Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, do të ulen sot në bankën e të akuzuarve në seancën e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Thaçi dhe Krasniqi do të dalin në seanca të ndara para Gjykatës Speciale pasi të dyve iu është konfirmuar aktakuza për krime lufte.
Veç Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, në Hagë u dërgua dhe ish-kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi. Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar më 4 dhe 5 nëntor, 4 krerët kryesor të shtabit të UÇK-së u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër tyre më 26 tetor 2020.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.