MENU
klinika

"NOE"

Gazmend Leka reflekton mbi njeriun e instinktin

27.11.2020 - 16:36

        Janë 24 vepra të autorit Gazmend Leka, që përmblidhen në ekspozitën “NOE”, ekspozitë që vijon për publikun e gjerë, në galerinë e FAB, në Tiranë.

Këto ditë nëntori, “NOE” vjen si pjesë e jetës artistike në kohë pandemie si kjo, në kryeqytet. Piktori e ka konceptuar si aktin e tretë e të fundit të triologjisë, ku pararendëset ishin ekspozitat “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”, ekspozuar dy vitet e fundit.

“NOE” në ambientet e galerisë FAB, vjen e kuruar nga dr. Ermir Hoxha dhe në një reagim të tij më parë për këtë ekspozitë, piktori Gazmend Leka shprehej se sikurse dy të parat, në qendër të ciklit është njeriu, qenia në gjithë plotësinë e vet.

“Është njeriu, si arsye dhe kafsha, si instikt. Bërthama e ciklit është çdokush prej nesh, që në rropamën e ngjarjeve, tenton të shpëtojë përtej arsyes edhe instinktin, atë që është dhe natyra e tij të vërtetë dhe e papërsëritshme. E titullova “NOE”, që të bëhej një shoqërim imazhi në mendjen e njerëzve me përmbytjen” – thotë piktori.

Si autor, ai vijon se nuk bëhet fjalë për personazhin biblik dhe përmbytjen e përbotshme, por për përmbytjet e përvitshme të qyteteve e fshatrave tona, ku njeriu tenton të shpëtojë çfarë të shpëtojë copëza nga pasuria e tij dhe gjënë e gjallë.

“Përmbytja e vërtetë vjen përmes një imazhi konkret, ku natyra tërbon, por në kuptimin e thellë, 24 pikturat janë më së shumti një refleks i brendshëm i një kaosi shpirtëror, ku njeriut i duhet të shpëtojë një qelizë të shëndoshë, për t’u ripërtërirë dhe kjo qelizë është ndërgjegjja e tij dhe nënndërgjegjja. Jo pa qëllim, kam vendosur të shpëtoj më së shumti kafshët dybrirëshe, dhi, cjep e desh si përfaqësuesit më të mëdhenj të botës instiktive” – thotë Leka.

Ekspozita u çel më 11 nëntor dhe do të mirëpresë artdashësit deri më datë 30, duke u përshtatur me masat kufizuese. Nuk pati mbrëmje përurimi, ku të mbidheshin miq, kolegë, studentët e artdashës. Ky moment i veçantë, i mungoi kësaj here ekspozitës.

Gazmend Leka, në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë, fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë që e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë dhjetëvjeçare, 1981-1991, bëhet udhëheqës artistik i filmave të animuar në kinostudion “Shqipëria e Re”, si regjisor. Në vitin 1991, nis punë si pedagog i Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull