluar popullatat do të ishin bashkuar në një sintezë të frikshme: skllavërimin nga një shoqëri e kënaqësive ose nga një sistem shtypës. Në fund të fundit, ky bashkëpunim letrar nuk do të ishte i pamundur… Dy romanet më të mëdhenj të parashikimit, që gjejnë një jehonë të jashtëzakonshme në shoqëritë tona, por thuajse gjithçka tjetër i kundërvë. /Konica.al

George Orwell “1984” ose “Njeriu i fundit në Evropë” 

Aldous Huxley: “Më e mira e botëve”

Dokumentari i prezantuar nga stacioni i mirënjohur franko-gjerman ARTE eksploron ndryshimet mes mënyrave të krijimit të dy autorëve dhe përpjekjet për të bërë një ndarje të vizioneve të tyre parashikuese.

Jemi më “1984” apo “Më e mira e botëve”? Gati shtatëdhjetë vjet më parë, shndërruar tashmë në shkrimtarë kult, u përpoqën të imagjinonin se çfarë do të bëhej në botën tonë. George Orwell dhe Aldous Huxley e njihnin njëri-tjetrin: i pari ishte nxënës i të dytit në “Eton”, një kolegj prestigjioz britanik dhe, më pas, mbajtën një korrespondencë të shkurtër. Megjithatë, gjithçka i kundërvinte: stili (njëri ishte mondan, i këndshëm, politikisht i painteresuar; tjetri ishte i rreptë, socialist, i dashuruar pas natyrës) dhe frikërat e tyre rreth monstruoziteteve në embrion në shoqëri. Nuk arritën kurrë të bien dakord me njëri-tjetrin për “vizionin e tyre të errët të së ardhmes”. Nëse Orwell, nisur nga përvoja e Luftës Civile Spanjolle, përshkruan një univers totalitar, të ftohtë dhe brutal, ku një parti e vetme rishkruan pandërprerë historinë, madje arrin deri atje sa mohon idenë e një të vërtete objektive, Huxley imagjinon një botë të kënaqësive kalimtare dhe tjetërsim “i pajtuar”, i formuar nga eugjenika./Konica.al

Po sikur autorë të caktuar të kenë ditur të parashikojnë epokën tonë? Huxley mendonte se ne ia lejojmë shumë vetes të na manipulojnë, të mendosh që jemi të lirë, por në të vërtetë nuk jemi. Dy klasikë të letërsisë parashikuese me pikëpamje krejt të kundërta. Tek Huxley, kontrolli kalon përmes kushtëzimit të fëmijëve dhe hipnoza nën efektin e narkotikëve. Aldous jetonte në një epokë, ku njerëzit flisnin për edukatë selektive, eugjenikë, për mundësinë e kushtëzimit të qenieve njerëzore, duke nxitur sjellje, duke biseduar me ta ndërsa flenë. Huxley na paralajmëron se mund të shkojmë drejt një shoqërie, e cila na kontrollon të gjithëve nga kënaqësia dhe jo përmes vuajtjes. Për Oruellin është mbikqyrja dhe kërbaçi, që duhet t’u frikësohemi. Fillimisht “1984” duhej të titullohej “Njeriu i fundit në Evropë”, pra kjo do të thoshte shkatërrimi, Menjëherë, që në faqet e para, ai na vendos në një unives që është i frikshëm. Njerëzit jetojnë në kushte të mjerueshme, ka teleekrane që i mbikqyrin vazhdimisht.

Sot, cila nga këto dy botë ngjason me planetin tonë? Oruell kishte frikë, nga ata që do të na privonin nga informacioni. Huxley kishte frikë, nga ata që do të na jepnin kaq shumë informacion, sa do të na shpinte në pasivitet dhe egoizëm. Në botë, ka njerëz që duan të eliminojnë faktet. Nga ana tjetër, është një sistem që thotë se faktet nuk kanë rëndësi. Sot këto dy botë i hasim në fjalimet e njerëzve në pushtet. Ata përpiqen të na thonë se faktet nuk kanë rëndësi, në të njëjtën kohë që na thonë se nuk ka fakte.

Çfarë bën demokracia, çfarë bën shteti i së djathtës? Ky është një raport i ruajtur në cilësinë e fjalës. Përse? Për të vetmin fakt, se shteti i së djathtë mendon se mjeti i parë i rregullimit në demokraci është fjala. Nuk është dhuna. Pra, që fjala të jetë rregullatore, duhet që ajo të identifikohet si e zbatueshme, e ndershme, sepse përndryshe pushteti interpretues i fjalës bëhet pluhur e hi. Si rezultat, krijohet një fjalë që është e identifikuar duke mos qenë asgjë. Kjo, apo diçka tjetër, nuk është asgjë. Si rrjedhojë, shkohet direkt drejt asaj që do rregullojë dhunën, supersigurinë, superrregullin, etj. Pra, në demokraci të ruash raportin cilësor të fjalës është një çështje politike./Konica.al

Aktualisht mbase është Kina, ajo që i mishëron më mirë vizionet distopike të Oruellit dhe Huxley-it. Shihet një përzierje Huxley-Oruell, me, nga njëra anë, një shoqëri e premtimit, e kënaqësisë, e konsumimit, e thënë ndryshe e nxënësit të mirë, pasi është e vërtetë që krediti shoqëror mund të jetë i pamjaftueshëm, por njëherazi mund të jetë edhe i tepruar. Një gjë e tillë ju mundëson akses në mjaft privilegje të vogla. Pra, mund të shkëmbejnë lirinë e pamasë për ca privilegje të vogla narcistike ose materialiste. Nga ana tjetër, është kërbaçi që mund të jetë oruellian, edhe pse mund të tingëllojë disi qesharak, që thotë: “Nëse ju nuk bëni këtë, ju do të dëboheni menjëherë nga shoqëria”.

Oruell-Huxley, një dikotomi që eksploron dokumentarin e prodhuar si pjesë e serialit “Romanet e mëdha të skandalit”. Së pari, dokumentari përqendrohet në kushtet e shkrimit të dy librave të mëdhenj të shekullit të 20-të. Edhe këtu, kontrasti është i habitshëm: Huxley instalohet rehatshëm në Sanary-sur-Mer, Oruell e shkruan “1984” me nxitim, i mbyllur në një fermë skoceze, me mushkëritë copë nga tuberkulozi.

Nëse ata e gjenin veten në vizionet e tyre të errëta për të ardhmen, mosmarrëveshjet e tyre ishin të thella. Ashtu si librat, edhe stilet e jetesës e shprehnin qartë këtë antagonizëm. Nga ana njerëzore, ata ishin antipode. Huxley vinte nga një shoqëri elegante mondane, i dëgjonte kritikat, rehatohet në butësinë mesdhetare për të shkruar. Oruell është gazetari që lufton dhe rreh shpatullat me banorët e lagjeve të varfra, një revolucionar të cilin revolucionet do ta zhgënjejnë, izolohet për të shkruar në një mjedis më të rreptë, në ishullin skocez Jura. Edhe vizionet u ndryshojnë: Huxley pikturon një civilizim të kohës së lirë, të qeverisur nga teknoshkenca. Ai vë në pikëpyetje vendin e individit në një botë që po vrapon drejt prodhimit dhe konsumit masiv. Robërimi nga rehatia. Nga ana tjetër, Oruell sheh një shoqëri kapluar nga makthi i punëtorëve qytetarë, të vendosur nën vëzhgimin e Big Brother.

Oruell do t’i bënte një kritikë sarkastike romanit të ish-mësuesit. Për të, me “Më e  mira e botëve”, Huxley bën “një karikaturë të mirë të utopisë hedoniste, lloji i ngjarjes që dukej e mundur dhe madje e afërt para shfaqjes së Hitlerit, por që nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen siç është vizatuar”. Huxley nuk do t’i përgjigjej, por do t’i shkruante Oruellit kur ky t’i dërgonte një kopje të librit “1984”, për të justifikuar vizionin e tij. Fjalët e fundit të letrës së Huxley-it tingëllojnë çuditërisht sot: “Etja për pushtet mund të përmbushet po aq mirë, duke sugjeruar që njerëzit të duan skllavërinë e tyre, sesa t’i rrahin dhe t’i fshikullojnë për t’iu bindur”. Oruell do të kishte kohën e mjaftueshme për ta lexuar përgjigjen e Huxley-it para se të vdiste në moshën 46-vjeçare, më pak se një vit pas botimit të kryeveprës së tij./Konica.al

 

(ARTE)